Reagim i Sekretarit të Ministrisë së Bujqësisë, Kapllan Halimi ndaj shkrimit të Kohës Ditore “Zv.ministri Krasniqi raporton në Polici se është kërcënuar nga sekretari Halimi”

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Kapllan Halimi reagon ndaj shkrimit të gazetës “Koha Ditore”, me titullin  “Zv.ministri Krasniqi raporton në Polici se është kërcënuar nga sekretari Halimi”, të botuar sot, datë 15 maj 2019, në të cilin shkrimi ka pasaktësi dhe të pavërteta, duke keqinformuar kështu publikun e gjerë me akuza ndaj sekretarit.

Me qëllim të informimit të drejtë të qytetarëve dhe opinionit, Sekretari i MBPZHR-së sqaron se gjatë takimit për të cilin në shkrim thuhet se në diskutim e sipër për programin e veçantë të ministrisë, sekretari Halimi e ka kërcënuar zëvendësministrin Vesel Krasniqi, aty nuk është diskutuar fare për programin e veçantë të MBPZHR-së, por aty është diskutuar për punën e përditshme të ministrisë, duke përfshirë projektet që janë në realizim të zhvillimit rural. “Po ashtu duhet të ritheksoj se program i ngjashëm si ai për të cilin akuzon z.Krasniqi, tashmë është iniciuar edhe nga ministrja e re, Dijana Zhiviç”, thotë sekretari Halimi.

Sekretari thekson se Programet për Zhvillim Rural dhe Programet për Pagesa Direkte-subvencione, hartohen duke u bazuar në Ligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 03/L-098, si dhe Plotësim Ndryshimit të Ligjit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 04/L-090 dhe udhëzimeve administrative, në të cilat nuk mund të ndryshojë asgjë sekretari Halimi.

Më tej, sekretari potencon se në asnjë rast ai nuk ka ndërhyrë në procedurat e përzgjedhjes së fermerëve përfitues, për të cilën gjë po akuzon zëvendësministri Krasniqi në deklaratat e tij herë pas here në Kohën Ditore. Por, Halimi potencon se në procedurat e përzgjedhjes së përfituesve, është zëvendësministri Vesel Krasniqi ai, i cili disa herë ka tentuar të ndërhyjë, të cilën gjë e dëshmojnë edhe disa shkrime dhe emisione në mediat vendore. “Potencoj që zëvendësministri Krasniqi rregullisht ka tentuar të bëjë shantazh me presion publik duke tentuar në këtë mënyrë të kontrolloj gjithçka, ku edhe artikulli  i kallxo.com me titullin “Ilir Limaj, bujku që merr subvencione qumështi pa asnjë lopë” e vërteton këtë që po e them. Në këtë shkrim më tej thuhet se zëvendësministri i ka premtuar grant fermerit, duke i thënë që gjithçka është e kryer, e po të njëjtat gjëra zëvendësministri m’i ka dërguar me sms, duke më bërë presion politik për fermerin në fjalë”, thotë Halimi.

Krahas këtij shkrimi, sekretari potencon se edhe në emisionin “Bujku”, në RTK-së, të datës 14 prill 2019, zëvendësministri Krasniqi është ai që bën nxitjen e fermerëve mashtrues, të cilët bëjnë dallavere për të përfituar nga grantet e ministrisë. “Edhe në këtë emision, zëvendësministri Krasniqi, i nxit fermerët për të përfituar grante, pavarësisht se të njëjtit bëjnë dallavere duke i dhënë delet e tyre fermerëve tjerë, për të përfituar kundërligjshëm nga ministria”, thekson Halimi.

Si Sekretar i Përgjithshëm i MBPZHR-së, që nga fillimi i mandatit tim e deri më tani, mbetem i përkushtuar vazhdimisht për rritjen e transparencës me qëllim të informimit të publikut dhe si sekretar i ministrisë i bëj thirrje Kohës Ditore dhe gazetarit Besnik Krasniqi që mos t’i ndihmojnë dhe japin  hapësirë shantazheve karshi një  nëpunësi civil, e krahas kësaj edhe zëvendësministrit Vesel Krasniqi, i bëj thirrje që të ndalë shantazhet ndaj meje.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …