Revistat: “Zgjohuni” dhe “Kulla e Rojës” janë pasuri e vërtetë shoqërore, fetare e kulturore

Revistat: “Zgjohuni” dhe “Kulla e Rojës” janë pasuri e vërtetë shoqërore, fetare e kulturore

Revista, “Zgjohuni” e Dëshmitarëve të Jehovait, e cila botohet në afër 90   gjuhë të botës, edhe në gjuhën shqipe, (në 30 e më shumë vitet e fundit) është një revistë shumë përmbajtësore, e cila trajton  tema ndër më të ndryshmet, me të cilat ballafaqohet njeriu i kohës sonë, jo vetëm besimtari i krishterë, por në radhë të parë njeriu, njerëzimi, besimtari apo ateisti, cilido qoftë ai.

E veçanta e kësaj reviste është në radhë të parë përmbajtja e temave të trajtuara në nivelin më të lartë profesional, me autorë që dëshmojnë përgatitje të lartë shkencore, shoqërore, fetare, kulturore, arsimore, filozofike, historike, shëndetësore,  pedagogjike, letrare, artistike, mistike…

Përveç revistës, “Zgjohuni” Dëshmitarët e Jehovait, nxjerrin në dritë edhe edicionin “Kulla e Rojës”, e cila  botohet në rreth 170 gjuhë të botës, nga numri i parë që ka dalë në dritë në vitin 1879, ku  dominojnë temat fetare biblike, të inkorporuara në të gjitha segmentet e jetës dhe traditës së krishterë, e cila ka autoritet “Biblën”, natyrisht edhe pikëpamjet autentike origjinale, me të cilat udhëhiqen Dëshmitarët e Johovait, misionarë paqësorë, shpeshherë të atakuar padrejtësisht nga qarqe të caktuara e jo vetëm nga disa medie…

E veçanta tjetër e këtyre dy revistave është anashkalimi i ideologjive politike, cilat do qofshin ato  komuniste, kapitaliste, globaliste, jo sepse urrehen, por sepse misioni dhe mesazhi i këtyre revistave është ndërtuar mbi një koncept origjinal të perceptimit të realitetit, që pretendon të jetë universal, mbi politikat, ndasitë, përçarjet, mbi ekskluzivitetin fetar, dokesor, etnik, gjuhësor, racor, natyrisht duke ruajtur konceptin autentik të Dëshmitarëve të Jehovait të cilët autoritet primar dhe  unik kanë Biblën e mësimet e saj.

Me një koncept e parim të tillë, të mbështetur në radhët të parë te njeriu, si qenie e veçantë e krijuar nga Hyji, Dëshmitarët e Jehovait, vazhdojnë misionin e tyre krejtësisht paqësor, pa asnjë paragjykim apo selektim,  të cilit do nivel. Ata i gjen kudo në shtetet e botës, si misionarë të paqes dhe besimtarë të devotshëm, të cilët begatojnë misionin e paqes universale, të cilin jo vetëm që e pretendojnë por edhe historikisht e  kanë çarë rrugën e historisë me aktivitetet e tyre të përhershme, të pandalshme gjatë shekujve.

Këto dy revista shquhen për seriozitet krijues, përzgjedhje të temave ndër më të ndryshmet, trajtimin e  tyre në nivelin më profesional të mundshëm, me korrektësi, seriozitet, njohuri, vetëpërmbajtje, fakte, argumente,  në nivelin e analizës së kompletuar me komponentë autentikë,  fetar e shoqëror.

E veçanta  ndër shumë të tjerat është se këto revista iu dedikohen të gjitha moshave të njerëzve, preokupimeve e aspiratave të tyre, të gjithë njerëzve pa dallime racore, të gjithë atyre që besojnë në një Krijues, pavarësisht se qasja është e ndryshme nga këndi i se cilës fe monoteiste.

Këto dy revista kanë ushtruar dhe ushtrojnë ndikim te lexuesit kudo në botë në radhë të parë sepse ofrojnë tema të llojllojshme, interpretime ndër më të ndryshmet, analiza ndër më seriozet, fakte e argumente mbi bazën e mësimeve të Biblës, me dallime të kuptohen nga vetë orientimi programor fetar i “Dëshmitarëve të Jehovait”.

(Në studimet e mia për religjionet, qysh në vitet 90 të shekullit të kaluar, të botuara në gazetën Bujku, në Prishtinë në vitet 1992-1999, kam botuar për herë të parë disa studime mbi religjionin, pastaj tema  të përkimeve kulturore, shqiptare hebraike, të përkimeve ndër-gjuhësore,  fenomeni i Besës ndër shqiptarë, tema nga Bibla, Kurani e Talmudi, tema nga trashëgimia e hershme ilire-arbëreshe-shqiptare e të tjera.

Në këtë mes i kam bërë një analizë edhe Ditëve të Javës (Jahvës), te shqiptarët  në analogji me librin e  Gjenezës, sipas Biblës.

Nistoret e shkronjave origjinale hebraike: Jod-Haj-Vav-Haj, JHVH, kanë rezultuar me tetragramin apo akronimin JAHV.

Formula e besimit hebraik, është ajo që Hyji i tha Mojisiut:  Unë Jam Ai që Jam.

Jishmea Israil JHVH, elohenu ehod, në shqip: Dëgjo Izrael Zoti ynë JHVH është një.

Akronimi (greqisht akrostih) në shqip ka një analogji shumë interesante, dhe kurrsesi  nuk është një koincidencë, pasi emri i Krijuesit, në tekstet e vjetra shqip është HYJI, ndërsa akronimi JHVH korrespondon me përmbajtje fetare: Je Hyj, i Vetmi Hyj = JHVH. (Ahmet Qeriqi, Gjurmime dhe studime, Prishtinë 2011).

Pasi ky segment i studimeve të mia, qysh në vitet 90 të shekullit 20, kishte zgjuar  shumë interesim te lexuesit e studiuesit, me kohë  kam thelluar studimet në këtë tematikë.)

Kontakti im i parë i pas luftës në Kosovë, me fillim nga viti 2000  me misionarët e Dëshmitarëve të Jehovait, asokohe  nga Xhuzepeja  e  deri tani  te Samuele, ka qenë  dhe kanë mbetur në nivelin e diskutimeve serioze, analizave, interpretimeve të pashtershme mbi këto tema, të cilat meritojnë vëmendje, sepse i begatojnë dijet tona me qëllim për të dhënë kontribut në afrimin e njerëzve të besimeve të ndryshme, në tolerancë njerëzore e fetare.

Të gjithë këta misionarë që unë  i kam takuar dhe i takoj,  çmojnë lartë tolerancën fetare ndër shqiptarë, që është një fenomen i veçantë mbase edhe në botë, sepse nuk është kjo shpikje e kohës sonë, as është fare shpikje, por është një trashëgimi shumëshekullore shqiptare, e shtrirë në sinkroni dhe diakroni, është vetë bazamenti i shqiptarisë së kaluar dhe kësaj bashkëkohore.

Dëshmitarët e Jehovait, ashtu sikur i njoh dhe i vlerësoj unë janë shumë paqësorë dhe shumë tolerantë. Ata nuk ushtrojnë kurrfarë ndikimi për të përvetësuar, por prezantojnë të vërtetën e tyre të besimit, duke i shpjeguar fenomenet e Biblës me përditshmërinë, me ngjarje e ndodhi që kanë ndodhur dhe po ndodhin në botën tonë të përbashkët. Ata nuk propagandojnë, por ofrojnë alternativën e tyre.

Dhe alternativa e tyre mbijeton sidomos në këto dy revista, që shpërndahen kudo në botë, në gjuhët e ndryshme të kombeve.  Me sa di unë, ky është një shembull unikat në botë…

Kontaktet e mia shumëvjeçare me këta misionarë janë të karakterit shoqëror, kulturor, studimor, që tejkalojnë bindjet e ngurta fetare e ideologjike, dhe,  që mbi të gjitha kanë për  bazament, tolerancën, mirëkuptimin, emancipimin e përgjithshëm njerëzor.

Ahmet Qeriqi

Prishtinë

Korrik 2022

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …