Ramush Haradinaj pas luftës ka thënë se UÇK-ja në Dukagjin kishte 4000 deri 6000 ushtarë

Ramush Haradinaj pas luftës ka thënë se UÇK-ja në Dukagjin kishte 4000 deri 6000 ushtarë

Në librin,  “Rrëfimi për luftën dhe lirinë – Dialog me komandantin Ramush Haradinaj”, të cilin ia kishte besuar për ta shkruar dhe për ta botuar gazetarit, Bardh Hamzaj, Komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, kishte folur  që prej inkuadrimit të tij në UÇK në vitet e 90-a e deri te çlirimi i Kosovës.

Në librin e botuar përnjëherë pas luftës para  19 viteve, Ramush  Hardinaj thotë se pas shtatorit të  vitit 1998, në Dukagjin u krijuan tetë njësi operative të lidhura ngushtë. Në një periudhë kohore, do ta quaja pesëmuajshe, numri i ushtarëve arriti në 4.000 veta. Numri maksimal i ushtarëve që përmend se ka pasur është 6,000. Këtë e përmend kur Tahir Zemaj i kishte kërkuar që ta vendosë shtabin e tij në rajon. Por, ishte edhe një periudhë tjetër në vitin 1998, kur Komandanti kishte mbetur me vetëm 50 ushtarë. Këtë e shpjegon te nëntitulli “Kurrë nuk kam besuar se mund të ndodhë ikja e organizuar e ushtrisë”.

 “Pas një gjysmë ore gjumë, te shtëpia ku po pushonim kanë ardhur Alush Agushi dhe Lahi Brahimaj dhe kanë kërkuar që të zgjohem, duke më thënë se jemi tradhtuar. Ushtria ka ikur. Jemi të rrethuar”. Duke e parë se është fjala për diçka të jashtëzakonshme, jam çuar dhe më kanë shpjeguar se komplet ushtria prej 2000-3000 vetash ka ikur bjeshkës së Strellcit një ditë më parë dhe se forcat serbe kanë hyrë deri në Isniq, deri në Kryshec dhe madje deri në Lumbardh nga ana e epërme, pra në fshatin ku isha unë”. (fq 100)

Dhe, për t’i bërë ballë rrethimit, Haradinaj kishte mbetur me vetëm 50 ushtarë.

“Kemi depërtuar në drejtim të Jabllanicës nëpër Bistricë, nëpër ujë herë-herë deri në bel e herë më lart. Rrethimi ka qenë shumë i fuqishëm. Distanca mes nesh dhe tyre në tërheqje ka qenë 50 deri 100 metra. Me ne ishte, Sokol Dobruna me vëllanë, pastaj Deli Haxhosaj, babai im, që ishin të shtyrë në moshë, Shaban Lajçi, djem të rinj 13 dhe 14 vjeç, disa vajza luftëtare dhe luftëtarë të lënduar. Të gjithë këta normalisht pa veprime ushtarake, kemi mbërritur në Jabllanicë. Kur i kam rreshtuar në Jabllanicë kemi qenë gjithsej 75 veta. Prej tyre që mund të konsideroheshin ushtarë, ishin 50. Të tjerët ishin shoqërues”, kujtonte Haradinaj.

Tani Haradinaj thotë se në Dukagjin ka pasur më shumë se 15.000 luftëtarë dhe të gjithë kanë marrë statusin e veteranit, kuptohet në mesin e tyre edhe të gjithë ata që kishin dezertuar së bashku me Tahir Zemajn dhe e kishin lënë vetëm me 75 ushtarë të UÇK-së.

Kontrolloni gjithashtu

Limaj: Vlerat më sublime të lirisë së vendit po përbuzen, duhen sa më shumë ish-luftëtarë në Parlament

Nisma Socialdemokratike ka paraqitur sot programit dhe kandidatët e saj për deputetë, për zgjedhjet e …