1. “Kur Krezi të kalojë lumin Halis, do të shkatërrohet një mbretëri”. Kjo kje përgjigja që i dhanë priftërinjtë e Delfit kërkesës për profeci, nga sovrani i Lidisë se si do të ftillohej e përfundonte beteja me persët flokëgjatë. Dhe ai u gëzua shumë e mori krahë. Por do të deshpërohej thellë më pas. Nuk ishte e armikut, por mbretëria e tij që do të shkatërrohej! Shenjat e kryepriftëreshës që shkumonte si e goditur hënëmarrokshëm tek jepte mesazhin fatthënës, interpretët i përçonin dinakërisht në mënyrë sugjestive: që ashtu të dilte prorë fjala e saj…Ç’ishte rëndësore, prandaj, e parathënmja do të realizohej plotësisht dhe orakulli do vijonte të mbështillej me hirin e mistershëm… Do t’më kujtohej kjo dromcë antike, kur gjykata Kushtetuese e Kosovës hodhi këtij dimri shtjellën e saj mjegullore të gjahut politik. Isaja e Hashimi, përmes ndërmjetëses së tyre të bindur, i dërguan asaj lutjen për zbardhjen e së drejtës së ndërdyshuar mbi Entitetin serbian të veriut, të negociuar e firmosur me entusiazëm ngadhnjyes në Bruksel. Dhe Kushtetuesja, posi koncili dinak priftëror, u tha dykuptimshëm: me tu bërë e ditur kjo profeci-vendim, një kauzë do të nisë e digjet. Por, vallë, cila? Ata, të tronditur e bashkuar si kurrë rreth bëmës së përbashkët, presin ankthshëm të digjet e armiqëve (se, pos tyre, nuk kanë armik tjetër!). Veçse, me gjasë, aritmetika kalkuluese nuk do dalë lehtësisht e saktë. As intonacioni i lojës taktike nuk do të ketë tingëllimin e bindshmërisë. Të gjitha zgjidhjet duhet të venë drejt së kundërtes: të thyhet e bëhet pluhur kauza e tyre e poshtër: afeksioni patogjen për të tregtuar toka e të drejta shqiptare.. 2. Lëndëshkelja kushtetuese dhe autorët e saj, janë të ndryshëm. Të tillë do të jenë, natyrisht, dhe shkalla e fajsisë apo konsekuencat penalizuese të saj. Kushtetuta mund të shkelet për një ndriçim udhësh kur s’ka nëvojë, për një të drejtë ndihmash sociale (si ndodhi me një procedim të Karlsruhes, pas ankesë-sqarimit të një voglusheje), pastaj, tutje, për shamitë a barkcullakimin e vajzave. E të tjera. Po kjo instancë që foli këto ditë, pat rrëzuar dy Presidentë: Pacollin dhe Sejdiun për cënime pasojash krejtësisht më të vogla për ecjen e vështirë të Republikës së re. Madje, do t’bëheshin shkas për një provë të mundshme trollëzimi të kulturës demokratike. Mirëpo rrëzimi i Isasë e Hashimit është ndryshe. Është ultësisht madhor. I ulët për krimin dhe madhor për refuzimin: deshën ta rietablojnë fshehtas Sërbinë e humbur në Kosovë! Atë që kishte fituar djemëria e përgjakur dhe aleatët atllantikë në një orë të dhuruar historie, do ta dorëzonin vetë, shtruar e qetësisht, – në tavolinën e blertë! Kisha shkruar më herët, duke bërë pyetjen logjike se si do pozicionohej dyshja mëkatare nëse Kushtetuesja do të verdiktonte ndryshe? Me ndjesi e kuptim shteti, apo? Pritmëria e tillë do t’ishte në kufijtë e absurdit. Koncepti i tyre është një miksurë tragjike e otomanizmit (kur sundojnë klanet e familjeve të mëdha), bolshevizmit (kur fuzionohet parti-shteti) dhe mafiokratizmit (kur krimi pushtetohet e bën ligjin mbi gjithçka)… Rezultoi, pra, pikërisht makthi i paralajmëruar: ata deklaruan ngutshëm e cinikisht se jemi legalistë dhe, që këtej, njohim pa hezitim vendimet e epërme konstitucionale! Ç’ironi! Po vepra e krimit? Faji i pakonsumuar dhe dënimi i tij? Ndaj, rrjedhimisht, gjyqi që duhet tu bëhët atyre, nuk mjafton të jetë vetëm moral. Apo veç politik. Gjyqi i tyre duhet të jetë ose penal ose popullor! Në shoqëritë vërtetësisht të lira, ky është epilogu i dramës. Ndryshe, e keqja përpetuohet pambarimisht si një ndëshkim i shkruar nga erinitë. Pas hashimisëve të tashëm, do të vinin hashimisët e rinovuar t’një kohe të dytë dhe, kështu, në rreth të mbyllur e paprerë, derisa subatanca e fundme e shtetit të bie si një ngrehë balte, që shkërmoqet nga era dhe shiu..! 3. Gurra e referencave është vërshuese për ata që, së paku, kanë dhuntinë e vullnetit për dije… E do t’përthithin nektarin e saj nga urtakët, e, poaq, nga demoniakët, që kanë lënë pas dhe shkolla mendimesh e moralesh kontradiktore… “Fjala duhet të rrezatojë dashuri në komunitet”, thotë, fjala vjen, Libri i vjetër. Kurse Adolfi gjakbërë, madje dhe ai, aniqë në kulm cinizmi të rrallë, pohonte se “e drejta e qytetarit rrëzon të drejtën e shtetit”. Ndërkaq, frëngjët, midis këtyre dy kohëve e gjasëve, patën përligjur qyshkur kryengritjen kundër qeverisë, kur ajo do t’merrte n’për këmbë interesat popullorë. Por kur kasta e denigrantëve, mjerisht, nuk mëson dot dhe në vend të dashurisë – përhap urrejtje dhe, pastaj, në vend të së drejtës së qytetarit – është e drejta e shtetit që shkallmon atë përtokë, ç’i mbetet tjetër një kombi të organizuar? Gjithësesi frymëzimi i ligjshëm që përcaktonte qytetnia e atdheut të Marsejezës, e atyre “që kanë mall për revolucione” : përmbysja me çdo mjet e çmim i zogorisë që kall e bën hí ardhmërinë!.. Si do ta kap sensi kolektiv këtë mesazh të epokës? Kur të heqësh dorë nga lufta, ke hequr dorë nga jeta e madhe..Dhe asgjë, do të pohonte Niçe në vend të përgjigjes, nuk është aq pak objekt i zilisë sonë sa kopeja morale dhe lumturia e dhjamosur e ndërgjegjes së qetë… Njëmend, a nuk fton ky mot ngjarjesh të mëdha trazim kundërshti e jetë të madhe?..
Rexhep Kasumaj: Ahti i gjakut
Sa shpejtësi ka, vallë, kjo adhurimplota Europë?
Dy, thonë kreatorët e betuar që e besojnë horizontin e bardhë. Dhe njohësit e dyshimtarët e saj, poashtu.
Të parës i prijnë gjermanët e ca të tjerë përreth, kurse të dytës, më të ngadaltë – ata të bllokut jugor a mesdhetar që kalon orë të dhimbshme nën trysninë e lojalitetit të vështirë.
Por, për ironi, doli të ketë dhe një të tretë, atë të mbramën: shpejtësinë e kërmilltë dhe, madje, cinike e hatërmbetëse për statusin që ka krijuar e, rrjedhimisht, duhet ta vuajë vetë!
Dhe Greqia është postamenti, emri e prova identifikuese e saj!
Njeriu i ri i këtij trualli të lashtë, me ç’duket, ka braktisur ose s’pat adoptuar kurrë vlerat sublime të ResPublica-s dhe filozofisë libertare. Që këtej dhe ky keqkuptim e kjo distancë ndanë qytetnisë demokratike të Europës së vjetër.
Kjo e ngadalta do të përnxisë, mbase, dhe diskursin e një përvijimi të mundshëm në larginë: mbijetesën turbulente të Europës me xhuxhër të shpejtësisë greke apo varrezën përkujtimore ku do prehej ëndrra e saj!
Sepse, vërtetë, kush mund të ndjekë kultin e punës, disiplinën e hekurt dhe turrin e rrëmbyer berlinez?
Mirëpo, përveç ligjit të poshtëm, të prekshëm e fizik, të shpejtësive, athua ka dhe një tjetër shtysë më të hirtë, më të thellë e më të epërme për rrokullimën greke?
Helenët, edhepse nuk janë bijë të kulluar të antikes, do të duhej të njihnin shenjat mitike a të kishin një përkitje me frymësinë e tyre tek zbret vranshëm ndër breza të vonë bastardhë: mallkimin që shestojnë legjendat e moçme!
Është, pra, një aht që merr prore hakun e pahumbshëm: zënja e gjakut! Ahti i tij i rëndë. Ahti i gjakut të huaj. I atij që derdhej nga thikë e tyre, apo e aleatëve të egër të krimit – thika vrastare serbiane. Sepse, më shumë se askush, ishte Athina e duhmave të ortodoksisë dhe fantazmave të madhështisë, që mbështeti, ngashnjeu e frymëzoi barbarinë e saj. E, megjithëse thikat ishin të ndryshme, të përbashkët e patën kauzën negative dhe viktimën e pafaj: shqiptare, pothuajse, gjithmonë!
Tani, së fundmi, greku që korr furtunën e, ndaj, gatitet për ti lënë tumirën Shtëpisë, nuk bën, mjerisht, jetën – por kopjen e saj të zbehtë. Dramatike gjithësesi, veçse një dramë aspak madhnore. Protagonistë, tashmë, nuk janë heronjtë e shpatës, të pegasëve flatrues, dashurisë, kështjellave të pushtuara… Por është turma amorfe e të uriturve që presin zymtor agun dhe urrejnë ditën e bukur që zbardh dheun!..
2. Doktrina e gabuar?
“Për tu paraqitur para jush, na u desh të vinim nga larg. Për këtë arsye, ne jemi më të vonuarit e Europës…të greminosur prorë n’kërkim të së vërtetës”!
Dhe shqiptarët, posi frëngjët e Kamysë së posacituar (ndonëse e thënë në një kontekst tjetër), vijnë nga larg. Me rrënjë e gjuhë të lashtë, ata shtegtuan shekujsh fisnikërie n’kërkim të vetmuar të së vërtetës. Madje, janë të rrallët që kanë ngritur këtë ngulm historie në doktrinë: të mos bëjnë mortin e tjetrit, si gjasë të lumnisë së vet!
Por, mjerisht, pa e ditur se fatet e kombeve – anise përherë në anën e tyre – nuk i vendosin: as e drejta, as e vërteta. Aq më pak dhimbja. Ato i farkojnë Mashtrimi e Fuqia dhe Armët e Ideologjia…
Nuk ka, ndaj, lokomotivë force, kanceleri që vijëzojnë hemisfera apo tryezë terrori të bardhë nënqeshjesh, që mund t’lëvizë nga lotët, përgjërimi, keqardhja apo mëshira…Askurrë!
Veçse, ndonjëherë, kur parimi fqinjëron interesin, formula shpëtimtare stoliset me diademën e rreme të shkëlqimit altruist…E pastaj, bien deri në qiell kumbonat shurdhuese të moralit, etikës a filozofisë së re humane tek pret në portat e s’ardhmes. Dhe ngjizen, poashtu, mitet e Oborreve të miqësisë së përjetshme dhe Gjeneralëve që admirojnë lulet paqësore t’kopshteve të largëta!..
3. Mbi armiqtë e vetëvetes…
Ndër vite e shekuj, është folur e shkruar shumë për shqiptarë: nga vullnetmirë e smirëzinjë, gjeneralë e njerëz letrash…Pastaj me tymnajë pezhorative, disa, apo me hymnizim fluturak, ca të tjerë…Por, ndërkaq, urrejtja nuk është kurrë argument, e as afeksioni pozitiv, poashtu..!
E, i thelli urtak Lamartin do ta jepte kështu, me pak fjalë, pikturën e qenies shqiptare: “Kjo është toka e heronjve të të gjithë kohërave… Homeri aty gjeti Akilin, grekët Aleksandrin e Madh, turqit Skënderbeun, njerëz këta të së njejtës racë, të të njejtit gjak…Ky komb e ky popull nuk merret nëpër këmbë…”!
Por ç’të bëhet, Ti shpirt fisnik e mirëdashës i vjetër, kur vetë ata, me një perfeksion të organizuar e kombëtarisht pajtimplotë – marrin nëpër këmbë veten e tyre?!
(Triptik)