Dy gjedhet e politikës e të kulturës sonë
Sikundër mund të shihet prej shkrimeve që kam botuar në Gazetën shqiptare prej 25 janarit e deri më 3 maj të këtij viti, në jetën tonë kombëtare – politike, kulturore, shoqërore sot mbizotërojnë dy gjedhe (paradigma) mendimesh, sjelljesh dhe veprimesh. Njërën prej tyre mund ta quajmë gjedhe politike dhe pushtetore autoritare, kurse tjetrën gjedhe kulturore servile.
Të parën, gjedhen politike dhe pushtetore autoritare e përfaqëson ish sekretari i organizatës themelore të Partisë së Punës së Shqipërisë në Fakultetin e Mjekësisë në të vërtetë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, Sali Berisha, ish kryetari i Shqipërisë, Sali Berisha, kryeministri i tashëm i Shqipërisë, Sali Berisha dhe kryetari njëzetvjeçar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, kurse të dytën, gjedhen kulturore servile, e përfaqëson ish deputeti në dy mandate i Kuvendit të Shqipërisë, nënkryetari i Frontit Demokratik të Shqipërisë (komuniste), zëdhënësi letrar dhe publicistik i politikës së brendshme dhe i politikës së jashtme të Enver Hoxhës, shkrimtari Ismail Kadare.
Ndikimi i këtyre dy gjedheve, i gjedhes politike e pushtetore autoritare dhe i gjedhes kulturore servile, në jetën shoqërore, politike dhe kulturore shqiptare, është jashtëzakonisht i madh, i tejshtrirë dhe i gjithanshëm.
Dhe, ky ndikim jashtëzakonisht i madh, i tejshtrirë dhe i gjithanshëm i këtyre dy gjedheve në jetën shoqërore, politike dhe kulturore shqiptare, i detyrohet një vargu faktorësh të djeshëm e të sotëm.
Ndikimi i gjedhes së parë, i gjedhes politike e pushtetore autoritare, i detyrohet në asnjë rast autoritetit plotësisht të munguar të përfaqësuesit të saj, Sali Berisha, po mendësisë ende të patejkaluar tribaliste të një pjese të madhe të popullit, në njërën anë, kurse inxhinieringut pushtetor të trashëguar nga rendi politik shoqëror komunist, në anën tjetër.
Ndikimi i gjedhes së dytë, i gjedhes kulturore servile, i detyrohet autoritetit të trashëguar letrar të përfaqësuesit të saj, Ismail Kadare, në vazhdimësi, dje si sot, të përkrahur prej institucionesh shtetërore, në njërën anë, kurse, prej disa qarqesh konservative politike e fetare evropiane, në anën tjetër.
Megjithëse emërtimi i tyre – gjedhe politike e pushtetore autoritare i njërës dhe gjedhe kulturore servile i tjetrës flet për gjedhe mendimesh, sjelljesh dhe veprimesh të pavarura njëra nga tjetra, ato janë ngushtë të lidhura mes vete, e ndihmojnë shumë njëra-tjetrën për arsye se i duhen fort njëra-tjetrës, i prodhojnë leverdi të ndryshme njëra-tjetrës. Tekembramja edhe emërtimet që kanë i tregojnë fare qartë lidhjet e ngushta ndërmjet tyre: gjedhja politike e pushtetore autoritare e shpërblen gjedhen kulturore servile, kurse gjedhja kulturore servile me veprimtarinë e vet e bën të ligjshme gjedhen politike autoritare.
E kuptueshme: autoritarizmi politik e shtetëror i politikanëve dhe servilizmi i krijuesve në jetën tonë tradicionalisht kanë marrëdhënie shkakësie dhe pasoje, në të vërtetë pasoje dhe shkakësie!
Të shohim shkurtimisht se çka përmbajnë, çka i karakterizon këto dy gjedhe mendimesh, sjelljesh dhe veprimesh në jetën tonë shoqërore, politike dhe kulturore.
Gjedhja politike dhe pushtetore autoritare
Gjedhja politike e pushtetore autoritare, të cilën e përfaqëson kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Sali Berisha, është gjedhe, në shikim të parë, e paprovuar në jetën politike, shoqërore dhe shtetërore shqiptare. Ç’është e vërteta, në të, në këtë gjedhe, janë të përmbajtur përbërës të mjeshtërisë politike, ideologjike dhe pushtetore komuniste, saktësisht staliniste, por, si gjedhe mendimesh, sjelljesh, veprimesh politike e pushtetore është aq e pasuruar me përbërës të rinj, të panjohur e të pazbatuar më parë, saqë si tërësi, ajo lë përshtypjen e gjedhes së re të mendimeve, të sjelljeve dhe të veprimeve politike e pushtetore. Emri i saj, ndërkaq, vjen prej bashkëdyzimit politik e pushtetor të përbërësve të trashëguar dhe përbërësve të rinj, origjinalë, të shpikur pas rënies së komunizmit.
Gjedhja politike e pushtetore autoritare, që përfaqëson Sali Berisha, në masë të madhe është e privuar prej përbërësve themelorë të qytetërimit evropian. Sikundër e thonë studiuesit e tij, përbërësit qendrorë të qytetërimit evropianë janë: 1. krishterimi dhe 2. shteti i së drejtës. Nuk ka dyshim se në gjedhen politike autoritare, të përfaqësuar prej Sali Berishës, vlerat shpirtërore dhe standardet e sjelljeve e të veprimeve të qytetërimit evropian në masë të madhe janë tretur, janë zvetënuar sa prej trysnisë së mendimeve, sjelljeve dhe veprimeve kundërdemokratike të Sali Berishaës e Jozefina Topallit aq edhe prej mendimeve, sjelljeve dhe veprimeve të pretorianëve e ithtarëve të tyre të njohur e të panjohur.
Ky zvetënim është aq i përshtrirë dhe aq i dukshëm saqë mund të thuhet se në këtë gjedhe politike e pushtetore autoritare feja nuk ka arritur me asgjë të saj të shpirtëzojë politikën, por, përkundrazi, politika ka arritur ku e kur ta politizojë fenë e, sidomos, të politizojë disa prej zëdhënësve të saj klerikalë!
Edhe më shumë se vlerat shpirtërore dhe standardet e sjelljeve të përbërësit të parë themelor të qytetërimit evropian – të krishterimit, zvetënim, madje, komprometim rrënjësor në gjedhen politike autoritare, të përfaqësuar prej Sali Berishës, kanë pësuar vlerat dhe normat e përbërësit të dytë themelorë të qytetërimit evropian – të shtetit të së drejtës.
Pikërisht vlerat e shtetit të së drejtës – përcaktimi i rregullimit racional të shoqërisë, i rregullimit me kushtetutë e me ligje, dhe sigurimi e mbrojtja e të drejtave të njeriut, ndër të cilat pashmangshëm hyjnë edhe të drejtat sociale, pikërisht, pra, këto vlera në gjedhen politike e pushtetore autoritare, që përfaqëson Sali Berisha, kanë pësuar zvetënim dhe komprometim të rëndë, kur e kur e ku e ku me shumë pasoja për shoqërinë e shtetin. Mund të thuhet kështu qoftë edhe për arsye pse në disa mjedise të Shqipërisë, sado të vogla qofshin ato, marrëdhëniet shoqërore ende i rregullon Kanuni e jo shteti i së drejtës. Shembull tragjik për këtë janë gjakmarrjet dhe mbylljet shumëvjeçare të jo pak familjeve! Po dëshmi thelbësore të komprometimit të shtetit të së drejtës në gjedhen politike e pushtetore, që përfaqëson Sali Berisha, janë shkeljet e vazhdueshme gjatë mandateve të tij të Kushtetutës dhe të ligjeve nga ana e qeverisë, sidomos nga ana e vetë kryeministrit, kur e kur, edhe nga ana e vetë Kuvendit të Shqipërisë. Kronikanët shkruajnë për 28 shkelje të tilla të Kushtetutës nga ana e qeverisë, kryeministrit të saj dhe të vetë Kuvendit deri sot!
Gjedhja politike e pushtetore autoritare, që përfaqëson Sali Berisha, është gjedhe në të cilën as njëzet vjet pas rënies së komunizmit ligji nuk e ka zëvendësuar forcën dhe nuk e ka zëvendësuar për shkak se forca vazhdon ta kërcënojë, ta shantazhojë, ta mënjanojë ligjin!
Dëshmitë për këtë pohim janë të panumërta.
Çka është trysnia ekonomike ndaj mediave? Çka është shantazhi ndaj gazetarëve? Çka është ndërhyrja politike në veprimtarinë e mediave? Çka është shndërrimi i disa televizioneve dhe i disa gazetave në megafonë të përulur të regjimit të Sali Berishës? Padyshim zëvendësim i ligjit nga forca dhe cënim i rëndë i vlerave demokratike evropiane.
Çka janë kërcënimet që përfaqësuesi i kësaj gjedheje politike e pushtetore, Sali Berisha, ua bën disa deputetëve, përfaqësuesve të opozitës , disa titullarëve të lartë shtetërorë? Pa dyshim zëvendësim i ligjit nga forca!
Çka janë kërcënimet që kryeministri i Shqipërisë i bën partisë kryesore opozitare – Partisë Socialiste se është organizuese e grushtshtetit më 21 janar të këtij viti? Pa dyshim zëvendësim i ligjit nga forca!
Çka është cilësimi i protestës së qytetarëve më 21 janar si grushtet, që kishte për qëllim përmbysjen e rendit politik dhe shtetëror? Pa dyshim zëvendësim i ligjit nga forca!
Çka janë kërcënimet që u bëhen protestuesve kur quhen banditë, mafiozë, narkomanë, dhuna e ushtruar ndaj tyre dhe burgosjet e një numri të tyre? Pa dyshim zëvendësim i ligjit nga forca!
Çka është kandidimi i ministrit të Mbrojtjes për kryetar të Bashkisë së Tiranës edhe pse në ditët e ministrimit të tij janë vrarë katër protestues të pafajshëm? Pa dyshim zëvendësim i ligjit nga forca!
Çka është rikthimi në pozitë të ministrit të një sektori tjetër ministror të ministrit të dorëhequr të Mbrojtjes, i cili ushtrinë shqiptare e ministronte në kohën e tragjedisë së Gërdecit? Pa dyshim zëvendësim i ligjit nga forca!
Çka është nxjerrja e mësuesit nga puna për shkak se vetë me nxënësit nuk pranon të dalë në fushatën që bën këto ditë Sali Berisha për zgjedhjet vendore? Pa dyshim zëvendësim parak i ligjit me forcën parake!
Çka janë mashtrimet dhe rrenat e vazhdueshme, që i qet përpara opinionit shqiptar përfaqësuesi i kësaj gjedheje politike e pushtetore, Sali Berisha, pa pësuar asnjëherë kurrfarë ndëshkimi politik a ligjor? Pa dyshim zëvendësim i ligjit nga forca!
Çka janë fyerjet e egra që vetjeve të ndryshme politike e shtetërore u bën përfaqësuesi i gjedhes politike e pushtetore autoritare, Sali Berisha? Pa dyshim zëvendësim i ligjit nga forca! E të tjera e të tjera!
Gjedhja politike e pushtetore autoritare, që përfaqëson Sali Berisha, në vazhdimësi përjashton mundësitë e gjasave për të gjithë. Në të janë të privilegjuar partizanët e kësaj gjedheje, ndërsa janë të privuar prej asaj mundësie shumë të tjerë, në mënyrë të veçantë kundërshtarët e saj.
Në gjedhen politike e pushtetore autoritare, që përfaqëson Sali Berisha, është fort e cenuar edhe barazia e qytetarëve para ligjit. Po të mos ishte kështu siç thuhet atëherë nuk do të ndodhte që në procesin gjyqësor të Gërdecit as tri vjet pas kësaj tragjedie të mos ketë të ndëshkuar për vrasjen e 26 qytetarëve, midis të cilëve edhe gra e fëmijë, dhe për plagosjen e sakatosjen e qindra të tjerëve! Dhe, më tej: po të mos ishte kështu siç thuhet atëherë nuk do të ndodhte që të ndëshkoheshin hajna fare të vegjël për korrupsion, kurse hajnat e mëdhenj dhe hajneshat e mëdha të vazhdojnë të jenë deputetë e deputete, ministra e ministre, drejtorë e drejtoresha!
Gjedhja politike e pushtetore autoritare, që mbizotëron sot në Shqipërinë shtetërore dhe që e përfaqëson Sali Berisha, është gjedhe që përjashton përgjegjshmërinë e zyrtarëve dhe të ithtarëve të saj, prandaj edhe ndëshkueshmërinë për fajet, gabimet, pasojat e papërgjegjshmërisë së tyre. Se në jetën politike dhe shtetërore shqiptare, se në gjedhen politike e pushtetore autoritare, që përfaqëson Sali Berisha, pandëshkueshmëria për papërgjegjësinë dhe gabimet, pavarësisht sa të vogla a të mëdha mund të jenë ato, është “kulturë” politike, më së pari u dëgjua prej zëdhënëses së komisionerit për zgjerim të Bashkimit Evropian, Shtefan Fyle. Në këtë gjedhe politike e pushtetore, që përfaqëson Sali Berisha, mund të jesh përgjegjës për shpërdorim të detyrës , mitmarrje, korrupsion, plaçkitje, spekulim, falsifikim, gënjeshtër, mashtrim, por nuk do të jesh i ndëshkuar në qoftë se je i mbrojtur prej përfaqësuesit të kësaj gjedheje dhe prej pretorianëve të tij partiakë e pushtetorë!
Gjedhja politike e pushtetore autoritare, të cilën e përfaqëson Sali Berisha, në të vërtetë nuk është gjedhe e qeverisjes po e sundimit, e sundimit madje parak, të pamëshirshëm, të egër, që do të sendërtohej në mënyra shumë më tragjike po të mos ishin mbikëqyrjet e SHBA-ve dhe të BE-së. Marrëdhëniet që në këtë gjedhe krijohen ndërmjet njerëzve dhe pushtetit në të vërtetë janë marrëdhënie të zotërisë dhe besnikut të detyruar, të punëdhënësit dhe punëbërësit, të urdhëruesit dhe urdhërzbatuesit!
Nuk është shumë e çuditshme, prandaj, pse pasojat më të dukshme të sundimit të kësaj gjedheje politike e pushtetore autoritare, të përfaqësuar prej Sali Berishës, janë: shkretimi shpirtëror, zvetënimi moral, padrejtësitë e llojllojshme, hakmarrja, zhvendosja e pandërprerë e shqiptarëve në botë, kërcënimet, përdorimi shkatërrues i drogës e i alkoolit, trafikimi i qenieve njerëzore, shantazhet, dhuna në familje, dhuna ndaj grave, mënjanësia ndaj fatkeqësisë, dhembjes, varfërisë së fqinjit, pandjesia ndaj padrejtësive që bëhen në botë, poshtërimet, poshtërsitë dhe ndotësitë e pamatshme që prodhon politika autoritare në jetën tonë.
Gjedhja politike e pushtetore autoritare , që zotëron sot në Shqipëri, e përfaqësuar prej Sali Berishës, është gjedhe pothuaj unike në historinë njëqindvjeçare të shtetit shqiptar, në të cilën janë mposhtur besa, burrëria, nderi, dinjiteti dhe, në përgjithësi, vlerat që e kanë mbajtur popullin shqiptar gjatë historisë së tij duke e sjellë deri te krijimi i shtetit, në të vërtetë deri te krijimi i dy shteteve, të cilat do të mund të bashkohen vetëm kur të tejkalohet kjo gjedhe politike e pushtetore autoritare dhe shpërbërëse e vlerave shpirtërore e morale.
Gjedhja kulturore servile
Ndryshe prej gjedhes politike e pushtetore autoritare, të përfaqësuar prej Sali Berishës, e cila, siç u tha, si e tillë, si tërësi është pothuaj gati se e paprovuar më parë në jetën politike, shoqërore e shtetërore shqiptare, gjedhja kulturore servile, e përfaqësuar prej shkrimtarit Ismail Kadare, është gjedhe me traditë më të madhe e më të gjatë në jetën kulturore e shoqërore shqiptare. Kjo gjedhe ishte posaçërisht e përshtrirë, posaçërisht e shpërblyer dhe posaçërisht e çmuar prej shtetit në kohën e komunizmit. Sado pas rënies së komunizmit përmasat e saj filluan sadopak të rrudhen, kurse numri i pjesëtarëve të saj të bjerë, sidomos pas vitit 2005 ajo filloi prapë të përshtrihet dhe, për nga numri i pjesëtarëve, të zmadhohet!
Le të thuhet në këtë mes se rëndësia e disa pjesëtarëve të kësaj gjedheje kulturore servile, kur e kur më tepër sesa prej veprës letrare, artistike, shkencore, i detyrohet lavdisë së gëzuar në kohën e komunizmit, që gjithnjë ishte lavdi e mbështetur në përkushtimet politike, në të vërtetë në servilizmin politik.
Sikundër paraardhësen e saj – gjedhen kulturore servile të kohës së komunizmit, edhe gjedhen kulturore servile të kohës sonë e shquan papërgjegjësia intelektuale, e cila pashmangshëm bëhet edhe papërgjegjësi morale. Larjet dhe lyerjet e saj, me fjalë, terma, nocione, togfjalësha demokratikë, sikundër janë demokracia, vlerat demokratike,vlerat evropiane, integrimet euroatlantike, qytetërimi evropian, identiteti evropian, krishterimi, Nëna Tereze, të drejtat e njeriut, të drejtat dhe liritë e njeriut, liria e fjalës dhe e mendimit e të tjera kurrsesi nuk mund ta çservilizojnë. Posa t’i hiqen këto fjalë, terma, nocione, togfjalësha, ajo shihet me gjithë kuptimin dhe qëllimin e saj! Servil!
Ndryshimi thelbësor, i bërë në gjedhen kulturore servile të “demokracisë” në krahasim me gjedhen kulturore servile të komunizmit qëndron në përbërësin e saj ideologjikë. Atëherë, në kohën e komunizmit, në të vërtetë të stalinizmit, servilizmi intelektual arsyetohej me ideologjinë komuniste në të vërtetë staliniste, ndërsa tani, në kohën e “demokracisë, në kohën e mbizotërimit të gjedhes politike e pushtetore autoritare, të përfaqësuar prej Sali Berishës, arsyetohet me ideologjinë fetare, në radhë të parë me ideologjinë fetare të krishterimit.
Gjedhja kulturore servile është gjedhe në të cilën si dikur, në kohën e komunizmit, ashtu edhe sot, në kohën e demokracisë, servilizmi ndaj pushtetit, pavarësisht sa është autokratik, despotik, tiranik, tribalist a parak, është ideologjia, strategjia, politika dhe etika e saj.
Kjo është gjedhe në të cilën nuk pranohet, edhe në qoftë se dihet, se në botën demokratike, në kulturat me tradita të gjata të lirisë së shprehjes, shkrimtarë oborri, krijues servilë ndaj pushtetit quhen jo vetëm ata që i shërbejnë pushtetit, që pranojnë të jenë servis i tij, pavarësisht sa ai pushtet është i dhunshëm, despotik, tiranik a diktatorial, por edhe ata shkrimtarë që heshtin ndaj të këqijave që ua bën ai pushtet qytetarëve.
Kjo është gjedhja pjesëtarët e së cilës kurrë nuk do ta pranojnë një të vërtetë aq herë të shqiptuar dhe aq herë të provuar: më i mirë se shkrimtarët që i shërbejnë është pushteti të cilit i shërbejnë ata.
Gjedhja kulturore servile është gjedhe kulturore në të cilën mbisundon mosdurimi i pafshehur dhe i pashpjeguar ndaj gjedhes kulturore kritike, pa të cilën kulturat kombëtare dogmatizohen dhe gulçohen prej stileve, shkollave dhe metodave krijuese, artistike e shkencore, plotësisht të harxhuara, anakronike.
Gjedhja kulturore servile është gjedhe në të cilën dyfytyrësia bizantine është cilësia morale e mendimeve, e sjelljeve dhe e veprimeve të atyre që këtë gjedhe e kanë zgjedhur për shkollë të mendimeve, të sjelljeve dhe të veprimeve në jetën e tyre politike, kulturore dhe shoqërore.
Kjo është gjedhja për të cilën e vërtetë dhe e drejtë është vetëm ajo që i sjell leverdi si shqiptuesit të saj, ashtu edhe pushtetit të cilit i shërben ai.
Gjedhja kulturore servile është gjedhe në të cilën apologjia, madhërimi, lavdërimi i pushtetit në fuqi dhe i titullarëve të tij të lartë, në njërën anë, kurse i bashkëmendimtarëve, në anën tjetër, është gjuhë e përhershme e saj.
Në gjedhen kulturore servile është e pamundshme të bëhen gjykime dhe vlerësime me largpamje për gjendjen politike, shoqërore, kulturore, morale. Të gjitha gjykimet dhe vlerësimet e bëra prej ndërtuesve të kësaj gjedheje arrijnë vetëm deri te kthesa e parë. Pse jo? Servilizmi ndaj pushtetit autoritar kudo e kurdo i bën gjykimet jetëshkurtra ashtu siç janë jetëshkurtra edhe karrierat e atyre të cilëve u servilizohet.
Gjedhja kulturore servile në të vërtetë është një kompleks kulturor, letrar, artistik dhe shkencor, ndërtuesit dhe zbatuesit e të cilit i bashkojnë, i lidhin koncepte të njëjta për kulturën, për krijimtarinë letrare, artistike a shkencore, për politikën, për shoqërinë dhe për shtetin.
Edhe gjedhja kulturore servile, porsi gjedhja politike dhe pushtetore autoritare, ka ushtrinë e saj, pretorianët e saj, punëbërësit e saj të përkushtuar, herët më të shpeshta të rekrutuar prej kulturës, prej letërsisë, prej gazetarisë, prej studimeve historike, gjuhësore, në përgjithësi, shkencore. Me ndihmën e tyre apo, madje, edhe me pjesëmarrjen e tyre të drejtpërdrejtë kjo gjedhe arrin të pushtojë institucionet politike e shtetërore në të cilat vendoset për çmime, shpërblime, medalje, dekorata shtetërore.
Gjedhja kulturore servile është fajtorja kryesore pse transicioni i vërtetë ende nuk ka ndodhur në kulturën shqiptare as në Shqipëri, as në Kosovë! Po të kishte ndodhur do të kishin ndryshuar rendet e brezave krijues; po të kishte ndodhur do të ishin shpërbërë klanet kulturore komuniste; po të kishte ndodhur do të kishte ndryshuar gjuha retorike dhe patetike që karakterizon paraqitjet publike të krijuesve të ndryshëm në masë të madhe edhe vetë krijimtarinë tonë letrare e shkencore; po të kishte ndodhur, gjedhja kulturore kritike nuk do të zhvlerësohej politikisht edhe sot siç zhvlerësohej në kohën e komunizmit, por për fat pa pasojat e atëhershme në radhë të parë në sajë të kushteve sado kudo të ndryshuara kombëtare dhe ndërkombëtare; po të kishte ndodhur nuk do të ishte e mundshme që juritë për çmime, shpërblime, dekorata, tituj, sponsorime e të tjera që jep shteti të përbëhen prej pjesëtarëve të gjedhes kulturore servile e të kryesohen prej zyrtarëve të gjedhes politike e pushtetore autoritare; po të kishte ndodhur nuk do të ishte e mundshme që me vite çmimet shtetërore për vepër vjetore e jetësore t’u jepen zyrtarëve dhe pjesëtarëve të gjedhes kulturore servile. Po të kishte ndodhur transicioni në kulturën tonë, nuk do të ishte e mundshme të mos dihej se shteti demokratik nuk i blen krijuesit me çmime e shpërblime. Jo. Në botën demokratike çmime letrare, artistike, shkencore materiale japin kompani private, institucione joshtetërore, por jo shteti.
Por të gjitha këto janë vetëm disa prej pasojave të mendimeve, të sjelljeve dhe të veprimeve të prodhuara në gjedhen tonë kulturore servile.
Përfundimi
Mund të besohet se sikur të mos mbizotëronte kjo gjedhe kulturore servile në kulturën shqiptare, sikur kjo gjedhe kulturore të mos ishte mbrojtëse, kur e kur madhëruese e gjedhes politike e pushtetore autoritare, të përfaqësuar prej Sali Berishës, inteligjencia shqiptare do të organizohej dhe me kumtesa, përkujtesa, me shkrime e paraqitje në mediat do të kërkonte heqjen e menjëhershme të Pavijonit të gjenocidit – të këtij turpi që komprometon dhe fyen Mendjen, Etikën dhe Dinjitetin e popullit shqiptar, prej Muzeut Historik Kombëtar.
Sikur të mos mbizotëronte kjo gjedhe kulturore servile në kulturën shqiptare, sikur kjo gjedhe kulturore servile të mos ishte mbrojtëse, madhëruese, shërbyese e gjedhes politike e pushtetore autoritare të përfaqësuar prej Sali Berishës, inteligjencia shqiptare do të organizohej dhe me kumtesa, me përkujtesa, me shkrime e paraqitje në mediat do të kërkonte të hiqet dorë prej barbarisë për rrënimin e Qendrës Kulturore Ndërkombëtare, Piramidës , për shkak se ka trajtën arkitekturore që ka dhe pse është ndërtuar në kohën kur është ndërtuar.
Sikur të mos mbizotëronte kjo gjedhe kulturore servile në kulturën shqiptare, e përfaqësuar prej Ismail Kadaresë, sikur kjo gjedhe kulturore servile të mos ishte mbrojtëse, madhëruese, shërbyese, legjitimuese e gjedhes politike dhe pushtetore autoritare, të përfaqësuar prej Sali Berishës, nuk do të mund të ndodhte që Kuvendi i Shqipërisë të bëhej si një han në të cilin kryeministri dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topallë, të fyenin, të kërcënonin, të poshtëronin, të cenonin në mënyrën më të rëndë, më të palejuar në botën e qytetëruar personalitetin dhe integritetin vetjak e familjar, të deputetëve, të zyrtarëve të opozitës,të titullarëve të institucioneve shtetërore, që nuk pranojnë të bëhen vegla të këtyre dy sharësve e kërcënuesve sepse ata do t’i frikësoheshin reagimit të organizuar kulturor të inteligjencies.
Sikur të mos mbizotëronte kjo gjedhe kulturore servile në kulturën shqiptare e vënë në shërbim të gjedhes politike e pushtetore autoritare, të përfaqësuar prej Sali Berishës, inteligjencia shqiptare do të organizohej dhe me kumtesa, me përkujtesa, me shkrime të ndryshme, me paraqitjet në media, më në fund, me protesta e demonstrata, do të kërkonte, dhe do të arrinte, që të ndërpritej politika e konfliktit, e urrejtjeve, në vazhdimësi e udhëhequr prej Sali Berishës, kurse shoqëria shqiptare, prej një shoqërie thellë të përçarë, do të bëhej shoqëri pluraliste, domethënë shoqëri demokratike, e qytetëruar.
Sikur të mos mbizotëronte kjo gjedhe kulturore servile në kulturën shqiptare e vënë në shërbim të gjedhes politike e pushtetore autoritare, të përfaqësuar prej Sali Berishës, inteligjencia shqiptare do të organizohej dhe me kumtesa, me përkujtesa, me shkrime e me paraqitje në media, më në fund, me protesta e demonstrata do të kërkonte të parandalohej korrupsioni komprometues për shtetin e shoqërinë, të ndalohej plaçkitja e pasurisë së përbashkët kombëtare prej klasës politike, në të vërtetë prej kastës politike e pushtetore të sunduar prej Sali Berishës.
Për të gjitha këto arsye mund të thuhet: të lirohesh prej gjedhes kulturore servile, do të thotë t’i bësh vetes të mundshme të dalësh në dritë e të shohësh qartë: të shohësh qartë çka po ndodh në shoqërinë tënde e në shtetin tënd, të shohësh qartë e të tregosh qartë kush dhe pse po i shton të këqijat në jetën politike, shoqërore, kulturore, shtetërore, të shohësh qartë e të tregosh qartë çka duhet të tregohet i vetëdijshëm se plagët e fshehura shërohen shumë vështirë dhe shumë gjatë.
Për të gjitha këto arsye mund të thuhet: të lirohesh prej gjedhes kulturore servile, të përfaqësuar prej Ismail Kadaresë sot e kush e di prej kujt nesër, do të thotë të ndihmosh që populli shqiptar, shoqëria shqiptare, politika shqiptare dhe shteti shqiptar të lirohen më shpejt e më lehtë prej gjedhes politike e pushtetore autoritare, të përfaqësuar sot prej Sali Berishës e nesër kush e di prej kujt, e cila po prodhon mashtrime, rrena, padrejtësi, kërcënime, dhunë, korrupsion, plaçkitje, poshtërime, ndotësi, zvetënime e të këqija të tjera në shoqërinë shqiptare.
Të lirohesh prej gjedhes kulturore servile, në njërën anë, dhe prej gjedhes politike e pushtetore autoritare, së cilës i shërben ajo, në anën tjetër, domethënë t’i bësh të mundshme idesë së lirisë që të mund të ndikojë si duhet e sa duhet në jetën tonë politike, shoqërore, kulturore, më në fund shtetërore shqiptare. E, t’i bësh të mundshme idesë së lirisë që të mund të ndikojë si duhet e sa duhet në jetën tonë kombëtare, domethënë të bëhesh i vetëdijshëm për nevojën e krijimit dhe mbizotërimit të gjedhes kulturore kritike në jetën tonë politike, shoqërore e kulturore, për nevojën e shprehjes së mendimit të guximshëm kritik që te ne ende nuk ekziston, sepse ai mendim nuk mund të formohet në parti si as në kishë as në xhami, por në universitete e në rrethet e inteligjencisë krijuese, domethënë të bëhesh i vetëdijshëm për nevojën e paraqitjes së brezit të ri në veprimtarinë tonë politike. Vetëm kur të ndodhin këto Shqipëria mund të bëhet shtet i së drejtës, shtet servis i qytetarëve, shtet vërtet i lirë, shtet vërtet demokratik, shtet me vlera vërtet evropiane, kurse atdhetarizmi përkushtim i vetëkuptueshëm e jo parullë demagogjike me të cilën kapardisen hajnat e plaçkitësit e regjimit.
Të lirohesh prej gjedhes kulturore servile, që përfaqëson Ismail Kadare, në njërën anë dhe prej gjedhes politike e pushtetore autoritare, që përfaqëson Sali Berisha, në anën tjetër, domethënë të shohësh qartë e të bindesh se gjithë kundërevropa në jetën tonë deri sot qëndronte dhe sot vazhdon të qëndrojë në autoritarizmin despotik, tiranik, diktatorial, në njërën anë dhe në servilizmin e njerëzve, para së gjithash të inteligjencies ndaj tij, në anë tjetër. Lirimi prej këtyre dy gjedheve, prej gjedhes politike e pushtetore autoritare dhe prej gjedhes kulturore servile, lirimi, pra, i jetës sonë politike, shoqërore, kulturore prej tyre do të thotë të fillojmë të bëhemi Evropë së paku disa dhjetëra vjet mbasi të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian.
(Shkrimi u botua me 10 maj ne Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)