Me datë 22 08 2016, në portalin telegrafi, rastësisht lexova shkrimin tendencioz e diskualifikues me titull: “Në atlaset e Murat Mehës, kufiri është deri në Çakorr”. Duke përcjellë mediat e shkruara dhe elektronike shpesh herë të krijohet përshtypja se gjithçka mund të kontestohet bile edhe ajo që është reale, e prekshme dhe e pakontestueshme. Që në fillim, dua të sqaroj se Atlasi gjeografik shkollor, i vitit 2012 i botuar nga Libri shkollor, autor i të cilit jam unë, është vazhdimësi dhe azhurnim i atlaseve paraprake. Ky atlas gjeografik është shumë i përpiktë dhe i sakët, dhe nuk ka asnjë devijim të kufirit të Kosovës nga vija e paraqitur në hartën turistike, faqe 50. Këtu vija e kufirit me Malin e Zi shihet se është pikërisht sikur ka qenë vija administrative e Kosovës. Rrethi i kuq në hartë tregon Qafën e Çakorrit. Në shkrim thuhet se “Telegrafi ka siguruar disa pjesë nga ky atlas përmes të cilit ilustrohet qartë se deri ku është ’mexha’ e Kosovës, sipas profesorit universitar Murat Meha”. Në këtë rast, Telegrafi me apo pa qellim, apo nga mungesa e njohurisë për leximin e hartës e ka keqinterpretuar hartën e Kosovës. Jam i bindur se nxënësit që e mësojnë gjeografinë e lexojnë qartë këtë hartë, dhe shihet që Qafa e Çakorrit është lartë të kthesat e rrugës, jashtë territorit të Kosovës ashtu si shihet rrethi i kuq në hartën në vijim.
Disa nga kundërshtarët e shënimit të vijës kufitare Kosovë-Mal i Zi, në mungesë të argumenteve relevante për kufirin, kanë filluar hulumtimin dhe interpretimin e hartave dhe atlaseve nga autorësia ime. Ndaj, për kënaqësinë time profesionale por edhe të atyre që hulumtojnë, dëshiroj të iu informoj se përveç punimeve të shumta profesionale e shkencore kam përpiluar dhe botuar shumë harta dhe atlase gjeografike. Sigurisht që këtu nuk ka hapësirë të i prezantoj të gjitha botimet e Atlaseve dhe hartave, por disa në forme kronologjike janë në vijim e mund t’i gjeni dhe t’i analizoni. Të gjitha këto botime, besoj se disa prej tyre i gjeni edhe në vitrinat e shtëpive tuaja, që janë të paraqitura në vijim, janë me kufirin e Kosovës korrekt, zyrtar i cili është edhe në Komunën e Pejës. Do të iu falënderoj për komentet dhe publicitetin qe ua keni dhënë këtyre publikimeve hartografike dhe së shpejti do të ribotohen në tirazh të madh.