Zëvendës-sekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard Verma, shprehu shpresën se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të çojë drejt njohjes së ndërsjellë mes dy vendeve. Verma theksoi rëndësinë e përmbushjes së zotimeve të marra në kuadër të dialogut të Brukselit, duke theksuar se “normalizimi do të mundësojë siguri rajonale dhe përfitime për qytetarët e të dyja vendeve”. Verma vlerësoi Marrëveshjen e vitit 2023 për rrugën drejt normalizimit dhe bëri thirrje që të gjitha pikat e saj, përfshirë njohjen e simboleve shtetërore dhe zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme, të realizohen pa vonesa. Ai theksoi se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme për të dyja palët, pavarësisht refuzimit të Beogradit për ta nënshkruar atë. Lidhur me raportet Amerikë-Kosovë, Riçard Verma nënvizoi qëndrueshmërinë e mbështetjes amerikane ndaj Kosovës, duke u ndalur te nevoja për shmangien e veprimeve të njëanshme që mund të krijojnë tensione, sidomos në veri të vendit.