Përderisa disa vende të Evropës kanë shtrënguar masat kundër virusit korona shkaku i variantit të ri të quajtur “omikron”, në Kosovë po kërkohet lirimi i këtyre masave, pasi vendi ka kaluar me sukses pandeminë. Një kërkesë të tillë ia ka drejtuar Qeverisë. kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai ka bërë me dije se ndalim-qarkullimi është masa kundër diasporës në vend. “Të dashur motra e vëllezër që jetoni jashtë vendit, rrugët tuaja drejt vendlindjes nuk u ndalën asnjëherë, as dikur në rrethana okupimi e as sot në liri. Ju u jepni kuptim festave të fundvitit, të cilat do të ishin të zbehta pa ju dhe kjo jo vetëm për faktin që familjet çmallen me ju, por edhe gjallërimi që i bëni ekonomisë së shtetit tonë të përbashkët, vendlindjes suaj, ka thënë mes tjerash Ramush Haradinaj. Edhe drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka thënë se ora policore do të jetë vetëm pengesë për qytetarët gjatë festave të fundvitit. “Asociacioni i Komunave të Kosovës së bashku me drejtorët komunalë i kanë përkrahur dhe do t’i përkrahin të gjitha masat që kanë dhënë rezultat dhe japin rezultat sa i përket parandalimit të përhapjes së Covid-19, por kemi edhe argumente shkencore që ora policore nuk e lufton pandeminë”, ka thënë Ibrahimi.
