Remzi Shaqir Zharku (6.12.1975 – 9.4.1999)

Remzi Shaqir Zharku (6.12.1975 – 9.4.1999)

Remzi Zharku u lind më 6 dhjetor 1975 në fshatin Biqec të komunës së Kaçanikut. Rrjedh nga një familje atdhetare e liridashëse. Babai, Shaqiri dhe nëna Elifja lindën shtatë fëmijë. Kur Remziu kishte vetëm 5 vjet, për shkak të kushteve të vështira në fshatin Biqec, familja e tij shpërngulet në Kaçanik. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në Kaçanik. Pas kryerjes së shkollës së mesme punoi në një dyçan privat familjar.

Remziu ishte pjesëmarrës aktiv në protesta dhe në demonstrata të organizuara si në vise të ndryshme të Kosovës, po ashtu edhe në Kaçanik. Lufta u përhap në pjesën më të madhe të vendit e po ashtu edhe në komunën e Kaçanikut. Pasi Remziu në radhët e UÇK-së i kishte të rreshtuar vëllezërit e tij Xhaferin dhe Skënderin, si dhe dajat e tij, Gani Tronin, Izahir Tronin, Haki Tronin, Hesat Tronin, Nefail Tronin, Sabit Tronin, Shefket Tronin, Brahim Tronin, Skënder Tronin, Xhevdet Tronin, Selajdin Tronin, Xhevahir Tronin etj, ai vendosi që edhe vetë të inkuadrohet në radhët e UÇKsë. Prandaj, më 20 mars 1999 u radhit në njësitet e Batalionit të Dytë të Brigadës 162 “Agim Bajrami”, në togën e udhëhequr nga Izahir Troni i cili tog ishte i vendosur në pikën e luftës në Lagjen e Re të Kaçanikut.

Remziu e priti me shumë gëzim daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas radhitjes në radhët e saj, bashkëluftëtarë të tij ishin luftëtarët Izahir Troni, Habit Dullovi, Skënder Zharku, Raif Krivanjeva, Sylejman Kuka, Burim Rexha, Mynir Thaçi, Fatmir Horuni, Blerim Raka, Kadri Trena.

Në Lagje të Re të Kaçanikut vepronte toga e Remziut. Në luftimet e ashpra të ofensivës së 9 prillit 1999, Remzi Zharku ra heroikisht në vijën e parë të frontit. Përkrah tij ra edhe komandanti i togës Izahir Troni me bashkëluftëtarët: Habit Dullovi, Raif Krivanjeva, Sylejman Kuka, Burim Rexha, Mynir Thaçi, Fatmir Horuni, Blerim Raka, Kadri Trena. Nga radhët e popullatës civile, atë ditë u vranë Adnan Gula, Bedri Zharku, Aziz Axhami, Rizah Koraqi, Rufki Mulaku, Ramadan Spahiu, Afet Bushi e Maliq Zharku. Në shërbim të okupatorit ishin vënë edhe disa tradhtarë shqipfolës, siç ishte edhe Shaip Reka.

Pas luftës u bë zbulimi i trupit të dëshmorit Remzi Zharku dhe rivarrimi i tij u bë në Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik. Në njëvjetorin e rënies, në nderim dhe përkujtim të tij e të bashkëluftëtarëve të tij, u vendos pllaka përkujtimore në vendin e rënies, në Lagjen e Re të Kaçanikut, kurse emri i tij është shkruar edhe në përmendoren te Parku i Qytetit dhe te përmendorja e përbashkët e dëshmorëve të UÇK-së në Marinë të Skënderaj.

Në shenjë nderimi dhe respekti për jetën dhe veprën e dëshmorit Remzi Zharku, familjes së tij i kanë dhënë mirënjohje ministria e mbrojtjes e QPK-së, Komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami”, Kuvendi Komunal i Kaçanikut dhe komanda e zonës së gjashtë e TMK-së. (H. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …