Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi ka thënë se qeveria “Haradinaj” mund ta mbajë taksën, por edhe t’i ruajë marrëdhëniet me bashkësinë ndërkombëtare. “Nuk duhet të lidhen marrëdhëniet me bashkësinë ndërkombëtare as përmes taksës e as përmes asnjërës prej çështjeve që i kemi të pazgjidhura me Serbinë. Ajo që duhet ta bëjë kryeministri Haradinaj është që ta respektojë edhe Kushtetutën, edhe ligjet, por edhe raportet me miqtë ndërkombëtarë. Kosova mund të ketë edhe taksën ndaj Serbisë, edhe raporte të mira me bashkësinë ndërkombëtare. Kjo nuk do të thotë që ai duhet që për t’i ruajtur raportet me miqtë ndërkombëtarë të lëshojë pe për taksën ndaj Serbisë, prandaj e gjithë ajo që duhet të bëjë ai është të mos i bjerë pishman për taksën ndaj Serbisë dhe të vazhdojë t’i kultivojë raportet me bashkësinë ndërkombëtare, kjo gjë është e mundur dhe mund të bëhet”, ka shtuar Selimi.
