Rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë nuk krijojnë mundësi për asnjë parti politike që ta formojë qeverinë e vetme. Njohësit e çështjeve politike thonë se koalicionet eventuale pas zgjedhjeve, mund ta përfshijnë edhe çështjen e pozitës së presidentit të Kosovës, pasi andati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon më 7 prill 2026. Bazuar në rezultatet preliminare, të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka marrë më së shumti vota, ka siguruar 47 ulëse në Kuvendin e Kosovës, ndërsa për formimin e qeverisë i duhen së paku 61 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës ka siguruar 25 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 20 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8. Nga 20 ulëset e mbetura në Kuvendin me 120 gjithsej, dhjetë janë të garantuara për komunitetin serb dhe dhjetë për komunitetet tjera pakicë.
![KQZ](https://www.radiokosovaelire.com/wp-content/uploads/zgjedhjet_votimi.jpg)