Ndërsa në zemrën time gëlonte gëzimi fisnik për Kremten e shtrenjtë, një pyetje e hidhur, ndonëse e spostuar për një gjasë tjetër, përpiqej të çante rrethim. E pasprasme, ajo megjithatë, mori formën e saj: athua do tu vente mëndja Korifenjëve të Pavarësisë se, pas njëqind e sa vjetësh, trualli shqiptar do mbetej ende i grimcuar? “Na copëtoi Evropa, por djemtë do të dinë ti kërkojnë një ditë livadhet e veta”, i thoshte Plaku i Flamurit poetit e mikut, Ali Asllani. Disa, njëmend, do arrinin të kthenin diçka nga copat e grabitura, ndërkohë që të tjerë nuk do i kërkonin fare. Ata që, të ndihur nga armët vendimtare të aleatëve, i rimorën pjesërisht, për ironinë e fatit, i mbajnë për vete. I kullotin, gërryejnë e zgavrojnë me pejzit e vdekjes, si hiena të frikshme në shkallën dhe mënyrën e zezë që zgjojnë pa dashje mallin e kohëve të ikura..
“Si babai, ashtu edhe mësuesi, prifti, klasa shoqërore, princi, shohin në çdo qenie njerëzore një rast për zotërime të reja”! Ndoshta kjo është natyra e njeriut. Sidomos e atij të pajisur fuqie politike. E ligë. Posesive. Çoroditëse. Por sërish disa eksperienca të botës së lirë që kanë absolvuar, tashmë, kulturën e lirisë, sikur i bëjnë vërejtje mendimtarit të madh.
Dhe kjo është një dritë fanari në furtunë që dridhet e nuk shuhet. Por ja që Niçe akoma gjen provë saktësie dhe e gjen, mjerisht, ndër shqiptarë. Ndaj dhe, megjithëse nuk e kanë lexuar atë, meqë librat i blejnë prore me metër, sipas gjeometrisë së orendive dhe simetrisë provinciale – prapë rast më pjellak s’mund ta imagjinojë fantazia njerëzore. As e Friedrich-ut, po ashtu. Oligarkët primitivë të Kosovës, kanë jo vetëm një qenie, jo vetëm “livadhet e vjedhura”, por një shtet dhe një popull të tërë për ta zotëruar. Dhe e zotërojnë, vërtetë, kapërdishëm, e kjo domethënë plotësisht. Pastaj ballëlartë, se thonë të jenë çlirimtarë! Dhe, së fundmi, egërsisht, sepse bërtasin në kupë të qiellit: ne jemi pronarët tuaj!
O Ju Burra të Indipendencës e Lirisë dhe ju shpirtra të djegur të Përvujtnisë. Kjo tokë do ta firojë dhe këtë farë të ligë dhe atëherë, vetëm atëherë do të gjeni prehjen e amshuar. Nuk është ky veç dëshirim, shpresë e brishtë. Është urdhër i kohës. I dialektikës fuqimtare të saj…
Berlin, nëntor 2016