Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola Von Cramon e ka vizituar veriun e vendit tonë dhe nga Zveçani tha se kjo gjendje është e frikshme, derisa dikush po i tregonte se çfarë ndodhi të premten. Në afërsi të objektit të komunës, Von Cramon tha se është një situatë e vështirë, ndërsa më pas bisedoi me disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Njëri prej policëve, i tha se ne kemi ardhur me e mbrojtur kryetarin kur të zgjedhet. Von Cramon më pas tha se nuk është faji i policëve, sepse ata vetëm po i zbatojnë urdhrat. Nuk ju fajësoj, mos më keqkuptoni. Nuk ju takon juve të vendosni se ku do të punoni. Pyetjet e mia do t’i bëj në Prishtinë, tha e nervozuar, Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola Von Cramon.