Organizatat studentore të cilat veprojnë në kuadër të Universitetit Publik të Prizrenit “Ukshin Hoti” kanë parë si të arsyeshme të reagojnë pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me kushtetutshmërinë e marrëveshjes për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese është argumentuar se marrëveshja e 25 gushtit e nënshkruar nga Isa Mustafa dhe Aleksandër Vuçiq në Bruksel është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe frymën e saj.
Isa Mustafa në një emision televiziv pati deklaruar se nëse Gjykata Kushtetuese gjen fakte se marrëveshja është kundër ligjeve të Kosovës, atëherë ajo nuk do të zbatohet, por edhe nëse del se e gjithë marrëveshja është antikushtetuese ne atëherë nuk do ta zbatojmë atë pasi sipas tij, ashtu thuhet edhe në marrëveshje..
Gjykata kushtetuese doli me këtë vendim si më poshtë,
‘Gjykata konkludoi se është Marrëveshja e Parë, e ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 27 qershor 2013 dhe e shpallur nga Presidentja e Republikës së Kosovës, ajo e cila parasheh themelimin e Asociacionit/Bashkësisë të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Parimet janë një dokument i ndërmjetëm, në bazë të të cilit akti ligjor i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti do të elaborohen në zbatimin e tyre.
Gjykata ka vendosur se këto Parime nuk janë tërësisht në përputhje me standardet kushtetuese përkatëse dhe ka konkluduar se akti ligjor i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti duhet të jenë në përputhje veçanërisht me nenet 3, 7 dhe 12 të Kapitullit II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore], me nenet 21 dhe 44 të Kapitullit III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre], me nenet 57, 59, 60, 61 dhe 62, si dhe me nenet 79, 81, 93, 101, 113, 123, 124 dhe 137 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës siç është arsyetuar në Aktgjykim.
Gjykata nënvizon se është përgjegjësi kushtetuese e autoriteteve përkatëse që të përfshijnë këto konkluzione në aktet ligjore që do të pasojnë’.
Ne mendojmë se, me këtë vendim Gjykata ka konstatuar se marrëveshja për Asociacionin është kundër frymës së Kushetetutës dhe kundër parimeve të saj. “Gjykata nuk tregon se cila shkronjë e Kushtetutës është shkelur, por thotë se kjo marrëveshje është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës”, prandaj kërkojmë nga kryeministri që këtë marrveshje ta anuloj dhe të mos e zbatoj.
Ne si studentë nuk e përkrahim dhe e kundërshtojmë fuqishëm cdo vendim i cili është në kundërshtim me kushtetutën e Republikës së Kosovës, pa marr parasysh se kush e nënshkruan atë, për ne si studentë është e papranueshme që një gjë e tillë të ndodhë sepse po cënohet integriteti dhe sovraniteti i vendit.
Andaj ne kerkojmë nga të gjithë akterët që të merren më seriozisht dhe të mos shkelin vendimet të cilat prodhojnë efekte negative për shtetin dhe shkelin sovranitetin e tij.
Përfaqësuesit e organizatave studentore: Besart Duraku – Kryetar i (USUH) – Prizren Jeton Berisha – Kryetar i (USPE) – Prizren Erzen Musliu – Kryetar i (USSH) – Prizren