Instituti i Historisë në Prishtinë është duke ndjekur me vëmendje e shqetësim debatin e fundit në Kosovë, të manifestuar përmes emisioneve të veçanta në televizionet nacionale dhe shtypin ditor, mbi Luftën në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 (Frontin e Koshares dhe Operacionin “Shigjeta”).
Njoftojmë opinionin se punonjësit shkencorë të Institutit të Historisë janë të angazhuar në kuadër të makroprojektit “Historia e Kosovës”, i cili do t’i kushtojë vëllim e kapituj të konsiderueshëm Luftës në Kosovë (1998-1999), brenda saj edhe Frontit të Koshares e Operacionit “Shigjeta”.
Instituti i Historisë vlerëson se kompetencat profesionale të trajtimit shkencor të kësaj problematike, i takojnë punonjësve përgjegjës të tij, që vazhdimisht hulumtojnë dhe realizojnë kërkime në institucione arkivore brenda e jashtë Kosovës. Në këtë kontekst, në kuadër të makroprojektit “Historia e Kosovës”, është grumbulluar dokumentacion i rëndësishëm (në gjuhën shqipe dhe të huaj), por i pamjaftueshëm për të trajtuar më gjerësisht e më thellësisht aspekte të veçanta të Frontit të Koshares e Operacionit “Shigjeta”.
Ne lusim dhe kërkojmë nga të gjithë drejtuesit kompetentë, ushtarakët dhe secilin individ që ka qenë i angazhuar në këtë front e operacion lufte, t’i ofrojë Institutit të Historisë dokumentacionin kryesor dhe relevant, për ta ndihmuar atë në ndriçimin e të vërtetës historike mbi Frontin e Koshares dhe Operacionin “Shigjeta”. Veç kësaj, kërkojmë prej tyre të mblidhen në forume përkatëse, institucione e organizata që përfaqësojnë vlerat e UÇK-së, të organizojnë debate të brendshme dhe të materializojnë e unifikojnë qëndrimet mbi personalitetet, dukuritë dhe ngjarjet që kanë karakterizuar Frontin e Koshares dhe Operacionin “Shigjeta”. Jemi të bindur se versioni zyrtar, në formë dokumentare e memorialistike, e ndihmon ndriçimin dhe trajtimin profesional të kësaj problematike.
Prandaj, konsiderojmë se fokusi i debateve publike, që në thelb përmbajnë divergjenca të panevojshme mbi rolet, funksionet dhe përgjegjësitë komanduese e logjistike, është dekonstruktiv dhe minimizon e parcializon vlerat e përgjithshme kombëtare mbi luftën shekullore të shqiptarëve për çlirimin e Kosovës, e në veçanti vlerat kombëtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Prishtinë, 27.04.2019
Prof. asoc. dr. Sabit SYLA, Drejtor