Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ka akuzuar udhëheqësit e PDK-së, të cilët, sipas tij, po fshihen në debatin për luftën, duke i nxjerrë zyrtarët tjerë të kësaj partie. Ai ka thënë se këtu nuk ka ”luftë” të komandantëve, duke shtuar se një fjalë e vetme në Kuvend, ka aktivizuar Ganimete Musliun, Ramiz Lladrovcin, Gani Gecin e Gani Kocin, që sipas Selimit, asnjëri prej tyre nuk kanë qenë komandantë. Pas datës 26 Shkurt, kur kandidatit për President iu adresova me një fjali të vetme , si zakonisht ai heshti. Por në “mbrojtje” të tij i aktivizoi: Ganimete Musliun, Ramiz Lladrovcin, Gani Gecin dhe Gani Kocin. Prej kur Ganimete Musliu Komandante? Prej kur Ramiz Lladrovci Komandant? Prej kur Gani Geci Komandant? Prej kur Gani Koci Komandant? Ky i fundit se paku ka qenë një ushtar i UÇK-së e përherë zyrtar i PDK-së. Këtu nuk ka luftë në mes komandantëve! Këtu ka luftë kundër të vërtetës së UÇK-së, e sponsorizuar nga ata që e “gjuajnë gurin dhe e fshehin dorën” dhe për këtë temë nuk përgjigjen vetë por nxjerrin të tjerë, që t’ia ulin nivelin e temës. O ju të “parët” e PDK-së, bëhuni trima e nxirreni kokën, së paku një herë ne jetë! Një fjali e vetme në Kuvend iu alarmoi. Po sikur të flasim më shumë? Ku do ta fusni kokën pastaj?’’ ka shkruar Selimi.