Lideri i AAK-së dhe ish-komandanti i UÇK-së në Dukagjin, Ramush Haradinaj, ka theksuar sot në Koshare rëndësinë e ruajtjes së aleancave ndërkombëtare, për të mos lejuar përsëritjen e ngjarjeve të kaluara. Gjatë fjalës së tij në këtë ditë, kur nisi Beteja e Koshares, Haradinaj ka përkujtuar thyerjen e mitit të “Jugosllavisë së pathyeshme” dhe krijimin e unitetit mes shqiptarëve përmes largimit të kufirit shqiptaro-shqiptar. Ai theksoi se sakrifica e dëshmorëve dhe luftëtarëve në këtë betejë duhet të mbetet e paharruar, dhe se historia e Kosovës është e lidhur ngushtë me këtë moment. Haradinaj bëri thirrje për forcimin e aleancave të Kosovës, duke theksuar se vetëm nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar mund të sigurohet paqja dhe stabiliteti për të ardhmen. “Ruajmë aleancat, sepse vetëm kështu mund të sigurojmë që historia të mos na përsëritet,” theksoi Haradinaj.
