Të nderuara familje të dëshmorëve, Invalid dhe Veteran të UÇK-së.
Goditjet e rënda që morëm ditëve të fundit nga Prokuroria Speciale e Dhomave të Specializuara, i kemi përcjellë me shumë shqetësim, zhvillime këto neveritëse për çdo kënd që ndjehet shqiptar.
Dhomat e Specializuara në Hagë janë vënë në gjah të krerëve të UÇK-së, duke ngritë aktakuza të shpifura, të pa bazuara në fakte, por, bazuar në trillime të Serbisë agresore në Kosovë, fatkeqësisht ndihmuar edhe nga të ashtuquajtur ‘’shqiptar’’, të cilët nga urrejtja patologjike ndaj UÇK-së, të shtyrë krejtësisht për çështje të ulta janë vënë në shërbim të shpifjeve, trillimeve të kuzhinave në Beograd, kundër shtetit tonë, sakrificës tonë, dinjitetit tonë si popull e si shtet, që sakrifikuam shumë deri tek shtetësia dhe ndërtimi i shtetit tonë.
Lirinë dhe shtetin e kemi fituar falë qëndresës dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndihmuar nga aleatet tonë perëndimor. Por, fatkeqësisht beteja për shtetin dhe historinë tonë ende nuk ka përfunduar. Në këtë betejë të re na takon të gjithëve që ta mbrojmë historinë dhe ta forcojmë të ardhmen. Populli i Kosovës me krenari do të tregojë që liria ka emër dhe se UÇK është emri i saj.
Ne u bëjmë thirrje të gjithëve pa përjashtim, veteranëve dhe të gjithë kolegëve tanë, Institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, që të sillemi mirë dhe dinjitetshëm, që të kryejmë secili punën dhe obligimin tonë.
Ne edhe në këto kohë çoroditëse dhe nëpërkembëse që po kalojmë do të dimë të reagojmë dinjitetshëm, sepse askush nuk mund të na e shuajë dashurinë për këtë vend, dëshirën e angazhimin tonë për të pasur një shtet të fortë e të vendosur dhe jo një shtet servil dhe një pushtet që sillet si fantazmë konform zhvillimeve.
OVL UÇK-së, Dega në Fushë Kosovë vlerëson se është koha që të reflektojmë të gjithë, Institucione, media, organizata tjera për të kundërshtuar me argumente dhe mbrojtur vlerat tona si komb, vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, këtë ua kemi borxh gjeneratave të reja, atyre që do rritën në këtë shtet.
Me respekt,
Kryesia e OVL UÇK-së, dega Fushë Kosovë
11.11.2020
Fushë Kosovë