(Në 80-vjetorin e lindjes së dr. Rexhep Qoses)
Aureola kombëtare, mendja erudite, sedra volteriane, kritika goditëse kundër prapësive e marrëzisë si ajo e Erazmo Roterdamit, zëdhënësi më besnik i kombit, origjinaliteti intelektual, i profesor doktor, Rexhep Qoses, janë vlera unike, të këtij kolosi të letrave tona. Me qëndrimin e tij konsekuent kombëtar, krijimtarinë brilante dhe të shumë anshme, qëndrimin kurdoherë vertikal dhe të lidhur ngushtë me zërin e vegjëlisë, me porosinë e rilindësve, përkrahjen pa rezervë që i ka dhënë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëmarrjen në procesin e pavarësisë së vendit, me tërë jetën e tij gjithnjë aktive krijuese, dr. Rexhep Qosja qëndron në mesin e personaliteteve më të ndritura e më meritore të kombit.
Profesor, dr. Rexhep Qosja tashmë është ndër emrat më të shquar të krijimtarisë dhe botës sonë intelektuale, në përgjithësi. Ai bën pjesë në mesin e emrave më të shquar dhe më të nderuar të kombit. Në çfarëdo përzgjedhje metodologjike realiste, (pa anime e shpirtvogëlsi, sikur ndodh rëndom te ne), Qosja radhitet në “sofrën e parë” të baballarëve të kombit, qoftë me angazhimin e tij në letërsi, kritikë letrare, publicistikë, krijimtari artistike, qoftë në angazhimin e tij në politikë në situata dhe rrethana të caktuara, qoftë në qëndrimin e tij konsekuent kombëtar dhe kontributin që i ka dhënë kombit, për më shumë se gjashtë dekada.
Plava dhe Gucia, Ulqini, Hoti, Gruda, kanë qenë dhe kanë mbetur plagët tona të së kaluarës në verilindje të Atdheut, të cilat u ngulitën thellë në memorien shqiptare. Ishin trojet e lara me djersë e gjak, me qëllim për të mos lejuar copëtimin e Shqipërisë, për të mos lejuar ndërrimin e dhunshëm të identitetit kombëtar, për të mos lejuar që me tokat tona të bënin pazare mujsharët e botës. Qëndresa dhe heroizmi i malësorëve të kësaj ane kundër zaptuesve dhe dhunuesve të huaj, u bë shembull frymëzimi për brezat dhe mbeti amanet i të parëve, për të mos u dhënë, por për të mbijetuar me çdo kusht dhe në çdo rrethanë. Pikërisht nga këto vise të Arbërisë historike, përmes amanetit të përcjellë brez pas brezi doli në sipërfaqen e botës intelektuale shqiptare, në fillim normalisti i Prishtinës, Rexhep Qosja, i cili kishte lindur në të njëjtin vit me Simbolin e Rezistencës Kombëtare, Adem Demaçi dhe shkrimtarin e njohur, Ismail Kadare. Viti 1936 i dha kombit edhe emra të tjerë të njohur, por ky tresh ka shënuar piedestalin historisë më të re të kombit, në rezistencë, veprimtari kombëtare dhe në krijimtari.
Rexhep Qosja është prodhim intelektual i një kohe me batica e zbatica tejet të shprehura, i kohës së kacafytjeve të mëdha e krejt të pabarabarta të shqiptarëve në ballafaqim me fqinjët grabitqarë, por edhe i kohës së rezistencës heroike, i kohës kur po rindërtohej identiteti i ri evropian i shqiptarëve edhe pse të ndarë në pesë shtete të Ballkanit. Në rrugën e tij drejt emancipimit të kulturës kombëtare, ai ndoqi shembujt e rilindësve, sepse amaneti i tyre për një Shqipëri të bashkuar nuk ishte realizuar, meqë me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor të vitit 1912, në Vlorë, më shumë se dy të tretat e trojeve të Atdheut kishin mbetur nën robëri. Çështja e bashkimit fizik të trojeve shqiptare kishte mbetur aspiratë, por çështja e bashkimit kulturor, shpirtëror, gjuhësor kishte filluar të rrezatonte në mendjet e intelektualëve dhe arsimuesve shqiptarë, si të atyre nën okupim, por edhe të atyre në shtetin e pavarur, një shtet i përgjysmuar, i izoluar nga fqinjët dhe bota e ndarë në blloqe.
Në rrugën e tij drejt dritës, arsimimit dhe pajisjes me njohuri, Rexhep Qosja fillimisht u paraqit në publikun lexues me kritikë letrare, gjini e cila po thuajse ishte në fillet e zhvillimit në Kosovë, ku proceset e arsimimit e edukimit jo vetëm që kishin vonuar, por ato po kalonin përmes një censure të rreptë, e cila po pretendonte ta ngulfaste mendimin dhe shprehjen e lirë. Kritiku i ardhshëm dhe historiani i mirënjohur i historisë së letërsisë, kishte ndjekur një rrugë specifike në krijimtari. Ai tashmë kishte bërë emër si krijues që ishte pajisur me një stil origjinal, përmes së cilit shprehte botën e tij shumë të pasur në krijimtari, të stisur me një njohje të jashtëzakonshme jo vetëm të letërsisë kombëtare, por edhe të asaj botërore, jo vetëm të letërsisë, por edhe të kulturës dhe krijimtarisë në përgjithësi.
Në vitet 70-të të shekullit të kaluar, emri i Rexhep Qoses radhitet në mesin e krijuesve të mirëfilltë. Ai tashmë i takonte botës së njohur intelektuale, në Kosovë e në Shqipëri, por edhe në qarqet progresive jugosllave. Shkrimet e tij botoheshin në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Sarajevë, Zagreb, Novi Sad, madje edhe në Beograd, si dhe në mërgatën shqiptare. Pikërisht në këtë kohë, krahas veprimtarisë tashmë të begatshme kritike e publicistike, hulumtimeve dhe studimeve të letërsisë së Romantizmit e realizmit, kishte nxjerrë në dritë veprat:
Episode letrare – (1967)
Dialog me shkrimtarë – (1968)
Antologjia e lirikës shqipe – (1970)
Kontinuitete – (1972)
Asdreni – jeta dhe vepra – (1972)
Panteoni i rralluar – (1973)
Vdekja më vjen prej syve të tillë” ( 1974).
Në vitin 1974, Qosja ka botuar romanin e tij të parë: “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, vepër kjo e cila shënon një kthesë të jashtëzakonshme në krijimtarinë letrare e artistike të autorit, por edhe për romanin shqip, veçmas në Kosovë, ku ky zhanër nuk kishte shënuar nivelin e duhur, për më tepër nuk mund të thuhet se deri atëherë kishim një roman të mirëfilltë, realist, bashkëkohor. Ky roman, nga të gjitha segmentet e ndërtimit, trajtimit të realitetit shqiptar në një kohë dhe hapësirë të caktuar, shënon një kthesë drejt romanit modern, për dallim nga romani i realizmit socialist, i cili ishte i lidhur ngushtë me politikën dhe perspektivën e revolucionit.
Autori i romanit, “Vdekja më vjen prej syve të tillë” arrin ta pasqyrojë një pjesë të realitetit faktik të shqiptarëve, të atyre shqiptarëve që ishin vënë në shënjestër të regjimit për shkak të angazhimeve dhe qasjeve të tyre atdhetare. Ishte bota e antagonizmave të thella të krye-personazheve, Xhezairit të Gjikës dhe Danjollit të Sherkës, përmes së cilëve pasqyrohen dy botë, bota e së mirës dhe së keqes, bota e sundimtarëve dhe ajo e qëndrestarëve, bota e kontradiktave të përhershme dhe të përjetshme të shoqërisë njerëzore. Shkrimtari, Rexhep Qosja kishte arritur të sintetizonte në mënyrë të mrekullueshme përpjekjet e pareshtura të shqiptarëve për më shumë liri e drejtësi, përpjekjet e atyre njerëzve, të cilët kurrë nuk ishin dorëzuar, pavarësisht dhunës dhe keqtrajtimeve, që iu kishin shkaktuar dhe u shkaktonin njerëzit e pushtetit, vetë pushteti totalitar, i cili pretendonte të krijonte një tip Jugo-shqiptarësh, nën maskën e të ashtuquajturit “bashkim-vëllazërim dhe përbashkësi të tyre me popujt sllavë”.
Në rrugën e tij specifike në krijimtari, Qosja është ballafaquar me një botë të tërë kundërshtarësh, ashtu sikur Demaçi me tregimet antologjike dhe romanin: “Gjarpinjtë e gjakut”. Për dallim nga Demaçi, i cili krahas angazhimit në krijimtari ishte angazhuar edhe në vazhdimin e konsolidimin e Lëvizjes Revolucionare për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar, dhe në atë rrugë u ballafaqua egër me forcat pushtuese, Qosja me krejt fuqinë e tij intelektuale iu kushtua krijimtarisë, madje në fushat kryesore, kritikë letrare, histori e letërsisë, publicistikë dhe krijimtari artistike.
Në librin, “Morfologjia e një fushate”, Qosja kishte shpalosur flamurin e qëndresës kundër mediokriteteve, snobëve, jugo-besnikëve dhe tërë një klase zyrtarësh krijues, me të cilët ai lufton pa mëshirë, meqë me qëndrimin e tij konsekuent, mbështetur veçmas në vlerat kombëtare, ai përfaqësonte në një mënyrë të gjithë kundërshtarët e regjimit, të burgosurit politikë, përfaqësonte vijën e tyre, sado që këtë e bënte me mjeshtëri dhe duke pasur një përkrahje nga një segment të klasës politike, e cila ia kishte njohur meritat dhe pretendonte ta ruante, meqë kishte llogaritur shumë në të dhe meqë konsideronte se Qosja ishte prodhim i tyre, në një rrugë specifike, në rrugën e ashtuquajtur, “tërhiq e mos këput”, të cilën e atakonte regjimi si klasë oportunistësh!…
Në pranverë të vitit 1981, kur Kosovën e kishte përshkuar si korrent ideja e lirisë, drejtësisë dhe barazisë, të proklamuara në mënyrë plebishitare me kërkesën për Republikë, bota intelektuale shqiptare në Kosovë u ndodh para dilemës hamletiane. Qosja ishte ndër të parët që e theu dilemën me kohë dhe përkrahu publikisht kërkesat e protestuesve. Prej asaj kohe e deri në ditët tona, në vazhdimësi ka përkrahur proceset pozitive, afirmative kombëtare në drejtim të lirisë dhe pavarësisë, për t’ u bërë në një kohë të caktuar edhe pjesëmarrës aktiv në disa procese politike, sidomos prej fillimit të luftës së UÇK-së, Konferencës së Rambujesë e deri në çlirimin e Kosovës nga regjimi kriminal serb i Milosheviqit dhe sojit të tij, në qershor të vitit 1999. Qosja në asnjë periudhë të jetës së tij nuk është ndarë nga krijimtaria. Prej vitit 1975 deri në vitin 1997 ka nxjerrë në dritë veprat:
Shkrimtarë dhe periudha – (1975)
Anatomia e kulturës – (1976)
Mite të zhveshura – (1978)
Prej tipologjisë deri te periodizimi – (1979)
Morfologjia e një fushate – (1980)
Nocione të reja albanologjike – (1983)
Historia e letërsisë shqipe I – (1984)
Historia e letërsisë shqipe II – (1984)
Antologjia historike e letërsisë shqipe – (1985)
Historia e letërsisë shqipe III – (1986)
Porosia e madhe – (1986)
Populli i ndaluar – (1990)
Strategjia e bashkimit kombëtar – (1992)
Çështja shqiptare: historia dhe politika – (1994)
Ligjërime paravajtëse – (1996)
Fjalor demokratik – (1997)
Në vitet ’80-të, ( të shekullit të kaluar) në kohën e represionit sistematik të Beogradit zyrtar kundër Kosovës, kundër kërkesave të drejta të shqiptarëve për përparimin e pozitës kushtetuese, në kohën kur censurohej, jo vetëm fjala publike por edhe ajo e fjalorit të përditshmërisë, Rexhep Qosja do të merrej më shumë me historinë e letërsisë. Në këtë periudhë kohore ai nxjerrë në dritë tri vëllime të Historisë së letërsisë shqipe, të cilat janë bazament i fuqishëm i letërsisë sonë kombëtare. Në këto libra studimesh për letërsinë tonë kombëtare, përmes një metodologji të avancuar shkencore, duke u mbështetur në një bibliografi jashtëzakonisht të gjerë dhe të papërdorur në atë vëllim e sasi nga studiuesit e letërsisë, autori ka arritur të ndërtojë monumentin shkrimor të letërsisë sonë, duke e kundruar atë thellësisht në të gjitha tiparet e zhvillimit, në kohë e hapësirë, në sinkroni e diakroni, në etapa e përmbajtje dhe duke e rrumbullakësuar shkencërisht në tërësinë e vet.
Në vitet ’90-të, në kohën kur kishte filluar shpërbërja e përgjakshme e RSFJ-së, “burgut të popujve”, kur popujt e robëruar të kësaj pjese të Evropës kishin filluar ta grisnin “këmishën e robërisë”, kishte mbështetur fuqimisht shkatërrimin e Jugosllavisë, që e kishte paraparë me kohë, meqë kishte besuar gjithnjë në idealet e lirisë, drejtësisë e barazisë. Ishte ndër intelektualët e parë të vendit, i cili nuk parashihte perspektivë për çlirimin e vendit me programin pacifist të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila për një kohë të shkurtë u konvertua nga Lidhja Komuniste e Kosovës, kryesisht me mendësinë e veprimit dhe logjikës politike shumëvjeçare, komuniste-jugosllave. Po ashtu nuk u mashtrua as nga retorika bombastike, nacionaliste e Sali Berishës dhe ishte i pari që ia çori maskën politikave të tij në esencë antikombëtare, kundër bashkimit të kombit, fillimisht edhe kundër pavarësisë së Kosovës.
Prej vitit 1997 e deri tani Qosja ka nxjerrë në dritë edhe veprat
Paqja e përgjakshme: Konferenca ndërkombëtare për Kosovën – (1999)
Një dashuri dhe shtatë faje, roman, bot. Toena, Tiranë, (2001)
Asdreni, jeta dhe vepra e tij, Toena, Tiranë, (2002)
I ringjalluri i penduar, tregim satirik. Toena, Tiranë, (2002)
Ideologjia e shpërbërjes – (2006)
Realiteti i shpërfillur (Vështrim kritik mbi pikëpamjet e Ismail Kadaresë për identitetin shqiptar) – (2006)
Rilindja e dytë
Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne – 2007
Nata është dita jonë, – 2007
Shqipëria dhe Kosova – Si janë dhe si do të duhej të jenë, Toena, – (Prill, 2013)
Dëshmitar në kohë historike 1966-1974 – Ditar I – (Prill, 2014)
Dëshmitar në kohë historike 1975-1978 – Ditar II – (Maj, 2014)
Dëshmitar në kohë historike në vazhdim…
Në studimet dhe krijimtarinë e tij letrare prej mbarimit të luftës dhe çlirimit të vendit, dr. Rexhep Qosja iu përkushtua kryesisht krijimtarisë artistike dhe ditarëve të cilët aktualisht janë duke u botuar në vazhdime dhe ku autori si “dëshmitar në kohë historike” rrëfen jo për veten dhe angazhimin e tij të përgjithshëm e të gjithanshëm. Me qëndrimin e tij konsekuent kombëtar, krijimtarinë brilante dhe të shumë anshme, qëndrimin kurdoherë vertikal dhe të lidhur ngushtë me zërin e vegjëlisë, me porosinë e rilindësve, përkrahjen pa rezervë që i ka dhënë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëmarrjen në procesin e pavarësisë së vendit, me tërë jetën e tij gjithnjë aktive krijuese, dr. Rexhep Qosja qëndron në mesin e personaliteteve më të ndritura të kombit.
(Ahmet Qeriqi)