“Revolucioni” i braktisjes së triskave të LKJ-së nga gazetarë e jugo-intelektualët në vitin 1989

Jeta  nën robërinë e RSFJ-së kishte krijuar edhe tipin e politikanit shqiptar, shpirt-skllav, të dëgjueshëm, të përdorshëm, të lakueshëm e të dredhueshëm sa herë ta ketë kërkuar Beogradi dhe klasa politike komuniste jugosllave. Të dëgjueshmit dhe besnikët e “Komitetit” ishin vasalët e Beogradit, që sundonin në Kosovë dhe që ishin postuar në të gjitha segmentet e institucioneve, por gjithnjë nën vëzhgim, lidhur me përshtatshmërinë e tyre ideore-politike.  Asnjë vend apo detyrë  me rëndësi, madje as një drejtor, sekretar shkolle apo enti, nuk mund ta fitonte postin pa qenë paraprakisht anëtar i LKJ-së dhe i pranueshëm “moralo-politikisht”.  Ky qëndrim nga lartë,  kishte bërë që jugo-shqiptarët të cilët  përcaktim të tyre jetësor kishin Jugosllavinë, bashkim vëllazërimin, të forconin pozitat, të vilnin favore dhe ta siguronin ekzistencën pa mund e djersë, sikur ishin detyruar të  bënin bashkëkombësit e tyre, të cilët rropateshin me punë ndër më të rëndat nëpër minierat e Jugosllavisë dhe në punët fizike kudo, jo vetëm në Kosovë. Jugo-shqipfolësit, duke treguar besnikërinë e tyre të verbër për RSFJ-në, kishin shkuar aq larg sa nëse në mesin e dhjetë apo më shumë të pranishmëve, po të ndodhte rastësisht vetëm një serb,  të gjithë për hir të një serbi bisedën e zhvillonin në gjuhën serbe.


 


Të kota ishin përpjekjet anakronike dhe donkishoteske për ta UJDI-sur Jugosllavinë e katandisur


 


Me rastin e fillimit të rrokullisjes së Jugosllavisë drejt abisit, të kota, anakronike dhe donkishoteske u treguan edhe përpjekjet për të krijuar organizata gjithë jugosllave si UJDI i Veton Surroit dhe i jugo-jogurt jugosllavëve,  të kota u treguan edhe përpjekjet për ta varrosur dhunën, të kota u treguan edhe fikjet e dritave dhe trokitjet me lugë nëpër pjata, që ndërmorën të zhgënjyerit dhe të braktisurit titistë, zagarët e Beogradit,  të kota ishin edhe shumë orvatje, që bënë skllevërit shpirtshitur, tashmë të braktisur nga padroni, të cilit i kishin kryer shërbime duke vrarë e duke denoncuar pabesisht vëllezërit e tyre të gjuhës dhe të gjakut. Të kota u treguan edhe brohoritjet për Stipe Shuvarin e Kaçusha Jasharin, të kota edhe apelet me nënshkrime të “intelektualëve”, të cilët mendonin se me “potpiset” e tyre të ruanin as aq mund të ruhej në kohën e erozionit të madh, që kishte nisur me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë që në fillim të viteve 90, të kota ishin edhe dorëzimet e triskave të partisë, së cilës i kishin shërbyer deri në neveritja.


 


Klasa e komunistëve “kosovarë”, e braktisur nga Beogradi, në kohën e të ashtuquajturit pluralizmit politik u rreshtua në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe në disa parti  të tjera, të cilat në fillet e tyre u udhëhoqën nga ish-komisarët e LKJ-së dhe nga mbeturinat e fundërrinat e UDB-së, që gjetën strehë nëpër parti politike. Ky ishte rezultati që korrën komunistët shqiptaro-jugosllavë për shërbimet e tyre të verbra kundër kombit e Atdheut.


 


Kjo klasë njerëzish, për të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur, ende fajëson kreatorët dhe organizatorët e kryengritjes së vitit 1981, sepse ata ua prishën ëndrrat dhe aspirata e tyre për përbashkësi dhe asimilim të qetë. Dhe, çuditërisht, edhe tani 35  vjet më pas, të tillët ende kanë mbetur po në ato pozicione, edhe pse Kosovën e çliruan pikërisht ata që projektuan platformën e vitit 1964, 1968,  11 marsin, 26 marsin dhe 1 e 2 prillin e vitit 1981 dhe që çuan përpara proceset çlirimtare duke i kurorëzuar me luftën heroike çlirimtare dhe fitimtare të UÇK-së. Ndodhi kjo, sepse lufta jonë nuk u zhvillua deri në fund dhe nuk i pastroi dot mbeturinat titiste, rankoviçiste e milosheviqiste, ose pastroi fare pak.


 


Nuk ishte e panatyrshme asokohe të ishe marksist leninist, as enverist, por ishte e panatyrshme të ishe komunist jugosllav, titist e rankoviqist i tipit të Azem Vllasit, Ali Shukriut, të Sinan Hasanit, Rrahman Morinës, etj. Ishte e panatyrshme të denoncoje vëllanë apo shokun  e klasës sepse kishte shkruar tinëz KR (Kosova Republikë), por ishte e moralshme dhe kombëtarisht e preferuar të rezistoje, pse jo edhe të mbaheshe i izoluar nëpër burgjet e pushtuesit, për ta kundërshtuar robërinë, qoftë edhe vetëm me bindje, duke iu qëndruar konsekuent, deri në fund, atyre bindjeve. Ishte krejtësisht e panatyrshme dhe e pamoralshme të fitoje grada duke denoncuar bashkëkombësit, apo duke izoluar, sulmuar e përbuzur familjet e atyre që ndodheshin nëpër burgje. Ishte e natyrshme dhe e moralshme të ndihmoje familjet e atyre që i kishte sakatosur regjimi okupator.


 


Në atë kohë, çanaklëpirësit e Beogradit, duke parë se e sëmura e Ballkanit po hiqte shpirt, u kujtuan t’ i dorëzojnë me pietet triskat e Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Dorëzimin masiv të librezave e quajtën një lloj revolucioni, njëlloj shkurorëzimi të njëanshëm, meqë Partia-mëmë, jugosllave ua kishte lënë shëndenë, i kishte braktisur  dhe ua kishte shpërfillur përkushtimin projugosllav. Pati edhe shumë të tillë që nuk i dorëzuan librezat dhe ende i mbajnë si kujtim të kohës së artë të “lulëzimit” të tyre.


 


Edhe tani 26 vjet pas shkurorëzimit, jugo-shqipfolësit kanë mbetur po ata të dikurshmit, jo vetëm nostalgjikë të bashkim vëllazërimit, por edhe besnikë të ndërkryer, të cilëve u mungon Beogradi, u mungojnë “ljubavnicat” e dikurshme, u mungon shprehja e biseda e lirshme në gjuhën e dikurshme zyrtare, thjesht u mungon Jugosllavia, andaj edhe shajnë e përbuzin çdo vlerë kombëtare shqiptare. Jugo-shqipfolësit, si krijesa adapte, tashmë iu kanë përshtatur kohës. Sot janë bijtë e tyre, këta të cilët fryhen si gjeldeca për trimëritë, që kishin treguar baballarët e tyre, duke mos u pajtuar me shpërbërjen e Jugosllavisë.


Janë bijtë besnikë të etërve dinakë, të cilët duan që kungulli t’ iu shkojë gjithmonë mbi ujë, janë haja e qenit dhe pija e qenit, janë këta që ia luajnë gishtat karadyzenit sipas dyzenit  të të huajve, kushdo qofshin ata,  janë ata që iu kanë vërsulur shtetit të Kosovës dhe e kafshojnë ku të mundin, duke zhvatur krejt çka mund të zhvatet, duke e grabitur e plaçkitur dhe duke e sharë nga prapa. Këta janë bijtë e atyre, që dikur e në një kohë ishin kujtuar të dorëzonin triskat e partisë, me qëllim për ta ndërruar ngjyrën e përshtatjes si kameleoni. Andaj me postimet e të tillëve nëpër institucionet e Kosovës, është lënduar e përditë po lëndohet pavarësia e saj, andaj është shkelur dhe po shkelet gjaku i dëshmorëve dhe i martirëve, andaj Kosova po degradon drejt të ardhmes së pasigurt. Jugo-shqipfolësit po marshojnë në maratonën e tyre të turpit, në maratonën e fundit drejt delirit e mazohizmit të marrë e të çmendur…


Ahmet Qeriqi


Korrik, 2015

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …