Refki Jashari: Na fal shteti ynë, ti s’ke faj edhe pse ne s’kemi gabuar!

“Të vrasësh një njeri të pafajshëm, thonë: “Krim që s’falet, dënojeni!”, ndërsa të vrasësh një popull të pafajshëm në shtëpinë e tij, thonë: “Ky është problem, për këtë duhet negociuar”!”

Neve shqiptarëve të Kosovës na ka përcjellë aspirata për liri, sovranitet e shtetësi dhe edhe përkundër ndërhyrjes e represionit propagandistik, sistematik e shtetëror serb, kemi përjetuar situata dhe kohë kur kanë vlejtur parimet dhe standardet e dyfishta.

Në kontekst të Kosovës, testi kryesor ka qenë intervenimi i NATO-s në vitin 1999 dhe për këtë ne i jemi mirënjohës ndihmës së Amerikës e Perëndimit.

Dimensioni i strategjisë ndaj problemit shqiptaro-serb buron nga faktori media, nga qarqet politike, nga publiku, por edhe nga vetë këndvështrimi ndërkombëtar.

Në një kohë kur padrejtësitë nga dhuna dhe terrori serb shtoheshin, krijohej pashmangshmërisht nevoja për rezistencë, jo vetëm politike e intelektuale, por edhe fizike-luftarake dhe kjo u bë përmes krijimit të UÇK-së – Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Entuziazmi dhe shpresa nga populli viktimë e i përvuajtur shqiptar nuk mungonte dhe kjo shihej vetëm tek UÇK-ja, si mënyra e vetme e rezistencës dhe kjo bëri që edhe populli ta pranojë si të pashmangshme rezistencën me luftë përmes ushtrisë së krijuar.

Sensibilizimi i publikut se viktima dhe krimineli nuk barazohen, është çështje që kërkon një trajtim serioz. Për t’iu qasur drejt kësaj duhet të shkëputemi nga vetëdija neo-koloniale dhe folkloriste. Vërtetë kishte një ideal, kishte një pafajësi, kishte një rezistencë, por etiketimet dhe gjykimet nga qarqe të ndryshme për UÇK-në, për organizimin e saj, për udhëheqjen e saj, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të paargumentuara dhe tendencioze edhe përkundër raporteve ndërkombëtare.

Periudha e viteve të luftës së fundit ishte kulminacioni i brutalitetit shtetëror e ushtarak serb. Këtë e dëshmojnë edhe dy librat e botuara të ASHAK-ut në vitin 2013 Krimet e Serbisë në Kosovë 1998-1999 dhe Krimet e Serbisë ndaj fëmijëve në Kosovë 1998-1999 për bilancin e luftës: Në periudhën janar 1998 – 12 qershor 1999 u vranë 11.840 viktima, prej tyre 1392 fëmijë deri në 18 vjeç, 296 fëmijë deri në 5 vjeç, 1739 femra, 1882 të moshuar mbi moshën 65-vjeçare, ndërsa 1450 banorë ende janë të pagjetur. Janë dhunuar edhe 20.400 femra shqiptare. U shkatërruan dhe u dëmtuan 100.589 shtëpi, 358 shkolla, 30 shtëpi kulture, 93 biblioteka publike dhe shkollore, 123 objekte shëndetësore, 215 objekte fetare, 88.101 objekte ndihmëse etj.

Prandaj kjo në sytë e faktorit ndërkombëtar nuk duhet relativizuar sepse përgjegjësia bie mbi armatën, policinë dhe ushtrinë serbe, me të cilën faktori ndërkombëtar do të duhej të merrej më seriozisht dhe të mos e barazonte viktimën me kriminelin, ku për pasojë do ta pësonte edhe vetë shteti dhe populli i Kosovës. që synon integrim dhe mirëqenie, ashtu që të mos bëhet pengesë politike. Andaj, pse duhet krijuar një fajtor i paqenë përmes burgosjeve, sulmeve e ndjekjeve të udhëheqësve të UÇK-së?  Megjithatë nuk mungon gatishmëria për t’u sakrifikuar edhe për “krimet imagjinare” për hir të shtetit të Kosovës. Andaj na fal shteti ynë se ne s’kemi gabuar! Ti ke të drejtë.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …