Ministria e Shëndetësisë nuk është duke siguruar sasinë e duhur të insulinës për qytetarët që kanë nevojë për të. Për këtë ka reaguar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili i ka bërë thirrje që të sigurohet sasia e duhur për këtë kategori. “Mbi 28 mijë qytetarë të Kosovës, prej tyre mbi 700 fëmijë, janë të regjistruar si marrës të insulinës. Që nga vitet e para të pasluftës, Ministria e Shëndetësisë ka siguruar sasinë e duhur, me ndërprerje të vogla. E drejta e pacientit me diabet është e garantuar me ligj. Donacionet nga jashtë edhe pse të mirëseardhura, nuk janë zgjidhje e problemit. Ka tre muaj, që diabetikët nuk e kanë ndjerë dorën e shtetit. Insulinat mungojnë plotësisht. Çfarë shoqërie duam të ndërtojmë? Shoqëri ku të sëmurët kronik lejohet të vdesin nga pakujdesia? Urgjentisht, Ministria e Shëndetësisë duhet të sigurojë sasinë e duhur të insulinës dhe të ketë strategji të qartë që mos të ketë ndërprerje të këtilla. Ky është edhe vet qëllimi i pushtetit: të kujdeset për qytetarët”, ka shkruar ai.
