Nga nëntori i vitit 2023, kur Shtëpia botuese NOVUM e ka botuar romanin, “Guri i Betimit” ( Der Stein des Eides) e deri tani, ky roman historik i autorit, Ahmet Qeriqi, përkthyer në gjuhën gjermane nga Antigonë Qeriqi-Saliu, ka ngjallur një interesim të jashtëzakonshëm te lexuesit dhe një pjese të kritikës letrare. Botimin e shkrimit e ka publikuar zonja, Sansarah Hammer e cila ka shkruar: I nderuar zoti Qeriqi. Është publikuar numri i ri i revistës “Buchland”. Ju e keni pasuruar revistën tonë me kontributin tuaj dhe ne dëshirojmë t’ju falënderojmë shumë për këtë, ka njoftuar, zonja Sansarah Hammer.
Deri tani janë shpërndarë qindra informacione nga mediet dhe portalet e shumta në internet, në google, lidhur me librin, përmbajtjen, përkthimin dhe vëmendjen që ka ngjallur romani përgjithësisht me tërësinë e sintetizuar letrare artistike, të një epoke historike, e cila ka lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në literaturë, me fakte e dokumente të shumta në gjuhën turke, greke, sllave, e të tjera, por edhe në memorien kombëtare të popujve të kohës, në qershor të vitit 1389, kur në Kosovë, janë ndeshur dy botë, dy civilizime, dy forca kundërshtare, njëra pushtuese, ajo e Perandorisë Osmane, tjetra mbrojtëse, por edhe heterogjene e pushtuese brenda vetvetes, sikur ishte Perandoria e Bizantit, në shthurje e sipër.
Duke shfletuar faqet e medieve dhe portaleve ku është prezantuar libri, hetojmë se tema e romanit për lexuesin gjerman, është mjaft atraktive, pasi brendia dhe përmbajtja e romanit, sjellin një botë të veçantë, të panjohur sa duhet, sidomos të rolit që kanë luajtur shqiptarët në historinë e Mesjetës dhe që është anashkaluar madje edhe është injoruar nga historiografia sllave e kohës, e cila ka shpërfillur të vërtetën e njohur historike se shqiptarët e kohës ishin të krishterë lindorë, por kishin një gjuhë dhe kulturë tjetër nga ajo greke e sllave. Ata kishin shumë principata të shkapërderdhura në Ballkan, të cilat për herë të parë i bashkoi, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në vitin 1444.
“Guri i Betimit”, është një histori e rikthyer në kujtesë për Motin e Madh, për Mesjetën, e cila në një kohë të caktuar, është bërë përpjekje të harrohet, por koha e ka rikthyer, sepse koha lanë e shpërlanë të kaluarën dhe është gjykatësi më i mirë dhe i pa zëvendësueshëm, për të venë gjithçka në vendin e vet. Koha edhe mënon, por kurrë nuk harron. Në mos më shumë ajo ruan fragmente, detaje, dromca, toponime, antroponime, të cilat rikthejnë në kujtesë një të kaluar, sado e largët qoftë ajo. Toponimet e ruajtura gjatë shekujve si: Kroni i Mbretit dhe legjenda për rrjedhën e ujit nga guri, Gazimestani, Tyrbja e Sulltan Muradit të Parë, “Varri i pretenduar i Milush Kopiliqit në Rezallë”, “Bunari i Milloshit”, në Kopiliq të Epërm dhe të Poshtëm, Kapella e varrezave të Mesjetës, në Kopiliq të Epërm, Guri i Varrimit, në Likoc, janë fakte të mbetura fizike, që nuk mund të injorohen. “Guri i Kopiliqit” në Rezallë, tri artefakte të kohës ilire romake, të gjetura në Kopiliq e që ruhen, në oborrin e Shtëpisë së Kulturës në Skënderaj, Guri i Madh katror, i skalitur me mjeshtëri dhe me shkronja të panjohura i Kopiliqit, i zbuluar në vitin 1986, të cilin e morën serbët dhe nuk dhanë asnjë informatë zyrtare, nuk janë vetëm relikte por janë pjesa e mbetur fizike, janë “torzot”, fragmentet, që i kanë shpëtuar dhëmbit të pamëshirshëm të kohës së despotëve, vrastarëve e barbarëve.