Synim i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, sipas rektorit Marjan Dema, është transformimi nga universitet klasik në universitet që prodhon studentë që do ta bartin barrën e ndryshimit të Kosovës. Rektori i UP-së, Marjan Dema në një intervistë për KosovaPress ka thënë se janë të interesuar që ndryshimi i Kosovës të ndodhë nga studentët dhe jo të presin të ndodhë nga të tjerët. I pari i UP-së ka thënë se që nga marrja e mandatit kanë krijuar standarde, kritere, norma përmes të cilave kanë dashur që Universitetin e Prishtinës ta bëjnë të barabartë për të gjithë. E themelimi dhe implementimi i këtyre standardeve, Dema thotë se ndihmojnë në luftimin e të keqes dhe të korrupsionit.
Rektori bëri të ditur se përmes zyrës për hulumtime dhe projekte të sponsorizuara mendojnë të thithin dhe të gjenerojnë mjete prej fondeve të tjera, sipas tij ajo zyre do t’i ndihmojë profesorët të cilët kanë ide të aplikojnë për fonde të ndryshme. Po ashtu, ai tha se janë shumë të interesuar që të ndërrojnë formën që Universiteti i Prishtinës varet vetëm prej buxhetit, pasi që sipas tij dëshirojnë të krijojnë buxhet me anë të hulumtimeve shkencore. UP ka filluar trajnimet e profesorëve të ri, por që do të trajnojnë të gjithë profesorët pasi që sipas rektorit dëshirojnë t’i ikin metodës së vjetër të dhënies së mësimit frontal me një metodë që jep rezultate dhe që studenti lidhet me punën praktike. Përveç këtyre sukseseve sipas të parit të UP-së këtë universitet e kanë përcjell edhe një numër i madh i sfidave apo probleme gjatë këtij viti.
Një nga problemet me të cilën përballën studentët e UP-së është edhe mungesa e literaturës, në shumë drejtime studentët mësojnë vetëm me anë të disa skriptave të bëra na profesorët që ligjërojnë ato lëndë. Për këtë mungesë të literaturës, kreu i UP-së, Marjan Dema thotë se problemin më të madh e bënë edhe mungesa e fondeve.