Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në memorialin e masakrës së Krushës së Madhe dhe të Vogël, duke nderuar të rënët në këtë tragjedi të rëndë që shënoi fundin e marsit 1999. Haradinaj ka ndarë dhimbjen me familjarët e viktimave, duke theksuar se dhimbja e humbjes nuk shteret me kalimin e kohës, por mbetet e gjallë në kujtesën kolektive të popullit shqiptar. Ai ka kujtuar masakrën e tmerrshme që ndodhi në Krushë, ku forcat serbe ekzekutuan mizorisht 350 civilë të pafajshëm, duke përfshirë gra, pleq, fëmijë dhe të rinj. Ai ka nderuar edhe familjen Berisha nga Suhareka, ku 49 anëtarë të familjes u vranë barbarisht, duke tronditur ndërgjegjen njerëzore. Po ashtu, Haradinaj ka përmendur dhe viktimat e Landovicës së Prizrenit, ku 23 vëllezër dhe motra u ekzekutuan nga forcat serbe vetëm për shkak të etnisë së tyre shqiptare.
