1. Krerë të guvernës së lëkundur të Prishtinës, sajojnë si qakaj të hallakatur kurthe e taktika, për të shmangur përballjen me atë që quhet ligj. Mirëpo, sipas një fataliteti të çuditshëm që ndjek prorë kohët e sundtarëve të Kosovës, eksperiencat janë paqëtuese. Ligjet me veglërinë e tërë ekzistojnë vetëm për të dobëtit. Dhe Balzaku qëmoti shkruante figurshëm se ato janë ca si rrjeta merimangash që shqyhen nga mizat e mëdha, e ku ngecin ato të voglat…Po, sërish, droja sikur s’mërgon nga zemrat e tyre të helmta. Sepse, së paku, dialektika që ruan balansin natyral mes të me të mirës e të keqes, e thotë një ditë fjalën e saj…Dhe ky është makthi i vërtetë i hierarkëve që janë mbyllur në kullat e epërme nga s’shohin asgjë poshtë tyre…Ata duan ta gëzojnë kalimsinë – e jo historinë. E tashmja për vdektarët impersonalë është e gjallë, e prekshme, jetike…Horaci thoshte se nuk është nder e kënaqësi vetëm të vdesësh, por dhe të jetosh për atdhe. Mirëpo urtaku latin lexohet ose, më saktë, ndjehet instinktivisht (se leximi është mallkim) ndryshmërisht prej tyre. Meqë vdekjen s’e bëjnë dot – aherë kanë zgjedhur të jetojnë për të, por krejt në kah të kundërt nga ç’do të ketë kujtuar mendjelashti i uruar: hajnueshëm, vrasshëm, grabitshëm, rrenacakshëm, dhunshëm, trathtueshëm, e pra – poshtërisht! 2. Çfarë do të ndodhte, që këndej, sikur Kushtetuesja e përdalë të verdiktonte refuzimin e plotë (sepse si pranimi ashtu dhe refuzimi vetëm i tillë mund të jetë), të “Entitetit serb” si shkelës të shkronjës dhe frymës së saj? Dhe, pastaj, nëse një ekspertizë (edhe e huaj), të konstatonte dhurimin shpirtmadh të bjeshkëve e të mijëra hektarë kullotash Malit të Zi? Apo, së fundmi, ndonëse pushtetësit e Prishtinës i tmerron demokracia direkte si çelës vullneti, një plebishit referendar ta bënte këtë gjë, njëj udhe më të thjeshtë e të bindshme? Aherë Premieri rrëshqanor dhe ndihmësi i tij, ky pinokio i drunjtë, do thoshin ngutshëm e cinikisht: ne jemi legalistë dhe, ndaj, njohim pa hezitim vendimet e instancave të epërme! Në fakt, bishtpërdredhuri i parë, me shpresën bizare në përgjigjen e favorshme gjykatës, paratha tashmë këtë lojë… Vetëm kaq, vallë? Po vepra e krimit? Po faji? Po ndëshkimi i tij? Ç’përceptim shpërdorues i punës a interesit publik dhe ç’keqkuptim tragjik i shtetit të së drejtës! 3. “Marrëzia është e rrallë tek njerëzit e veçantë, kurse tek grupet, partitë, popujt a epokat, është një rregull”! Kështu pohon Niçe (“Përtej së Mirës dhe së Keqes”), por, me gjasë, nuk rrjedhon të jetë e saktë gjithmonë. Në Kosovën e sotme ajo, madhnia e saj, Marrëzia, është gati totale: tek të veçantët dhe tek të gjithë! Erazmo i Roterdamit (“Lavdi marrisë”) i thurte hymn asaj, sepse, si thoshte, Hyu e kishte zbritur mëshirshëm poshtë, për ta shpëtuar botën nga serioziteti i mendimtarëve… Rezulton, pra, se, sa më e dendur mjegullina e saj – aq më e lumur do jetë njerëzia pa dritën e mërzitshme mendimore..! Po a nuk, vërtetë, kështu? Ku do gjesh turmë më të gëzuar se në Kosovë? Këtë e konfirmojnë dhe relatorët e huaj që bëjnë barometrat e specifikuar duke i vënë gjithnjë shqiptarët e Republikës së re në ballë të tabelës! E pse tani duhet të ndryshojë kjo magji? Berlin 2015
Rexhep Kasumaj: Farsa e kuvendimit!
Ka një kohë për gjithçka, thotë Bibla, po përse nuk e marrin vesh këtë mësim të vjetër regjimtarët e fortifikuar i Prishtinës?
Jo, jo. Çuditërisht ata as nuk duan dhe as nuk dijnë. Janë obskurë e të trëmbur si askush. I tmerron alternimi rregullar dhe përballja me statusin e qytetarit të lirë…
Ndaj dhe, duke keqlexuar Sekretarin Kerry, të pajisur shprese se janë favorizuar pozicionalisht, bëjnë ftesën bajate për dialog!
Dhe ndërsa qëllimmirët (Meta i Tiranës) nuk posedojnë asgjë pos hirit të fismë, hipokritët (Hashim e Isa), nga ana e tyre, kanë hedhur një kartë të ligë në qarkullim: arnimin e imazhit të rrugëdalësit nga nyja e krijuar vetë.
Si rrëfen historia pllitike, çdo negociatë nënkupton një përafrim palësh drejt qendrës pajtimore! Aherë: meqë opozita refuzon në plotni dy Marrëveshjet, për “Zajednicë” e “Demarkacion”, ç’kuptim do të kishte një kuvendim i tillë. Dhe mbi ç’premisë?
Ndoshta Premieri nuk pret thyerjen e vështirë opozitës por, pas syzimit me të, këtë kuvendtarin e zott e sugjestiv, së paku, tërheqjen pjesore të saj. Arritja e këtij caku të shenjuar do ti nënshtronte pastaj gjithçka së njëjtës logjikë, formulë e pikëfillesë: tregtimi i tokave dhe interesit kombëtar. Mbase Statusi i ”Zajednicës” pudrosej mashtrueshëm, si nuset e pabukura, ndërkohë që për Demarkacionin do të rihapej tregtimi, jo për ti kthyer, po për të rimatur kuotën e hektarëve që i falen Malit të Zi: 10.000, 5000, 7000…apo sa?!
Dhe titullarët do festonin saturnalisht, i madh e i vogël, fitoren shkëlqimtare. Belgradi poashtu, madje pa fshehur gëzimin e triumfit historik, si do të shprehej shefi i diplomacisë tek rezymonte punën njëvjetore të qeverisë. Kurse kundërshtarët e Serbisë që përceptohen si armiqë të klikës lokale vetë: edhe do mposhten edhe do poshtërohen. E bashkë me ta dhe kauza e shtetit që lëkundet ecjesh si një fëmijë i retarduar…
Kuvendimi, vërtetë, s’ka si të mos jetë një farsë për moralin dhe i pamundshëm për të drejtën!
Berlin, dhjetor 2015
Rexhep Kasumaj: “Kultura e teprisë”, një thirrje për zhbërjen e saj
Ndërsa një muzg, me erën që ndiqte retë dhe fletët e molisura, mendoja për dramën e fundme të Prishtinës, do t’më kujtohej një floskulë (e kujt kje vallë?) tepër interesante e domethënëse: ”Kultura e teprisë”!
Natyrisht, farkuesi i hollë do ta ketë vënë në një kontekst tjetër, por unë me ngasjen e vetishme për ta adoptuar në miljeun e mbërthyer ekstremesh e improvizimesh të çuditshme, thashë me vete: po ku është trollëzuar e tillë farë më mirë?
Etablimi i saj, tashmë, rezulton të ketë dy nivele, dy ndërgjegje dhe dy kahe përballëse a, krejt, të kundërta që prekin kulmet e teprisë: njëra është vepruese, e pandjeshme dhe agresive, kurse tjetra e lëbyrshme, bestyte dhe fatpajtuese! Po kush, vallë, identifikohet me to? Të parët – e cilët tjetër? – janë hierarkët e pushteteve, ndërkohë që të dytët – a s’kuptohet lehtësisht? – janë turma, elektorët dhe hijefigurat nga “Të përbuzurit…” e Franc Fanonit!..Duke qenë një sipërkulturë, ajo ka poshtëvënë gjithë të tjerat: kulturën e përgjegjshmërisë (ligjbërja e kartelave të krimit), të harmonisë (shkallmosja e klasës mesme si nyjë paqëtuese), atë kritike (klientelizmi i pështirë medial), mandej, poaq, të rezistencës civile (nënshtrimi i pakusht ndaj naciokratëve të ndërkryer) dhe, së fundmi, vetë kulturën e lirisë!..
Dhe ah, darët e teprisë kapullojnë gjithçka: në një anë, tepri në vjedhje e mashtrim, pabarazi e vobektësim (athua ka masë etike për to!?) dhe, në anën tjetër të humnerës: tepri në apati, si shndërrim i atdhetizmit kushtetues në gjunjëzim popullor (a ka peshore të arsyes për të!?), ose, më saktë, si do thoshte Orveli, meqë i zgjedhin lirshëm përfaqësuesit politikë – tepri edhe në pjesëmarrje e bashkëpunim me shkaktarët e fatkeqësisë së vet.
Gjendja sikur ngjan fare shpresëkotë sepse, mjerisht, perpetuohet pambarimisht në rreth të mbyllur: të parët nuk fisnikërohen, e të dytët, ndërkaq, nuk vetëdijësohen! Rrjedhimisht, ndërsa hierarkët katrrisen me thonj e gjak, për t’mos rënë nga qarkullimi horizontal i sundimit, të përbuzurit zjejnë e rrotullohen në botën e asgjëbërjes, pa ëndërruar, apo organizuar kolektivisht mohin e rendit të bajlozëve të zinj!..
Amorfiteti i të poshtmëve ka, ndaj, shprehjen e kërkimdaljes individuale nga unaza shtrënguese mbi jetët e tyre. Një palë do të heshtin, një tjetër priret për shpërngulje në largësitë e panjohura dhe ndonjëri nga palë e tretë, po qëlloi të ketë shkundje a vegime shpëtimtare, nuk pikësynon askurrë ti shmanget skemës së trishtë. Madje, besnik i tipologjisë fanoniane, vuan dëshirimin e fshehtë për tu ngjitur në galerinë e të epërmve, pra jo drejt lirisë së vet dhe të tjetrit, por, në ndjekje të rregullave unikale të “teprisë”, për tu bërë edhe ai – Persekutor!
“Ai ç’prej vjetësh tremijë
Nuk mësoi gjë për veten,
I tretur mbetet n’errësi
Nga dita n’ditë t’shtyjë jetën”!
Patriarku i letrave të Europës, Gëte, thuase do ti ketë shkruar këto vargje, disi, parathënshëm, jo për gjermanët e vet, por pikërisht për shqiptarët, që, të pamësuar çlirësie ndër qindjeçarë, gëzojnë ende statusin e përulshëm të kujdestarisë, tipik për popuj adoleshentë apo veteranë të robnisë!
Berlin, dimër 2015