Rexhep Kasumaj: Zonja e Trishtuar

(Një paralele e vonuar qensh)

 

Shoqëritë kuazi–urbane a të posadalë terrin të gjatë robnor, në pirgun e madh dertar kanë edhe qentë bredharakë. Fati i tyre ekzistencialë sikur merr pjesë, ashtu, në fatin e vetë njeriut. Distinkcioni është fare i hollë: qentë vriten gjithë teatër e zhurmë, ndërkohë që njeriu shuhet, heshtur e pa bujë: duke u vjedhur, vorfnuar e dëbuar!

 

Rrjedhimisht, prandaj, në vend që të akomodohen në qendra refugjimi, armata e rreckosur shëtitëse e këtyre krijesave të pafaj e besnike, asgjësohen barbarisht nga komunarët e ndërkryer, kudo shesheve a skutave provinciale…

 

Ndoshta kjo kulturë qen-mbytëse, do të ketë prekur njerëzisht aktoren famëmadhe, Bardo, që, disa kohë më parë, t’i shkruante plot dhimbje e politesë, letër ankese një kryebashkiaku (I. B.) të hershëm të Prishtinës. Natyrisht, adresanti ishte i drynuar në inercien e mendësisë parake, dhe, mjerisht, letra kje përgjithmonë e pafat.

 

Mirëpo, me gjasë, zonjërënda nga “t’blertat vrríje, ku me shkue dona”,

si do thoshte Fishta, kishte huqur radhë. Nuk e kish ditur, e gjora, se gropa ballkanëse është ende e thellë e mallkuese. Në Kosovë gjerbon një lloj tjetër i species qenërore me fytyrë njeriu, që duhet trajtuar me ngut: kasta e titanëve të tërbuar të politikës. Veçse me një kah rreptësisht të kundërt. Sepse ka një relatë e përmasë të ndryshme krahasimore impakti i tyre në rrjedhnajën sociale.

 

Ndërsa, pra, qentë e shkretë të skaj udhëve rrëmujtare, lëvizin drejt njerëzve lirshëm e me sytë e lutjes – këta qentë pushtetarë, trëmben, sigurohen e mbajnë distancë të largët autoritare me poret e prekshme të jetës. Dhe, tutje, ndërsa të parët braktisen përbuzshëm – të dytët gëzojnë mëkimin e përkorë dhe adhurimin e përulshëm. Mandej, ndërsa të parët janë përherë të uritur e rrahur nga era e shiu – të dytët janë grykësorë të mbingopur në kullat e mermerta bashkë me piramidën e vëllezërisë dhe klientelës së tyre zhganore. Tutje akoma, ndërsa nga familje e të parëve, për moskujdesje medikale, qëllon rrallë të çartet ndonjë syresh – këta të dytët janë të çartur të gjithë. E, krejt së fundmi, ndërsa të parët nuk janë aspak ose pak dëmësorë për buxhetin, ambientin a imazhin – të dytët rrënojnë gjithçka: edhe ëndrrën e ditës së nesërme që s’vjen kurrë, edhe natyrën e pazot që dhunohet nga njeriu i saj, edhe imazhin që përdhoset për gazin e botës.

 

E tani, si kundërletër të vonuar për Zonjën e merakosur – bëjmë pyetjen e hapur: a nuk do të duhej që, mbase, pikërisht ky soj qenësh të tempullit politik, të merret në dorën popullore? Por, si thamë, me doktrinë dhe elaborat të ndryshëm: pa mort (se tashmë jemi një milje demokracie), por, për shkak të asimetrisë tragjike të dëmit – të shpallen qenëri dykëmbëshe me rrezikshmëri të lartë kombëtare. Dhe, që këtej, të shenjohen e shfytyrohen, e, më pas, të veçohen e mbyllen në institucionet liriprerëse që njeh bota e lirë.

 

Pra, dhe bota e zonjës së naltënderuar franceze!..

Dhjetër 2015-12-31 Berlin

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …