Redaksia “Dëshmorët e UÇK-së” - Feniksët e lirisë - 19

Redaksia “Dëshmorët e UÇK-së” – Feniksët e lirisë – 19

Parathënie

Redaksia “Dëshmorët e UÇK-së” është themeluar në vitin 2001, në selinë e Radios-Kosova e Lirë, në Prishtinë, dhe që nga ajo kohë kishte marrë përsipër të shkruante dhe ta botonte, monografinë, “FENIKSËT E LIRISË”, ku do të përfshiheshin jetëshkrimet e dëshmorëve të UÇK-së, UÇPMB-së dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, me qëllim të zbardhjes së jetës së dëshmorëve dhe dëshmoreve të lirisë.
Prej asaj kohe, kur ishte botuar libri i parë me emrat dhe mbiemrat e dëshmorëve dhe deri tani në vitin 2024, Redaksia ka arritur të botojë 19 vëllime, por ende nuk ka arritur ta kryejë misionin e vet, pasi në rrjedhën e moteve u ballafaqua me mungesë financimi nga institucionet e vendit, edhe pse vendimin për themelimin e Redaksisë e kishin pranuar dhe e kishin nënshkruar krerët e UÇK-së nga Shtabi i Përgjithshëm, shtatë komandantët e Zonave Operative gjatë luftës dhe përfaqësuesit e tri shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së: SHFD-SHIL dhe SHVL.
Me rastin e themelimit, Simboli i Lëvizjes kombëtare, Adem Demaçi i cili ishte zgjedhur edhe Redaktor Nderi i Redaksisë, bashkë me Rifat Jasharin, veprimtarin dhe vëllanë e komandantit legjendar Adem Jashari, kishte propozuar që në rast se institucionet nuk e marrin përsipër financimin, libri të shitej dhe nga paratë e grumbulluara të botohej numri vijues.
Nga viti në vit, duke filluar në vitin 2001, me përpjekje të jashtëzakonshme për ta zbardhur luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me fakte e argumente, me gjurmimin e të dhënave autentike për jetën dhe veprën e dëshmorëve të kombit, nga bashkëluftëtarët dhe familjarët e tyre, nga burime e të dhëna të tjera, Redaksia Dëshmorët e UÇK-së, nxori në dritë edhe vëllimin më të ri të projektit, me botimin e radhës së librit, “FENIKSËT E LIRISË 19”.
Ky është vëllimi i tretë i projektit që financohet nga donatorët: z. Bedri Kosumi – Vipa Chips – 2 mijë euro, Nasri Bajqinca – 500 euro, Dukagjin Shamolli – 200 euro dhe Misin Zekolli – 200 euro. Vëllimin e numrit 4 të kësaj monografie e ka financuar Ministri i Kulturës, Behxhet Brajshori, në vitin 2004. Të gjitha vëllimet e tjera janë botuar nga shitjet e librave, kryesisht nëpër institucione të vendit. Asnjëherë shitja e ekzemplarëve të një libri, nuk ka mjaftuar për ta botuar librin vijues. Mjetet e munguara janë plotësuar nga Fondi i Radios-Kosova e Lirë, ose heqja dorë e kompensimit material të redaktorëve të librit.
Disa nga ministritë e komunat e Kosovës kanë blerë nga një sasi librash, dhe kështu kemi arritur të mos e ndërpresim punën. Vonesa në realizimin e obligimeve nga ministritë e veçmas nga komunat, ka bërë që projekti të mos realizohet me dinamikën e paraparë.
Daljen në dritë të këtij vëllimi e kanë mundësuar donatorë: Vipa Chips, z. Bedri Kosumi, Nasri Bajqinca, Dukagjin Shamolli dhe Misin Zekolli.
Po ashtu gjatë viteve, Redaksia është ballafaquar edhe me probleme të shumta e veçmas me ndërrimin jetë të pesë anëtarëve e redaktorëve dhe me dorëheqjen e disa të tjerëve. Në vitin 2013 ka ndërruar jetë profesor, doktor, Zenun Gjocaj, bashkëpunëtor për Zonën e Dukagjinit, pastaj bashkëpunëtori i Zonës së Llapit, Milazim Kadriu, anëtari i nderit të Redaksisë, Adem Demaçi, bashkëpunëtorja e Zonës së Dukagjinit Fetnete Ramosaj dhe në vitin 2023, u nda nga jeta, profesor doktor, Sabahajdin Cena, bashkëpunëtor dhe redaktor për Zonën e Pashtrikut.
Përpjekjet për realizimin e këtij projekti nuk do të ndalen, pasi tashmë pas 23 viteve, ka arritur të rritet, të arsimohet gjenerata e bijve dhe bijave të dëshmorëve të UÇK-së edhe ata janë bërë krahu kryesor i mbështetjes së pjesës ende të pakryer të projektit. Në shtjellimet e biografive të dëshmorëve, veç tjerash ata kanë pikënisje të punës Pyetësorin e Redaksisë, të cilit i përmbahen për evidentimin e të dhënave, të cilat pastaj i plotësojnë dhe ia dërgojnë Redaksisë për redaktim dhe botim
Jo rastësisht, në fillim librin e kishim emërtuar me emrin e feniksit, zogut që “rilind” nga hiri i vet. Tani janë pikërisht disa nga këta “feniksë”, të cilët vullnetarisht po bëhen pjesë në përmbarimin e këtij projekti. Të tilla janë ligjet e jetës, ato kurrë nuk gabojnë dhe vënë gjithçka në vendin e vet. Përshëndesim me këtë rast të gjithë bijat e bijtë e dëshmorëve dhe më të afërmit e tyre, që kanë dhënë një kontribut në daljen në dritë të këtij vëllimi. Me qëllim që ky projekt të realizohet sa më parë, tani e tutje do të kërkojmë bashkëpunim të përhershëm me familjarët e dëshmorëve, biografitë e të cilëve ende nuk kemi arritur t’i prezantojmë në vëllimet e kësaj monografie.
Në vëllimin FENIKSËT E LIRISË-19 janë përfshirë biografitë të 80 dëshmorëve e dëshmoreve të UÇK-së dhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Autorë të shkrimeve të kësaj monografie me të dhëna të plotësuara biografike, të hartuara nga familjarët e dëshmorëve bijë, bija, motra e vëllezër janë : Hazir Jashari, Habib Jashari, Bekim Hamëz Jashari, Hatixhe Qerim Jashari, Xhavit Jashari dhe Menderes Jashari, Ajet Jashari, Sahit Jashari, Vlorë Sahit Jashari, Ajet Ukshini dhe Hysen Ukshini, Sabit Lladrovci, Kismete Malaj, Arbër Shehu, Bashkim Selmanaj, Gazmend Xhemshiri, Qëndrim Shahin Baftiu, Afrim Hysenaj, Zekirja Zenuni, Valbonë Muharrem Morina, Ramiz Karaqica, Shukrije Gashi, Shpëtim Qorraj, Çlirim Behluli, etj.
Po ashtu kanë bashkëpunuar edhe disa veprimtarë e shkrimtarë, të cilët i kanë dërguar disa nga biografitë e dëshmorëve, që ende nuk i ka realizuar Redaksia Dëshmorët e UÇK-së: Rexhep Morina, Sadik Halitjaha, Nexhmi Lajçi, Qerim Rexhaj, etj.
E veçanta e këtij vëllimi është kompletimi i biografive të të rënëve në Prekaz të Ulët, më 5.6 dhe 7 mars të vitit 1998. Me botimin edhe të 21 biografive të Jasharëve, kemi përfunduar biografitë për 57 Jasharët e rënë në Altarin e Lirisë. Tani për tani ka mbetur rreth një e treta e biografive të pa botuara, të dëshmorëve të UÇK-së, UÇPMB-së dhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Po kështu, si zakonisht nga numri dy i kësaj monografie, ka hartuar edhe shtatë shkime anëtari i mbetur i Redaksisë, luftëtari i lirisë, vëllai i dy dëshmorëve, eprori i UÇK-TMK-FSK-së, Hajrush Kurtaj.
Shkrimet e tjera i ka hartuar kryeredaktoi i monografisë, Ahmet Qeriqi, edhe pse në gjendje të rënduar shëndetësore. Një ndihmesë të veçantë në daljen në dritë të kësaj mongrafie e kanë edhe redaktorja, Arbanë Qeriqi-Gashi dhe Zamir Qeriqi, faqosës e realizues teknik i tërë projektit.
Redaksia ka reaguar në vazhdimësi dhe reagon edhe kësaj radhe kundër përvetësimit të shkrimeve të këtyre vëllimeve të monografive nga shkrues të papërgjegjshëm dhe shitjes së librave të tyre për qëllime përfitimi.
Redaksia ka zbuluar se (A.M – M.Z. – E.S, B.G) e të tjerë të cilët përvetësojnë shkrimet, shërbe hen me të dhënat tona në terren dhe nuk citojnë asnjë burim relevant, duke shkelur të drejtën e autorit, në këtë rast të drejtën e Redaksisë, Dëshmorët e UÇK-së, projektin e së cilës e kanë lejuar dhe e kanë nënshkruar krerët e luftës, komandantët e shtatë zonave operative gjatë luftës dhe krerët e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së. Dokumenti i nënshkrimit ndodhet në pjesën e fundit të librit.

Redaksia

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …