Razim Daut Hasaj (13.7.1967 – 4.4.1999)

Razim Daut Hasaj (13.7.1967 – 4.4.1999)

Fshati Gabrricë i Kaçanikut, luftës për çlirimin e vendit nga okupatori serb, ia ka dhënë dëshmorët: Xheladin Kurtaj, Hetem Hasaj, Danush Kurtaj dhe Razim Hasaj.
Razim Hasaj u lind më 13 korrik të vitit 1967. Prindërit e tij ishin Dauti e Sadija. Për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike të familjes, Razimi qysh në moshë të re u bë krah i fortë i punës në familje. Shkollën fillore e mbaroi në fshatin Elezaj dhe në Doganaj. Shkollimin e mesëm e vazhdoi në Kaçanik. Në vitet tetëdhjeta të shekullit të kaluar, ai inkuadrohet në Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës dhe gjatë viteve 90-të ishte mjaft aktiv në ngjarjet e zhvilluara kundër shtypjes serbe. Për shkak të aktivitetit të tij kombëtar, në nëntor të vitit 1989 u dënua nga pushtuesi serb me 60 ditë burg, të cilin e vuajti në burgun e Dubravës. Edhe babai i Razimit, Dauti, gjatë viteve 90 ishte objekt maltretimi fizik nga pushtuesi serb, me pretekst të kërkimit të armëve.
Pas shpërtihimit të luftës në Drenicë dhe përhapjes së saj edhe në pjesën tjetër të Kosovës, edhe Kaçaniku me rrethinë, organizoi luftën çlirimtare dhe u bënë krah i UÇK-së. Bashkëluftarë të tij ishin: Xheladin Kurtaj, Danush Kurtaj, Afrim Kurtaj, Raif Kurtaj, Hajrush Kurtaj, Razim Kurtaj, Naser Hasaj, Nazmi Hasaj, Islam Hasaj, Azem Hasaj, Hetem Hasaj, Hajredin Hasaj, Minir Hasaj, Shefket Hasaj, Skënder Hasaj, Elmaz Hasaj, Bejtush Hasaj, Bashkim Hasaj, Musa Zenuni, Muhamet Zenuni, Selim Zenuni, Enver Isaj, Hajrush Saliu, Hajdin Saliu, Vllaznim Zenuni, Zaim Saliu.
Razimi, për herë të parë ishte vendosur në pikën e luftës në Gabrricë, më 10 gusht 1998, si roje në pikën e vëzhgimit. Ai, bashkë me të vëllain, Nazmiun, me Hajredin Hasajn dhe Azem Hasajn, nën shoqërimin e Xheladin Kurtajt, në gusht të vitit 1998 udhëton në Shqipërinë administrative me qëllim të sjelljes së armatimit për nevojat e frontit në zonën e Jezercit. Në betejën e 28 shtatorit të vitit 1998, në Jezerc ishte plagosur edhe i vëllai i Razimit, Islami.
Razim Hasaj ishte pjesëmarrës në betejat më 10 gusht 1998 në Gabrricë, më 28 shkurt 1999 në Gajre, më 8 mars 1999 në Ivajë. Më 4 prill 1999, bie heroikisht në magjistralen Prishtinë – Shkup, afër fshatit Stagovë, gjatë kryerjes së misionit të korrierit dhe shoqërimit të një konvoji furnizimi. Forcat serbe arrijnë ta marrin trupin e Razimit dhe e varrosin në një varrezë masive në Kashan të Kaçanikut. Pas zbulimit të trupit të tij, më 14 dhjetor 1999 u rivarros në varrezat e fshatit Gabrricë.
Razim Hasaj ka qenë i martuar me Makfire Mulakun nga fshati Gajre i Kaçanikut dhe ka lënë djalin Arbnorin, i lindur më 1 mars 1999. Razimi ka lënë edhe nënën, vëllezrit: Nazmiun, Islamin e Lutfiun, si dhe motrat Hanushen, Latifen dhe Elfinë.
Emri i dëshmorit Razim Hasaj është skalitur në përmendoren e dëshmorëve të UÇK-së në Marinë të Skënderajt. (H. K.).

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …