Duke aspiruar ngritjen e kualitetit të shërbimeve të cilat Zyrat Kadastrale Komunale ofrojnë për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës, Agjencia Kadastrale e Kosovës ka trajtuar secilën mënyrë për ofrimin e ndihmës adekuate për këto zyra. Kjo është arritur si përmes investimeve në trajnime për stafin Komunal që kryen punë kadastrale po ashtu edhe përmes investimeve të drejtpërdrejta në ngritjen e kapaciteteve teknologjike dhe profesionale nëpër Zyrat Kadastrale Komunale. Së fundmi Agjencia Kadastrale e Kosovës me përkrahje të Autoritetit Norvegjez për Kadastër dhe Hartografi “Kartveket” ka financuar ri-inxhinjerimin e Zyrës Kadastrale Komunale në Vushtrri. Si pjesë e investimeve të cilat janë mbuluar me projektin e ri-inxhinjerimit të Zyrës Kadastrale Komunale në Vushtrri janë punët renovuese, sistemi i ri i nxehjes, ventilimi ri, mbrojtja nga zjarri, arkivi, orenditë, dhe pajisjet e TI-së të cilat nevojiten për të siguruar një rrjedhë efikase të punës për stafin e Zyrës Kadastrale Komunale.
Objektiv i ri-inxhinjerimit është që të përmirësojë shërbimet ndaj qytetarëve dhe të përdoret organizimi i ri me zyrë pritëse/operuese dhe procedurat e standardizuara, në mënyrë që transaksionet të jenë më sistematike, efikase dhe transparente. Duke u nisur nga fakti që AKK deri më sot ka investuar në ri-inxhinjerimin e 20 Zyrave Kadastrale Komunale në territorin e Republikës së Kosovës, pritjet janë që edhe në Vushtrri të ngrihet kualiteti i shërbimeve, transparenca gjatë ofrimit të shërbimeve si dhe të përmirësohen kushtet gjatë ofrimit dhe shfrytëzimit të shërbimeve kadastrale si për punëtorët në këto zyra po ashtu edhe për qytetarët që u drejtohen atyre. Ndërsa, me datë 21 mars, me qëllim të monitorimit të aktivitete të përfunduara gjatë ri-inxhinjerimit në ZKK Vushtrri, kreu i Agjencisë Kadastrale të Kosovës z. Avni Ahmeti me bashkëpunëtorë ka vizituar Komunën e Vushtrrisë, ku së bashku me Kryetarin e Komunës së Vushtrrisë z. Xhafer Tahiri kanë vizituar zyrat subjekt i ri-inxhinjerimit. Gjatë inspektimin është konstatuar se kompania implementuese e projektit i është përmbajtur planit dinamik, ndërsa hapja ceremoniale e këtyre zyrave të reja pritet të bëhet gjatë muajit prill.