Rexhep QOSJA: Ideologjia e prapavajtjes

Këto ditë Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve e Kosovës iu paraqit opinionit të Kosovës dhe të Shqipërisë me një artikull më pak a më shumë programatik, të titulluar, “Kosova dhe Shqipëria në katër pamje”, të nënshkruar prej zëdhënësit të saj, në të cilin trajtohen disa dukuri kryesisht të imagjinuara midis këtyre dy shteteve.


 


Është ky artikull që na kthen në një kohë të shkuar: në kohën e pashallarëve dhe të bajraktarëve e kjo domethënë në kohën e feudalizmit.


Është ky një artikull jorastësisht i botuar në kohën e përpjekjeve më tepër se njëvjeçare të të dy shteteve shqiptare për krijimin e hapësirës gjithëkombëtare ekonomike, tregtare, energjetike, arsimore, kulturore dhe mediale, që aq padëshirueshëm e shikojnë disa vende ballkanike e ndoshta edhe ndonjë vend evropian.


Është ky artikull – jehonë e mbledhjeve të përbashkëta, të filluara në Vlorë, të Qeverisë së Shqipërisë dhe të Qeverisë së Kosovës.


Është ky artikull, me të cilin në të vërtetë synohet t’i vihen themelet një vetëdijeje tribaliste, krahinoriste, lokaliste, veçuese, në jetën kombëtare shqiptare.


Është ky një artikull me të cilin udhëheqja njëzetvjeçare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, më në fund, e vetëhoq maskën e mbajtur gjatë, që ia fshihte fytyrën.


Siç kemi mundur të shohim e të dëgjojmë në mediet elektronike kjo udhëheqje edhe më parë, kohë pas kohe, me nga një gisht e luante sadopak maskën në fytyrën e saj, por jo sa t’i shihej krejt fytyra. Kësaj radhe ajo e çmaskoi në tërësi fytyrën e vet duke dashur ta tregojë si fytyrë të krejt Akademisë! Mund të besohet se rrethanat e përtashme politike kosovare dhe ndërkombëtare ajo i kuptoi të leverdishme për të hequr maskën e për të shkruar çka shkroi në këtë artikull.


 


Dhe, çka na tregoi ky çmaskim i vonuar i ASHAK-ut?


 


Na e tregoi një mosdurim, që në disa raste kalon në urrejtje, ndaj Shqipërisë! Dhe, na e tregoi një vogëlsi, një inferioritet, një paranojë para studiuesve shkencorë, para disa figurave politike, para mediave, madje, para shtetit shqiptar në tërësi!


Na e tregoi një mosdurim, që në disa raste biberoset me cinizëm, ndaj, si e kanë thënë disa anëtarë të kësaj udhëheqësie para një kohe, paternalizmit të intelektualëve të Shqipërisë, që fyen studiuesit e Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës, të cilët nuk pranojnë mësime prej askujt sepse as vetë nuk e mësojnë askend!


Dhe, të gjitha këto mosdurime, të biberosura me cinizëm të kohëpaskohshëm, kjo udhëheqje na i tregoi në katër pamje, që mua adhuruesin e filmave, ma kujtuan filmin e Lordan Zafranoviqit Pushtimi në njëzet e gjashtë pamje, të punuar në kohën e komunizmit.


Ky vetëçmaskim i udhëheqjes së ASHAK-ut, nuk më kujtoi vetëm filmin e Zafranoviqit, por më kujtoi edhe personazhe të tjera: më kujtoi edhe nacionalistët e Akademisë së Shkencave e të Arteve të Serbisë të cilët gjykimet për marrëdhëniet e Shqipërisë dhe të Kosovës i mbështesnin në një tezë: Shqipëria është shteti amë i Kosovës, që na i rrezikon interesat në Kosovë, prandaj në qoftë se shohim se i shtrin duart ndaj Kosovës sonë, ne, pa një pa dy, duhet t’ia presim ato duar: t’ia presim deri në bërryla e, në qoftë se është e nevojshme, edhe deri në krahë, në të dy krahët!


Po i tregoj me radhë rreziqet që Kosovës i vijnë prej Shqipërisë sipas zëdhënësit të ASHAK-ut!


 


Shqipëria e rrezikon Kosovën me mediet e saj


 


Me çka bëjnë në Kosovë, mediet elektronike të Shqipërisë, po e nxisin mosdurimin tonë, madje edhe urrejtjen tonë, ndaj tyre. Ndaj tyre duhet të jemi përjashtues të pamëshirshëm për dy arsye: e para, sepse janë shtuar shumë, janë fuqizuar shumë, ushtrojnë ndikim të madh, të gjithfarshëm në Kosovë; dhe, e dyta, sepse këtë shtim, këtë fuqizim, këtë ndikim të gjithanshëm e të gjithfarshëm në Kosovë po e tregojnë me paternalizëm, domethënë me baballarësi të paligjshme. Me cilësitë e tilla këto media e kanë bërë Kosovën “ndajshtim pezhorativ të Shqipërisë”! E thënë shkurt e shqip, mediet elektronike të Shqipërisë, madje, edhe gazetat, e kanë bërë Kosovën ndajshtim të qesharakëzuar të Shqipërisë!


E gjithë kjo përulje, i gjithë ky nënçmim i Kosovës prej medieve të Shqipërisë, ndoshta disi edhe do të durohej sikur të mos ishin edhe disa të këqija të tjera edhe më të rënda që mediet shqiptare po ia bëjnë Kosovës!


E keqja e parë është: mediet e mallkuara të Tiranës në propagandën e tyre qesharakëzuese ndaj Kosovës po bëjnë që kosovarët “patriotizmin nuk e masin me dashurinë ndaj Kosovës, por me dashurinë ndaj Shqipërisë” – çka nuk guxojmë të lejojmë asnjë çast më tutje!


E keqja e dytë është: këto media, për t’i arritur qëllimet e tyre djallëzore pa ngurruar aspak, në Kosovë po shesin “arrogancë politike, arsimore, kulturore, shkencore etj, ndërsa nga Kosova kërkojnë, shikoni e dëgjoni mirë çka kërkojnë, “nënshtrim dhe inferioritet”! Pra nënshtrim e inferioritet!


E keqja e tretë është: “mediet e Shqipërisë promovojnë disa autoritete fiktive në Prishtinë (përfshirë edhe “babanë e kombit”) dhe përmes tyre kërkojnë ta sundojnë hapësirën politike, kulturore dhe intelektuale të Kosovës”! E ne, ne në Kosovë, të shurdhër e të verbër, po harrojmë se “promovimet e këtilla i kanë bërë dëm të madh Kosovës”! Por, cili është ky dëm, si duket ky dëm, si shfaqet ky dëm, në cilat pjesë të trupit e trurit e ka plagosur Kosovën ky dëm, udhëheqja e ASHAK-ut nuk e thotë. Nuk e thotë as se, përpos “babait të kombit”, Rexhep Qosjes së mallkuar, cilët janë ata të promovuar të tjerë nga mediet shqiptare me të cilët Shqipëria do të donte ta sundonte “hapësirën politike, kulturore dhe intelektuale të Kosovës”. Ndoshta do ta thotë kur në Akademi t’i pranojnë edhe procesmbajtësit dhe kafebërësit e LDK-së!


E keqja e katërt është: mediet elektronike të Shqipërisë me shumë qejf e afirmojnë deputetin i cili nuk ngurroi “t’i kërkonte llogari kryeministrit të ri të Kosovës për biografinë e tij politike, në një kohë që askush në Kosovë nuk do ta bënte këtë për një deputet ose kryeministër të Shqipërisë, në ka qenë spiun i Sigurimit, i Greqisë apo i Serbisë”! Mos i tejkaloni aluzionet e kësaj fjalie lexues: udhëheqja e ASHAK-ut nuk e thotë hapur, por e thotë siç di ajo – ç’figurshëm: se në Shqipëri paska pasur dhe ka edhe sot spiunë jo vetëm të Sigurimit, jo vetëm të Greqisë, po edhe të Serbisë! Të Serbisë, pra!


Përfundimi: medieve të Shqipërisë, atyre elektronike se ato të shkruarat për fat nuk vijnë shpesh në Kosovë, duhet t’u thuhet: stop! Mbrapsht kthehuni! Kosova nuk është dhe s’do të jetë kurrë protektorat medial i Shqipërisë!


Në Kosovë mund të shohim, duhet të shohim e të dëgjojmë, qindra e qindra medie elektronike turke, gjermane, franceze, angloamerikane, arabe, por jo edhe shqiptare, jo edhe medie të Shqipërisë, sepse, ndryshe prej atyre të Evropës e të Lindjes, këto të Shqipërisë duan të na bëjnë “ndajshtim pezhorativ”, qesharakëzues, protektorat medial të Shqipërisë!


Për këtë arsye Kosova ndaj Shqipërisë duhet të bëhet shoqëri e mbyllur, pa treg të lirë, pa qarkullim idesh e njerëzish, në të vërtetë Kosova duhet ta shohë Shqipërinë si Serbinë, jo, më zi se Serbinë, si dreqin e të birin!


 


Shqipëria e rrezikon Kosovën duke e përdorur politikisht


 


Kosova, na thuhet prej zëzmadhuesit të udhëheqjes njëzetvjeçare të ASHAK-ut, përdoret politikisht prej Shqipërisë nga dita e themelimit të saj! “Vetë akti i shpalljes së pavarësisë kishte brenda (pra brenda e jo jashtë) një dozë padrejtësie ndaj Kosovës”! Në çka qëndron kjo dozë padrejtësie? Nëse nuk qëndron në faktin se Shqipëria u shpall jo në kufijtë e sotëm, po në kufijtë etnikë, duke përfshirë të gjitha trojet ku shqiptarët ishin popullatë e vetme a shumicë etnike, dreqi dhe i biri mund ta dinë se në çka e “qëndronte” atë dozë padrejtësie zëdhënësi i ASHAK-ut. Dhe, më tej, ndërsa Ahmet Zogu e Enver Hoxha “e keqpërdorën Kosovën për utilitarizëm politik dhe pushtetar”, një numër i intelektualëve, si Fan Noli, Ernest Koliqi, Eqrem Çabej, Dhimitër Shuteriqi, Martin Camaj, e të tjerë ndaj Kosovës “u sollën pa konsideratë”. Kështu, pa konsideratë u soll edhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në vitin 2012, kur “bashkëpunimin e shkëlqyer që kishte me Akademinë e Kosovës”, e cila vuante rëndë prej paternalizmit të studiuesve nga Tirana, e sakrifikoi për asgjë: për të ftuar “në kremtimin e 40-vjetorit nënkryetarin e Akademisë Serbe, Lubisha Rakiqin, njërin nga ideatorët e “Memorandumit” famëkeq”, i cili dikur ishte anëtar i ASHAK-ut, i cili dikur ishte edhe mik i Mahmut Bakallit dhe i Dervish Rozhajës, i cili nuk kishte asnjë lidhje me Memorandumin në fjalë përpos se ishte nënkryetar i Akademisë Serbe të Shkencave e të Arteve, ku u shkrua ai Memorandum.


Çudi jo e vockël pse tabori i udhëheqësve të ASHAK-ut na qenka pezmatuar aq pezmatueshëm pse Akademia e Shqipërisë e ftoi Lubisha Rakiqin në Tiranë, po nuk pezmatohet aspak pse aq zyrtarë politikë, publicistë, artistë nga Prishtina shkojnë gjithnjë e më shpesh në Beograd sot!


Përdorimi politik i Kosovës, sipas udhëheqjes së ASHAK-ut tonë, është tejthelluar dhe tejshtrirë, sidomos, kohëve të fundit. Ndodh kjo për arsye se Tirana e ka pasur dhe vazhdon ta ketë “synim të lidhet me Beogradin, duke anashkaluar Kosovën, madje, po u pa e nevojshme, edhe në dëm të Kosovës”! Dëshmi të përdorimit të këtillë politik të Kosovës, sipas udhëheqjes së Akademisë sonë, na qenkan edhe dy shkuarjet e tanivonshme të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Beograd.


Pse u turr aq shpejt kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Beograd? Pse u turr aq shpejt pa e pyetur udhëheqjen e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, e cila, e di më mirë se krejt Shqipëria dhe më mirë se të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës, se çka thuhet atje – në Beograd? Dhe, këtë e ka dëshmuar sidomos në vitin 1981 kur aq vendosmërisht e dënoi “kontrarevolucionin”, që kishte bërë rinia shqiptare në Kosovë, dhe këtë e ka dëshmuar kur ka përkrahur ndryshimet kushtetutare që autonominë e Kosovës e kanë bërë autonomi komunale dhe këtë e ka dëshmuar posaçërisht mençur kur e ka përkrahur me mendje e me zemër, duke ia dhuruar disa anëtarë, Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila Sllobës, Sllobodan Millosheviqit, do t’ia paqësojë, do t’ia bëjë tepih të kuq, Kosovën, të cilën ai do ta shkelë pamëshirshëm me çizmet e tij, me milicinë e tij, me UDB-në e tij, me paraushtarakët e tij, me ushtrinë e tij deri në vitin kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të ngrihet kundër këtij paqësimi nënshtrues, me të cilin LDK-ja e turpëronte Kosovën, dhe do ta dëbojë Sllobën me forcat e tij prej Kosovës.


U turr kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Beograd sepse aty gjeti leverdi shtetërore në marrëdhënie me Serbinë dhe me Kinën. U turr kryeministri i Shqipërisë në Beograd pa u lodhur aspak pse me këtë turr po e dëmtonte Kosovën, po e dëmtonte Kosovën shumëfish: edhe duke ia ripremtuar Kinës Portin e Shëngjinit që më parë Shqipëria “ia kishte premtuar Kosovës”, por edhe për të bërë “plane pa Kosovën për një hekurudhë që do të kalojë nëpër Kosovë dhe e cila do të lidhë Serbinë me Detin Adriatik”.


Medet, oj Kosovë, sa të këqijat po t’i bën Shqipëria! Po e lidh Serbinë me Detin Adriatik me vijë hekurudhore e cila do të kalojë nëpër tokën tënde dhe e cila, po u bë, më së shumti dobi ekonomike e të tjera do të të sjellë pikërisht ty.


Pyete veten Kosovë, pyete veten siç po e pyesim veten ne udhëheqësit e Akademisë, si kokat më të mençura të Kosovës, pyete veten pra Kosovë se “çfarë kërkojnë liderët politikë të Shqipërisë që merren me Kosovën, kujt i hyn në punë angazhimi i tyre në këtë krah?” Në këtë krahun e djathtë, pra, që kurrë nuk është pajtuar e nuk do të pajtohet me krahun e majtë, edhe pse atij krahu i kanë takuar e i takojnë intelektualët më të çmuar, më të rëndësishëm të Shqipërisë. Mbushu mend, mori Kosovë, e shikoje mirë pikën kufitare të Morinës në të dy anët e saj, në anën tënde, Kosovë, dhe në anën e Shqipërisë, Kosovë, dhe thuaj mandej se “kush kujt mund t’i shesë mend rreth përvojës së bërjes së shtetit. Dhe, si mund të sillen me aq arrogancë këta liderë politikë të Shqipërisë, kur vinë në Prishtinë, ndërsa për pesëmbëdhjetë vjet kanë eksportuar në Kosovë fjalamani boshe, hipokrizi patriotike, lypsa që rrinë nëpër semaforë, drogë të të gjitha llojeve dhe femra të trafikuara? Dhe zarzavate me hormone dhe pesticide”.


A e morët vesh, more kosovarë? Mbushuni mend more kosovarë! Ruajuni more kosovarë, ruajuni fort se prej Shqipërisë po të vijnë dhe, po qëndrove kështu e heshtur siç po paraqitesh edhe më tej, do të të vijnë të zeza që nuk të kanë ardhur prej Serbisë, prej Maqedonisë a prej Malit të Zi. Do të të vijnë: jo vetëm fjalamani, por fjalamani boshe, do të të vijnë hipokrizi, domethënë rrena e mashtrime patriotike, do të të vijnë lypës që rrinë ku nuk rrinë lypësit tanë – që rrinë nëpër semaforë, do të të vijnë droga edhe të llojeve që nuk janë prodhuar dhe nuk prodhohen në tokën tënde pjellore, do të të vijnë edhe kurva të trafikuara jo vetëm prej Shqipërisë, por kush dreqi e di edhe prej nga tjetër dhe me çfarë sëmundjesh krejt! Ne, udhëheqësit e ASHAK-ut, po të lusim Kosovë që ta dish: Shqipëria është kobi yt – ajo do edhe të të helmojë me hormone, me pesticide e me femra!


 


Shqipëria e rrezikon Kosovën edhe me gjuhë e kulturë


 


Përpos me gjithë të këqijat, gjithë të zezat e sipërpërmendura, Shqipëria, e denjë vetëm për vlerësime ironike e cinike, e denjë, madje, për urrejtje, e rrezikon Kosovën edhe me përpjekjet e saj të vazhdueshme që ta bëjë “të ndihet inferiore” edhe në fushë të gjuhës e të kulturës. Dëshmi për këtë përpjekje të saj kundërkosovare janë: e para, deklarata e një gjuhëtari me emër në Seminarin e Gjuhës, të Letërsisë dhe të Kulturës Shqiptare, në vitin 1999, në të cilën ai tha se Kosova do të duhej të bënte “desllavizimin e gjuhës”; e dyta, “refuzimi kategorik edhe ndaj fjalëve burimore, vetëm pse ato mund të vijnë nga gegërishtja”, ndërsa në fjalorët normativë përfshihen “edhe barbarizmat e të folmeve toske”; e treta, kthimi i çështjes së standardit “në çështje ideologjike, madje edhe partiake, duke shtrirë disa reflektime të shëmtuara politike e kulturore edhe në Kosovë”. Por ne, udhëheqësit e ASHAK-ut, e themi shkoqur se Shqipëria duhet ta ketë të qartë njëherë e përgjithmonë se ne, udhëheqësit e ASHAK-ut jemi të vetëdijshëm se “Kolonizimi kulturor është edhe një tjetër ide fiktive që është nisur nga Tirana në drejtim të Prishtinës”! Por ne, kokat udhëheqëse të ASHAK-ut, do t’i shkaktojmë disfatë shekullore kësaj ofensive kolonizuese me të cilën ajo, Tirana, si mendje pushtuese, i është vërsulur Kosovës!


Merrni vesh kosovarë: i shpëtuat kolonizimit të Serbisë në sajë të politikës paqësuese, nënshtruese të LDK-së, kurse prej kolonizimit të Shqipërisë do t’u shpëtojmë ne – drejtuesit e ASHAK-ut qe njëzet e kusur vjet!


Ç‘të thuhet seriozisht për këtë kolonizim? Mos të ishin lidhjet kulturore kudo e kurdo, mos të ishin lidhjet kulturore midis kontinenteve, shteteve, popujve, kulturat kombëtare në gjithë planetin e Tokës do të varfëroheshin shumë, pashmangshëm shumë, kurse ato më të voglat, ndoshta, edhe do të shuheshin. Për këtë arsye togfjalëshi kolonizëm kulturor, aq i keqpërdorur në publicistikën e shekullit 18 e 20, është komprometuar plotësisht në shkencat e shekullit 20, në mënyrë të veçantë të gjysmës së dytë të shekullit 20. Të flasësh për kolonizimin kulturor, në këtë rast gjuhësor dhe kulturor, në kulturën e një populli, brenda një populli, të flasësh për kolonizimin e kulturës së një pjese të një Kombi prej pjesës tjetër të të njëjtit Komb, kjo nuk është dëgjuar dhe nuk mund të dëgjohet në planetin e Tokës askund por, ja, po dëgjohet në ASHAK-un tonë!


Të flasësh për kolonizimin kulturor të Kosovës prej Shqipërisë, pa të cilën shqiptarët në Kosovë dhe në Jugosllavi në përgjithësi nuk do të mund të mbaheshin; të flasësh për kolonizimin kulturor dhe politik të Kosovës prej Shqipërisë, pa ekzistimin e së cilës shqiptarët do të shpërnguleshin atje ku donte Vasa Çubrilloviqi – në Turqi; të flasësh për kolonizimin kulturor dhe politik të Kosovës prej Shqipërisë, prej Shqipërisë ku shqiptarët e mbetur jashtë kufijve të saj kanë gjetur shpëtimin vetjak sa herë janë rrezikuar prej Serbisë, Malit të Zi e Maqedonisë; të flasësh për kolonizimin kulturor e politik të Kosovës prej Shqipërisë pa të cilën nuk do të mund të bëhej Lufta çlirimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – e kjo do të thotë të jesh i privuar sa prej gjykimeve objektive historike e të përtashme, aq edhe prej dëshirës për qenien e atyre lidhjeve shpirtërore, kulturore e morale që ruajnë tërësinë e një Kombi.


 


Përfundimi


 


Nuk ka dyshim se të dhënat mediale, historike, politike, gjuhësore dhe kulturore me të cilat bëhet përpjekje që të dëshmohen synimet e Shqipërisë për t’i imponuar Kosovës paternalizëm, për më tepër për t’i imponuar inferioritet, protektorat a kolonizim kulturor janë të dhëna të shpikura dhe si të tilla janë të vëna në shërbim të një ideologjie separatiste, provinciale, tribaliste brendakombëtare daullet e së cilës tani e sa kohë po jehojnë edhe në paraqitjet televizive të disa intelektualëve, disa gjuhëtarëve, disa të ashtuquajturve analistë, së fundmi edhe në paraqitje të zyrtarit të dikurshëm të Sllobodan Millosheviqit, kryeministrit të përtashëm të Kosovës; dhe, së fundi në shkrimin e taborit privatizues të ASHAK-ut. Janë këto daulle të nekrofilëve që me dëshirën më të madhe ia shkruajnë nekrologun idesë së madhe gjithëshqiptare e cila e ka lëvizur historinë e Kosovës, duke përfshirë këtu edhe luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: idenë e madhe të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.


Separatizmin e tyre brendakombëtar, provincializmin e tyre, tribalizmin e tyre të shprehur aq papërmbajtshëm, aq fyeshëm në shkrimin Kosova dhe Shqipëria në katër pamje ata daullexhinj nekrofilë po përpiqen ta arsyetojnë si “shtetarë”: Kosova është bërë shtet dhe ky shtet duhet të ketë identitetin e tij shtetëror, identitetin e tij gjuhësor, identitetin e tij kulturor, identitetin e tij kombëtar kosovar dhe atdhetarizmin e tij kosovar.


Në qoftë se shqiptarët pavarësisht ku jetojnë – në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Luginë të Preshevës, në Çamëri, në diasporë kanë një gjuhë, që i thonë gjuha shqipe, kanë një letërsi, që i thonë letërsia shqipe, kanë një kulturë, që i thonë kultura shqiptare, kanë një histori, që i thonë historia shqiptare, kanë një identitet, që i thonë identiteti shqiptar, pashmangshëm, natyrshëm, ata kanë edhe një atdhetarizëm, që i thonë atdhetarizmi shqiptar. Dhe, ky atdhetarizëm shqiptar, gjithëshqiptar, nënkupton obligimet, përkushtimet mendore, ndjenjore dhe morale ndaj të gjithë shqiptarëve pa dallim feje, pa dallim dialekti, pa dallim krahine, pa dallim shteti ku jetojnë ata.


Për këtë arsye gjykimet tribaliste e lokaliste mbi paternalizmin, protektoratin, kolonizimin, me çka Shqipëria po rrezikuaka Kosovën, të cilat tash e sa kohë zihen në kuzhinën e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, pashmangshëm do të përfundojnë ku edhe e kanë vendin: në plehun e historisë!


Mësimet historike na mësojnë të jemi të bindur se: Kosova dhe Shqipëria, të ndara dhunshëm prej shteteve të mëdha evropiane, do të bashkohen vullnetshëm prej shqiptarëve. Dhe do të bashkohen për të pasur mundësi natyrore e njerëzore shumë më të mëdha për zhvillim më të madh, më të gjithanshëm, për të jetuar bashkë larg më mirë, më të pasur, më të pasur materialisht dhe më të pasur shpirtërisht.


Prishtinë, 5.1.2015  ( Epoka e Re)

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …