Rexhep Kasumaj: Armata e pathyeshme..!


(Paralele dramatike)


 


1.


Mendjelashti Plutark mësonte se në Greqinë  antike, ambasadori i mbretit cilësohej në mirëbesim si vetja tjetër e tij…


 


Në fakt, kjo është tema e qenies imagjinare të Kipcit që, duke patur fatin të hyjë në laboratorin e magjisë krijuese të Borges-it, ka prekur pavdeksinë.


 


Më pas, ndër vite shtegëtimi të mugët, Kipci do të ketë ndikuar shëmbëllesa të tjera inspirative për dijetarë, filozofë e poetë. Ndërsa tek Pitagora, ndaj, miku është vetja e dytë, tek skocezët, ndërkaq, – është hija që fton njeriun n’takim me vdekjen e vet…


 


Mirëpo, natyrisht, përveç misionit diplomatik të sovranit, do t’më impresiononte, poaq, dhe Kipci i Allan Po-së (tregimi:” Uilliam Uillsoni”), që s’ishte pos ndërgjegja e heroit vetë…


 


2.


Po kje, prandaj, n’fillesë shestimi për një paralele të trishtuar, një regjim i pasmijëra vitesh kaq obskur, brutal e i njitur fatalisht për fron – aherë, gjithnjë brënda logjikës së kipcit, a s’është dhe korpusi diplomatik (me rregullin e përjashtimit ) i tillë: vetja tjetër e tij?


 


Mirëpo kodi kipcian, i riardhur njëj trajte të veçantë në rropamat e kohës, vijon tutje praninë dhe plojën makabre. Ai qenkësh, pra, ndërgjegja e heroit, thoshte Po, veçse tani në miljeun kosovar, kryeçështja është: i cilëve heronjë vallë? Përgjigja, për dallim nga mistika e sipërme hijerore, është e thjeshtë, profane dhe krejt tokësore. Nuk i përket të rënëve, sepse ata morën me vete atë, pa mundur ta vënë n’sprovën e netëve të amullta republikane. Rrjedhimisht, del të jetë ndërgjegja e të gjallëve që kanë grabitur këtë aureol dhe me stolinë e tij verbuese, plangprishin e rrënojnë…Por rrëzoma, mjerisht, ende s’ka të sosur.


Veçanësia është, njëmend, e denjë për këtë përskajim të vështirë. Rrallëkund të jetë totalizuar paraqitja e tij si në përditësinë e këtij shteti të pajetuar. Ata, si të mos mjaftonte damka e tyre, kanë prodhuar patericat ndihëse e kolosale – kipcat e tyre serikë, vetjet e tjera, në të gjithë rrathët e gjallimit…Dhe qëmtojnë, micërrojnë e gërryejnë gjithçka, posi armata e pathyeshme e brejtësve…E për të fortifikuar jetëkapjen kapërthyese, janë kacavjerrë e shtrënguar fort pas selive të tyre, publike e virtuale, në instancat e Politikës dhe në tempujt e Dijes. Të interferuar prorë – të parët,  kultivojnë Idenë e mashtrimit, e të dytët, si për të bërë levën e saj mbajtëse, predikojnë zelltarisht Kulturën e nënshtrimit!


 


Duke qenë, pra, kreativisht komplementarë në ngasjen për mbijetesë, të dy palët bashkë bëjnë një organizëm unik e të sofistikuar për orët fatkeqe që mbajnë të tyren vulë të autorësisë.


 


3.


Ndoshta pikërisht ky nyjëtim, qëndron në thelbin e shkakësisë komplekse pse njerëzia që s’mund ti shohë ose arrin ti durojë, mbetet heroikisht jashtë statusit të një kombi të etabluar historik. Por, nëse pazotësia për ti parë është një mallkim hyjnie, mbanë tjetër, zotësia komode për ti duruar bindshmërisht – është një prirje robnie..!


 


Në mbyllje fare, në ndjekje t’një tagri të kryehershëm, aherë kur gjithëçka ngjan e mbaruar, e ngrirë përtej moteve e brezave, do jetë vetë hija, Kipci i bukur skocez që do ti josh ata në takim me vdekjen e vet..!


 


 


 


Rexhep Kasumaj: Lumni barbare


 


(Një ndarje folklorike brezash të heronjëve)


 


1.


Koha rrjedh pa fill e fund dhe, ashtu si lindja e diellit, ndërrimi i stinëve, lulet a vyshkja e gjethnajës – pa pyetur për asgjë, vjetron sistemet, shoqëritë, idealet…


Çdo gjë që ndodh, ndaj, ka një qëllim. Dhe vdekja. Vdekja për liri, mbase, më t’sublimtin gjithësesi!


 


2.


“Mjafton perandorinë të kqyrësh nga ky vend i lartë: duket si një makth ku zotëron i ligu ndër të liq…


Një vjedh kopena, tjetri edhe gra,


shandan, kungajkë e kryqin n’altar


dhe mburret që ka bërë e pa ndëshkim shpëton…


Paditësit n’gjykatë turren


e gjyqtari veç krekoset  n’seli,


ndërsa furtunë e kryregritjes përhapet me furi…”!


 


Kështu thotë Kancelari tek “Viset e bukura” në Faustin e Gëtes. Ky fragment dëshmon për rrëzoma të rënda që kanë jetuar dhe popuj historikë. Veçse, ndryshe prej tyre, në Kosovë klientelizmi dhe nënshtrimi popullor i mbyll despotisht shtigjet “furtunës kryengritëse që përhapet me furi”!


 


A ishte, vallë, ky qëllimi, që të rënët në fushëluftën e mbramë të Kosovës, do ta gravonin plumbash, si një ëndërr të ndaluar, në gjokset e tyre?


 


Një nga fyerjet e pafundme, që u bëhet atyre dhe miqëve të armës, por të tillëve që nuk u kontrabanduan në oligarkë frymëmbytës të Republikës foshnjore, është poshtërimi i ndarjes…


 


Ndarja, madje, nuk shenjohet sipas brezave, por dhe brënda një kohe a emblemës së saj. Sidomos do të sythojë kjo, lodhshëm e pikëllimtë, në sistemin e ri të partive, klaneve, oxhaqeve, kooperativave, flamurëve, kartelave, mandej të nëntokës, vegëzimit mafiokratik, trafikut të përtejdhéut a kupolës që mentoron gjithëçka…Dhe në përkitje të këtij reliefi, ata përvetësohen: për mburrje mejhanesh apo për investurë ngjitjeje në nomenklaturën pushtetare…


 


Të pafaj gjithësesi, këta do t’jenë heronjët e motit tonë: të shkrirë në buste apo të ngujuar në kasolla vorfnore. Ndanë tyre, ndërkaq, hierarkët tinzarë, kanë një qasje ndryshmore. Të parët glorifikohen sepse nuk mund të flasin, kurse të dytët poshtërohen, sepse më keq se vdekja është humbja e statusit skamnor. Ka, mjerisht, një tjetër rrokullimë akoma më të tmerrshme e t’paderë: është unaza ftyrëverdhë e urisë.


 


Pastaj, nëse ndër ata që i ka mbuluar pluhuri, do të ketë patur dhe të tillë që ose nuk patën idenë e fisme të luftës për pavarsinë ose do të vriteshin pas krahëve, për ti hapur udhë atyre që ky truall do ti mallkojë si bastardhët e saj të shekullit – të dytët do të mbeteshin gjallë. Mirëpo në këmbim të jetës, duhej  përfillur paktin e pashkruar: të heshtnin duke marrë më vete andej të fshehtat e komandantëve të shumtë, si laraskat pas stuhisë…


 


Dhe së fundmi, ndërsa të dytë bashkë bëjnë brejën e përjetshme të ndërgjegjes kombëtare – është një galeri tjetër që desh të gëzonte: edhe Lavdinë, edhe Fuqinë! Janë uzurpatorët e vlerës çlirimtare: manipulatorë, sehirbërës, spijuj, profiterë, trafikantë armësh, dhuntarë të çdo pasioni, ordinerë që kapën çastin…


 


3.


Ç’t’iu bëhet tani atyre, kandidatëve të ardhmë të busteve? Heronjëve të shpifur të luftës dhe martirëve realë të hajnisë?..


 


Duke u identifikuar me kombin e historinë, ata kanë dëbuar heronjët e kohëve të ikura dhe kanë uzurpuar  sheshet e vogla që presin të tjerë në një kohë të dytë.


 


Që këndej, nuk bëzanë kush më për heronjët e brezave pararendës. Ata mbështillen nga pelhura e heshtjes e harrimit, për t’mos u bërë hije këtyre të epokës së re. Ç’është ende më zi, do të smirohen, urrehen e dyshohen. Vetë Kryeheroi kombëtar Kastrioti kontekstualizohet fetarisht si hero i të krishterëve, ndërkohë që sakrifica e Luftës së dytë botërore, cilësohet kotnare: një vetëmohin i turbullt për kauzën e huaj sllave…


 


Ndërkaq, nuk besojnë të vijnë më pasrendës ftomash që s’prajnë kurrë. Zbrazti e terr do pllakosë gjithandej. Vetëm llampa e tyre do ndrijë mbi sfondin e zi e profan…


 


4.


Por, megjithë pietetin e thellë për fllijimtarët e vërtetë që nuk jetojnë më ose vegjetojnë margjinash sociale, dhe paraardhësit e tyre kjenë përfalur me besë në pragun e atdheut. Ndonëse përpjekjet për liri të çdo populli të nëpërkëmbur, janë pjesë e vetë lirisë së Europës, heronjët e vezullisë së sotme, janë vetëm lokalë. Kundër Serbisë nuk u bashkua e gjithë bota që prirej afeksionesh të teatrit të moçëm, ndërkohë që kundër lubisë naciste kjenë  rrjeshtuar të gjithë: nga Uashingtoni, nëpër Londër e Paris, e deri në Vladivostok. E, rrjedhimisht dhe kremta e tyre do të jetë e dyfishtë: nacionale dhe, poashtu, Festë e përbashkët reflektive: Ditë e Europës së lirë!


 


Ata do t’bënin zgjedhjen e anës strategjikisht tejpamëse e moralisht diellore: anën e përtëritjes së të korrave në fushnajën e djegur, “pëllumbave që prehen në Katedralen e Salzburgut, trëdafilave që sërish çelin në luginat e Shlezisë” dhe, natyrisht, që mes shqiptarësh të mos kishte kurrë më kufi të përgjakur…


 


Por ishte vetmia, fataliteti gjeopolitik (“është bukuria ime që më vrau”, këlthet Margarita në Ditën e zymtë, prapë tek Patriarku i letrave të Europës,) që mbi idealin e tyre, të binte sërish satra e Rendit të ri botërorë dhe vullneti i hemisferave të interesit duke copëtuar edhe shqiptarët edhe Europën vetë!..


 


E ky i riu Rend i botës, krejt ndryshe nga të kryehershmit, sikur rezultoi të ishte dhuratë historie në ndërrim mijvjeçarësh. Po më pas do të shpaloste ai sfidat e thonjëta: globalizmin, kapitalin transnacional e rrafshues, shfytyrimin e qetë të individualiteteve të vogla, pushtimin virtual të resurseve, tashmë, pa tanke,  çizme a gjeneralë…


 


Dhe ato nuk gjejnë ndër kastat politike, qendrestari në kufijtë e arsyes a përshtatje konjukturale për interesin e kalvarosur publik. Përkundrazi. Aty prorë strehon një gatishmëri zvarritëse për bashkërrënim dhe, poaq, një snobizëm kolektiv për ti ngjasuar vetëm mimikrisht prurjeve të qytetnisë së re…Është e pagjasë, që këtej, të mos evokosh Sokratin e Apologjisë, tek thotë: “Ju, o qytetarë të Athinës ëndërroni, kurse unë shoh, dhe krejt gjërat i gjej të shëmtuara…”! Dhe ne, mijëra vjet më pas, do gjejmë shëmtinë e lëkurëtrashëve që fjala s’i gërvish e s’i shtyn dot nga e skeptri sundtar, të njëjtësuar me të drejtën atnore mbi truallin e njerëzit e tij…


A nuk është, pra, deshpëruese, si ndjente një tjetër shpirt lashtësie (Glykon), lumnia e të Keqit”?


E, maharagjët e personelit politik të Prishtinës, janë, vërtetë, barbarisht të lumtur..!


Berlin, kallnor 2016


 


 


 


Rexhep Kasumaj: Rrezja e munguar e historisë!


(Mbi një paralele të vështirë)


 


Asnjë nga kancelarët gjermanë (përveç Helmut Kohl-it, i alternuar me votë elektorale), nuk është larguar vullnetlirshëm nga arena politike. Ç’i shtyri këta burra shteti, me prejardhje, dhunti e cakvënje të ndryshme, t’katrriseshin për Zyrën e epërme, deri në kufijtë e fundmë të qëndrueshmërisë?


 


Këtë përfundim do lexoja këto ditë nga A. Baring e G. Schöllgen në librin “Kancelari, Krizat Koalicionet”, sipas të cilëve ardhja e Gerhard Schröder-it ishte akti i kulluar i prerjes: nuk pati më kancelarë që vinin nga frontet a nga rinia hitleriane dhe as u shtrënguan të këpusnin në gjysmë mandatin pushtetar.


 


Demokracia është një univers sëndertimesh të lirisë njerëzore dhe, prandaj, ata do iknin detyrimisht për ti hapur udhë jetës që priste këtë prej tyre.


 


I pari kancelar i pasluftës, Konrad Adenaueri i lavdishëm, së toku me CDU-unë bavareze, pati në mandatin e tretë shumicën absolute, por, i prirë rezonit shtetëror, do t’përfshinte në qeverisje dhe Partinë (moti të shuar) Gjermane. Mirëpo do të dorëhiqej në nisje të legjislaturës së katërt, tashmë 85 vjeçar (15 tetor1963), pas aferës së Schpiegel-it që kje përgjuar e akuzohej për trathti të lartë.


 


Pasrendësi i tij e arkitekti i mrekullisë ekonomike, Ludwig Erhard, do të largohej shpejt e pafatsisht, sepse, thjeshtë, nuk kje i zoti të koaliciononte me SPD-në tek ngjitej furishëm në grafikonin e fuqimatjes pilitike. Epilog të ngjashëm do të përjetonte dhe trashëgimtari i tij, Georg Kiesinger, duke rënë në vitin e tretë të mandatit të cunguar. Në kundërshti të pakalkuluar me njëlloj pakti të nënujshëm, ai s’i rezistonte tundimit për afrimitet ndaj Amerikës, në dëm të aksit europian me Parisin ngadhnjyes, dhe afiniteti atllantist doli të ishte një mëkat i shtuar  hakmarrës që do t’përnxiste mbarimin e tij.


 


Më pas do të trokiste në portën e madhe të kohës Willy Brandt, autori i Politikës zhbiruese të lindjes, për ta drejtuar Republikën e Bonit deri më1972, kur nuk e përballoi dot votëbesimin që do ta lamtumirëte me kupolën e strategjisë së urtë e shpupuritëse gjermane. S’ishte vetëm Günter Guillaume nga rrethi i ngushtë i Zyrës, po dhe dy deputetë të tjerë koalicionistë që rezultuan të rekrutuar nga Sigurimi i fshehtë i Henecker-it, si një fragment deshpërues ndërgjerman në rivalitetet e Luftës së ftohtë.


 


Ndërkaq Helmut Schmidt, më virtuozi i të gjithëve (i zgjedhur në vitin 1973), po si pararendësi i tij, do të disfatohej nga një votëbesim që mori shkas humbjen e shumicës, pasi dorëzuan pabesisht ofiqet e tyre disa ministra të FDP-së së Dietrich Gencherit, dinak e manovrues i shkathtë.


 


Këtë rrëzim të beftë do ta pasonin rrufeshëm zgjedhjet e reja parlamentare. Një njeri, tashmë, merrte udhën e vështirë për të bërë histori. Ishte Kancelari i famshëm i bashkimit, Helmut Kohl, që i vetmi (nga moti i largët 1982 deri vonë në ndërrim Rendesh botërorë -1998), do ti vente deri në sosje të katër mandateve shtetprijëse në Bonin, prore modest e të përulur. Mandej, meritash të tij epokale, Republika e mëkëmbur dhe krenare, do të shpërngulej përgjithmonë në Berlin. Flamuri i Gjermanisë unike do valonte prapë mbi Rajhstagun madhnor plot hir, mistikë e kujtime…


 


E pra, qoftë nga instrumenti i votëbesimit, qoftë nga tkurrja (edhe taktike) e mazhorancës apo, së mbrami, nga trysnia e aferave me temën e trathtisë ose bjerrjen e legjitimitetit moral – ata do të hiqnin mantelin e ftohtë të Kancelarit për të riveshur kostumin e qytetarit të lirë.


 


Në Kosovë, natyrisht, gjithëçka është ndryshe. Ajo nuk ishte ndër vite pjesë e rrezes së faktorit Habsburg, si hapsira veriperëndimore e Gadishullit ilirik, por nën hijen e gjatë të faktorit të errtë otoman. Por, prapë: përse duhet të jetë kaq shumë ndryshe! A nuk gëzojnë status afere shtetërore në kufi trathtie, Aktet e Brukselit e Vjenës, që i bën firmatarët e tyre jo vetëm moralisht, por dhe kombëtarisht të harxhuar e, madje, të rrezikshëm, për të qenë tutje në krye të punëve shtetërore?


 


Nëse ndonjë kancelar gjerman (Brant) qortohej pse s’arriti të shmangë syrin e keq të spiunit komunist – këta duket të jenë spiuj vetë!  Rrjedhimisht, a s’është pak vështirë të funksionojë në llojin e tyre arsyeja e shtetit apo ndjesia e etikës!?


 


Ndaj dhe, me gjasë, i mbetet të tjerëve t’ua rrëfejnë shtegun e zbritjes këtej poshtë, ku i pret frika e makthi i natës..!


 


Dimër, Gjermani

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …