Mungesa e zgjidhjes së rastit të vëllezërve Bytyqi duhet të mbetet faktor për zhvillimin e mëtejmë të raporteve mes ShBA-së dhe Serbisë, kështu thuhet në njërën nga pikat e rezolutës së propozuar për aprovim në kongresin amerikan të datës 29 korrik 2021. Kongresmeni republikan nga shteti i New York-ut, Li Zeldin, ka propozuar një rezolutë në kongres që dënon vrasjet e vëllezërve Bytyqi në korrik të vitit 1999 në Serbi. Kjo rezolutë është përcjellë në Komitetin për Punë të Jashtme për aprovim që e njëjta të sillet në Kongres për votim. Në rezolutën e propozuar janë pesë pika ku kërkohet që Dhoma e Përfaqësuesve me pajtimin e Senatit amerikan që individët që janë përgjegjës për vrasjet e vëllezërve, Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi të sillen para drejtësisë. Po
ashtu në rezolutën e propozuar thuhet që është e papranueshme që asnjë individ nuk është shpallur fajtor për ekzekutimin e vëllezërve Bytyqi.
“Le të jetë e vendosur nga Dhoma e Përfaqësuesve (me pajtimin e Senatit) se është në logjikën e Kongresit që (1) ata individë që janë përgjegjës për vrasjet e korrikut të vitit 1999 të qytetarëve amerikanë, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi në Serbi duhet të sillen para drejtësisë; (2) është e papranueshme që asnjë individ nuk është shpallur fajtor për ekzekutimin e vëllezërve Bytyqi apo për ndonjë krim tjetër të lidhur me vdekjet e tyre dhe që asnjë individ nuk është përballur me akuza për ato krime të tmerrshme; (3) Qeveria e Serbisë dhe ministritë e zyrat e saj përkatëse, përfshirë Zyrën e Prokurorit Serb për Krime të Luftës, duhet ta bëjnë prioritet hetimin dhe ndjekjen penale sa më shpejt që është e mundshme të zyrtarëve të tanishëm ose ish-zyrtarëve që besohet se janë përgjegjës për vdekjet, drejtpërdrejt ose tërthorazi; (4) Shtetet e Bashkuara duhet të ofrojnë burime të mjaftueshme për t’i ndihmuar plotësisht dhe për t’i vëzhguar në mënyrën e duhur përpjekjet e Qeverisë së Serbisë dhe ministrive e zyrave të saj përkatëse për t’i hetuar dhe për t’i ndjekur penalisht sa më shpejt që është e mundshme ata individë që besohet të jenë përgjegjës për vdekjen e tyre, drejtpërdrejt ose tërthorazi; dhe (5) progresi, përkatësisht mungesa e tij për zgjidhjen e këtij rasti duhet të mbesin faktor i konsiderueshëm për përcaktimin e zhvillimit të mëtejmë të raporteve mes Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Serbisë”, thuhet ndër të tjera në rezolutën e propozuar.