Rexhep Kasumaj: E drejta e djegur!


        Pak para se të ndërronte jetë, Marcel Reich-Ranicki, ky “Papë i pejsazhit letrar” të hemisferës gjermanofolëse, pat thënë se nuk trëmbej që do ikte këso bote. Tashmë kishte takuar vdekjen në Gethot ariozofike të Varshavës, atdheut të prangosur dhe, poashtu, kish parë sytë e saj kur Tosias së dashur, do i pushonte zemra përgjithmonë, duke e lënë fillikat në muzgun e vonë të jetës…


 


Veçse, thjeshtë, nuk e imagjinonte shuarjen,  mosekzistimin…Dhe, ah, do i mbeteshin merak gazetat që shfletonte n’mjes në kafenenë e vogël në këndin e rrugicës ku banonte, në Berlin.


 


Athua do të shprehej kështu me një mall t’andejmë, sikur në rrethana të pazakonta,  t’shtrëngohej të lexonte shtypin e Prishtinës? Nuk e besoj. Përkundrazi, do shfrynte çlirueshëm: së paku nuk do t’ngjëroj më helmin e tij, mediokër e klientelist, të ndyrë e pështymor!


 


Në njëren nga këto fletushka, që shpesh i përgjasojnë Dacibaos së Mao Ce Dunit, do lexoja një ditë përftesën standarde: qytetarët shpërfillin protestën e Lëvizjes opozitare, sepse të gjithë nuk bëjnë tjetër veçse robtohen për pushtet!


 


Ç’marrëzi foshnjore!  Po, fundja, a s’është kjo aq e natyrshme? Partitë politike, “per definitionem”, ekzistojnë për tu pajisur me Fuqinë e epërme politike. Ndërkaq, është punë më vete si do instrumentohet ajo: për industrinë e krimit apo për shërbesën e përkorë.


 


Nuk mund të tërhiqet, ndaj, assesi një linjë baraseliminimi njëjtësor mes atyre që i shohim të zinjë si korbat tash 16 vjet dhe atyre që s’kanë hapur akoma as fletën e bardhë e as të errtë të një kronike pushtetare! Madje, më keq ende, të parët nuk gjykohen e të dytët, për ironi, vijojnë të paragjykohen! Ndërsa, pra, të parët janë shtetprishës të dëshmuar, të dytët kushtëzohen si keqbërës të mundshëm. E, rrjedhimisht, konstruktohet mëkati i pabërë dhe amnestohet faji i pafshehur që shpallin gjithë këmbanat e arrogancës qeveritare. Dhe kjo indolencë apatike dhe pazotësia për të diferencuar ngjyrat e së ardhmes, nuk është fatalizëm i rezervuar – por fat i zgjedhur vetë!


 


Gjaku i prishur mund të spastrohet: ose me alternancë të shpeshtë legjislaturash ose me përmbysje rrafshuese! Si për të konfirmuar këtë, Niçe shkruante se, kur humbet kuptimi i jetës – humbet dhe e drejta për të. I adoptuar për këtë shkrim, ai do të dukej dhe i tillë: kur humbet kuptimi, e kjo dmth. morali, i pushtetit – humbet n’plotësi dhe e drejta e mbajtjes së tij!..


 


 


 


Rexhep Kasumaj: Gjaku i tepruar


 


 


 


1.        Milici drejtësi-ndarës!


 


Derdhje e lumit njerëzor drejt Prishtinës, tribuna dhe kuvendimi i opozitarëve pastaj, në një çast, shpërthimi i mëllefit impulsiv rinor dhe reaksioni i Milicisë plot et për represalje – janë, tashmë, tabllo rituale të rebelimit të organizuar opozitar.


Por, kësaj here, pati një shpalesë të re, që bënte indin ekzemplar të fytyrës regjimore: foli Baki Kelani! Asgjë e parëndomtë, sikur ai të raportonte informativisht ngjarjen dhe rrjedhën e saj.


Por, jo! Ai foli politikisht dhe tha: “Policia ia njeh të drejtën gjithkujt për protestë…”!


Kur do të vdiste Aleksandër Rankoviqi i urryer, serbët e vajtuan me njëmi palë lot. E ish-Prefekti spirituoz i Belgradit, i mrekullueshmi Bogdan Bogdanoviq (që thoshte se ka ardhur koha të ndahemi miqësisht me shqiptarët), pat shkruar gjithë pezm: mjerë ai popull, rinia e të cilit qan me kujë kolektive mbi varrin e një milici!


Mirëpo tani, së paku si emblemë, është kohë tjetër. Një polic mund të gëzojë shansin e patriotizmit kushtetues. Por protagonisti ynë është do t’kujdeset për ti dhënë pamje tjetër atij: merr përsipër të bëj vetëgjyqësinë dhe, si kostumprerës madhnor, njeh ose mohon të drejta njeriu!


Ndaj dhe ky fragment gjithçkathënës kur milici drejton e pilitika milicëron, shpërlan në dritë dielli dy prirje të liga: përceptimin despotik e primitiv të shtetit dhe kultin e institucionuar të dhunës që t’kujton trishtëm atë rendin e kohën e errtë kur përzitej Prefekti i ndjerë belgradas!


 


2. Kolona e pestë!
Historia e përbetimeve të botës është e bujshme sa vetë orvatja e vështirshme për të dalë nga qerthulli kafshimor i tyre…Veçse ato, për ti rënë në gjurmë viktimës, do të kenë dhe


vegëlerinë e tyre ndihmtare: kolonën e pestë! Kudo ndër fronte, kanceleri prijësish, shtatmadhori armatash, rebelime popullore e lëvizje çlirimtare, hidheshin  mercenarë që: ose spiunonin tinëzisht ose diskreditonin publikisht programet dhe idealet e tyre…


Që këtej, megjithë vullnetin për të drejkuptuar mëllefin real dhe për të justifikuar të gjitha mjetet që do të përmbysnin pushtetin kriminal – prapë sikur nuk shmanget dot përshtypja se gurin e parë kundër policisë do ta ketë hedhur një Van der Lubbe i hashimisëve…Njësoj si kallja e hershme e Rajhstagut (1933), apo vrasja e mëvonshme e të rinjëve serbë në Pejë (1998), dhe kallja e Kishave ortodokse në Kosovë (2004)…Është e njëjta enë që, në versionin e këtejshëm bizantin, është absolvuar qyshkur nga Isaja dhe, si mësohet përditë, ndiqet përulshëm nga Hashimi i Brojës – ky kursant i rryer i shërbesave të huaja…


Nëse dora do të dilte hapur, qëllimi dhe mentorët duhej të mbeteshin të mbuluar: është dyshja poshtnore dhe ngasja e saj deshpëruese për tu promovuar si e vetmja alternativë e besueshme politike për Praninë ndërkombëtare në Kosovë..!


 


3.Gjaku i tepruar!


“Se Kosova e ka adet nga një luftë me ba çdo vjet!” Kështu vargnon rapsodia popullore, por nëse jo çdo vjet – aherë, së paku, çdo dhjetëvjetësh ajo ka rimun tokën e vet. Nuk ka ndodhur akoma që t’ia ndërrojnë të tjerët apo të përpiqej vetë të ndërronte Zot e Mot – pa derdhur gjak. Thuase në trupin e lodhur ka një cikël të çuditshëm teprice të këtij lëngu jetik që, për të çliruar energjitë, duhet të rrjedh e ujit dhéun për zili të qiejve dhe shiut…Është tragjike ta mendosh se dhe klika e kësokohshme, këtë ritual dramatik ndjekë: përnxitë e pret rrëkenë së tij…Urtia e fjala, ankesa e loti, nuk e prek ndërgjegjen dhe nuk lëkund dot fronin e tyre! Ndërkaq, sado mitike dhe zemëratë erinish të ngjasojë, orën e tij e bën vetë njeriu. Njeriu i keq i  pushtetuar…Dhe më të këqijë se këta që kanë shaluar sot fatet nacionale, nuk ka parë kurrë ky truall…


“Fort ma e rândë âsht thémra e shkjaut kokëtrashë, se guri i vorrit m’krye”, këlthet Fishta.
Rrjedhimisht, duke u bërë pjesë e kësa themre rrezikzezë, a nuk rëndojnë ata pikërisht si “gurë vorri m’krye” të Kosovës dhe bijve të saj?

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …