leoni

Rexhep Qosja: Mandati im si mandat shpirtëror dhe kulturor është i përjetshëm…

Përmes një reagimi dërguar medieve, profesor doktor, Rexhep Qosja ka thënë se nuk pranon propozime për mandate të përkohshme politike. Në reagimin e tij Qosja ka saktësuar:  “U përdorët besoj pa e ditur qëllimin e atyre që ju përdorën. Më erdhi keq për ju dhe m’u dhimbsët. Treguat se ende s’dini të ruheni prej djallëzisë së të pangopshmëve me pushtet dhe prej trabantëve të tyre në medie. Unë nuk jam i propozuar prej asnjë partie e as prej Opozitës për kryetar të ardhshëm të Kosovës. Dhe nuk jam i propozuar sepse edhe ata që u tha se më propozuan e dinë mirë se unë s’pranoj propozime për mandate të përkohshme politike. Për arsye se u mashtruat kështu harruat çka s’do të duhej të harronit: unë s’jam njeri që marr pjesë në gara për mandate politike si kryetar a kryeministër. Jo! Unë jam shumë më shumë se kryetar me mandat politik katër a pesë vjeçar, tetë a dhjetë vjeçar. Mandati i kryetarëve a i kryeministrave si mandat politik është i përkohshëm, kurse mandati im si mandat shpirtëror dhe kulturor është i përjetshëm. Derisa pas atyre me mandat të përkohshëm politik qëndrojnë një a disa parti, pas mandatit tim të përjetshëm qëndrojnë lexuesit e djeshëm, të sotëm e të ardhshëm, qëndron populli, qëndrojnë mbi pesëdhjetë vjet veprimtari intelektuale me ndikim atdhetar, çlirimtar e demokratik dhe rreth 40 vepra shkencore, letrare e publicistike, të cilat do të jetojnë derisa do të jetojë gjuha shqipe dhe populli shqiptar që e flet – domethënë gjithmonë”ka shkruar mes tjerash në reagimin e tij Akademiku Rexhep Qosja.

 

Akademik Qosja kërkon nga mediat që të ruhen prej “dezinformatave djallëzore, mos i shqetësoni ata që shqetësohen lehtë. Kosovës i duhen e vërteta dhe e drejta”. “Kosovës i duhet përgjegjshmëria e atyre që janë në pushtet”. Tutje, ai kujton se dëmtuesit më të mëdhenj të Kosovës sot janë ata qeveritarë e institucione që qytetarëve të Kosovës po ua cenojnë rëndë të drejtat më të rëndësishme jetësore – të drejtën për punë e të drejtën për trajtim të barabartë. “Dëmtuesit më të mëdhenj të Kosovës, dëmtues jo më pak se pushtuesit prej Bizantit, Otomanit e deri të Serbia e Jugosllavia, janë të pushtetshmit që qytetarëve të saj këto të drejta po ua shkelin me korrupsion, me nepotizëm, me gjyqësorin e kapur, me zhvatjen e pasurisë kombëtare, me privatizimin e shtetit, me “rançet” e me milionat e tyre të fituar duke qenë në pozita politike e shtetërore, me vrazhdësinë e shërbëtorëve të tyre në parti, në medie e në disa organizata të ashtuquajtura joqeveritare e në të vërtetë qeveritare sa Lidhja e dikurshme socialiste e popullit punues dhe Lidhja e dikurshme e rinisë socialiste”, thekson Qosja. “Mos harroni: Kosova duhet të çlirohet prej të keqes së saj të sotme më të madhe – prej despotizmit të mbuluar me frazeologji të rrejshme pseudo-demokratike”, përfundon Akademik Rexhep Qosja reagimin e tij dërguar medieve.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …