Lajm i ditës gjatë këtij muaji, kudo ndër shqiptaret mbetet Terrorizmi dhe lufta ndaj tij. Kjo dukuri shkatërruese për çdo shoqëri është bë “bonus” për disa pseudopatriotë, përmes së cilës nga dështimet e tyre në politikë apo në karrierën e tyre profesionale dëshirojnë të tërheqin vëmendjen dhe të përfitojnë poenë në emër të mbrojtjes së vlerave demokratike, jo pse të tillët janë demokratë por që këtë e bëjnë për dy arsye:
E para: Tërheqje e vëmendjes nga dështimet ose te bëmat e tyre që fatkeqësisht janë të shumta
E dyta: “Lepuri në lëkurën e ariut”. Me çfarë të drejte Kosova merret me politika globale kur ende nuk ka hyrë në klase te parë. Me çfarë mençurie e guximi këta “lider” kanë caktuar prioritet e shtetit, e të merren,si me :
Luftën kundër terrorizmit – kur ne ende nuk e kemi ushtrinë.
Sanksione kundër Rusisë – kur ekonomia e Kosovës është më e dobëta në Evropë.
Deklaratat kundrejt Koresë së Veriut nga MPJ – kur kjo është ndër ministritë që ka pasur më së shumti pa rregullsi dhe skandale.
Qeveria shpenzon miliona euro për imazhin e Kosovës – kurse me një veprim naiv e shkatërron atë.
Sigurisht, të gjitha këto dhe çështje të tjera duhet patjetër të trajtohen, por assesi të vendosen në top listën e prioriteteve. Kosova si shtet i ri, sot përballet me sfida të shumta të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në jetën e qytetarit, por që fatkeqësisht deri më sot ato mbeten tema që diskutohen vetëm gjatë fushatave elektorale.
Duke parë zhvillimet e fundit në vend, si arrestimet e fundit madhe edhe të imamëve dhe dështimi i formimit të institucioneve, më bëjnë edhe më skeptikë e pesimistë për të jetuar në këtë vend.
Andaj përmes këtij shkrimit i bëj thirrje të gjithë akterëve politik në vend që t’i qasen seriozisht problemeve të kësaj shoqërie, sepse ato janë të shumta duke filluar nga:
Ekonomia – Kosova është vendi më i pazhvilluar në Evropë me të gjithë indikatorët ekonomikë, si: GDP-ja, punësimi, standardi jetësor, deficit i lartë tregtarë etj. Sipas Raportit të Progresit për vitin 2013 nga KE, zhvillim ekonomik i Kosovës është në ecje prapa. Mungesa e qasjes në financa, ndërprerjet e energjisë,konkurrenca e pandershme, sundimi i mangët i ligjit, ekonomia joformale dhe evazioni fiskal si dhe korrupsioni jane nder pengesat kryesore për të bërë biznes. Në përgjithësi, rritja ekonomike e Kosovës është dobësuar dhe mbetet e brishtë.
Sundimi i ligjit – Sipas te njëjtit burim, nëpër gjykatat e Kosovës rezultojnë të jenë rreth 230 mijë lëndë të patrajtuara. Reforma e administratës publike vazhdon të karakterizohet në përgjithësi nga mungesa e profesionalizmit dhe motivimit nga ana e stafit. Ekziston edhe ndërhyrja politike në shërbimin civil kurse ndërhyrja në punët e gjyqësorit mbetet shqetësim serioz.
Arsimi – Arsimi parashkollor nuk është i mbështetur në mënyrë adekuate kurse ne arsimin e lartë mungon cilësia e programeve universitare dhe pas-universitare . Gjysma e shkollave të regjistruara punojnë në dy apo tri dhe ndërrime dhe ju mungojnë laboratorët shkencorë, objektet sportive dhe mirëmbajtjet adekuate të ndërtesave shkollore. Pa snjë te drejtë ju mohohet shkollimi disa vajzave, vetëm për shkak të bindjeve fetare.
Shendetesia – Në përgjithësi, sektori shëndetësor nuk është konsideruar si një prioritet. Shpenzimet publike në shëndetësi mbetet me të ulëtat në rajon dhe alokimet janë menaxhuar në mënyrë joefikase. Shpenzimet nga xhepi janë të larta (40-60%).
Levizja e lire – Kosova mbetet i vetmi vend i izoluar në Europë. Kosova ende nuk është anëtare e Kartonit të Gjelbër kurse për liberalizim vizash e tha shumë qartë para pak kohësh Samuel Zhbogar, – kosovarët nuk do të marrin liberalizim të vizave pa sundim të ligjit, luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit as më 2014.
Ambienti – Kosova nuk e ka një politikë gjithëpërfshirëse dhe as strategji për klimën, dhe nuk ka zhvillime për të raportuar në lidhje me përafrimin me acquis-in mbi klimën. Investimet ne energji alternative janë pothuaj të barabartë me zero.
Mediat -Komisioni i Pavarur për Media nuk ka arrit të mbrojë pavarësinë e tij nga ndërhyrja politike, por edhe të demonstrojë se mund të kryejë detyrat e veta.
Lufta kundër terrorizmit – “terrorizmi islamik”
Paraprakisht duhet dalluar qartë se flitet për dy terme që asnjëra nuk interferojnë në tjetrën dhe ashtu si dita e nata janë dy të kundërta ashtu edhe islami me terrorizmin. Andaj nga të gjitha debatet po shihet se kjo ngatërresë (nga mungesa e informatave ose nga naiviteti) është bërë hallakamë në shoqërinë tonë edhe ashtu e lodhur nga gjithçka që quhet vetëm e keqe. Është shqetësuese kur nga disa media, analistë apo edhe vet presidentja fenomenin e terrorizmit e identifikojnë si terrorizëm islamik. Nuk ekziston terrorizëm islamik, por terrorizmi është e keqja qe i kanoset çdo shoqërie pa dallim feje, kombi apo race.
Pra, nuk kemi te drejte që këtë të keqe t’a identifikojmë me islamin ashtu siç nuk kemi të drejtë që pedofilinë ta identifikojmë me krishterimin, ose fashizmnin me katolicizmin, gjenocidin me ortodoksinë e fenomene të ngjashme….
Sa për sqarim termi terrorizëm asnjëherëë nuk është lidhur me islamin ( përveç në rasteve nga qarqe antiislame) dhe e vërteta është se terrorizmi vjen nga fjala franceze terrorisme, dhe në fillim i referohej në mënyrë specifike terrorizmit shtetëror siç u praktikua nga qeveria franceze gjatë Mbretërimit të Terrorit 1793-1794.
Andaj ç’lidhje ka Islami me terrorizmin?!
Islami ka qenë dhe do te mbetet gjithmonë fe e paqes. Atë e përfaqëson vetëm Kurani dhe jeta e vepra e profetit Muhamed.
Se sa është paqësor Islami sigurisht i referohemi burimit të tij – Kur’anit :
“Por për sa u përket atyre që pas betimit, e shkelin besën e dhënë ndaj Allahut, ndajnë atë që Zoti ka urdhëruar të jetë e bashkuar dhe përhapin çrregullim në tokë, mallkimi do të jetë mbi ta. Ata do të kenë një fund të tmerrshëm”. (13:25).
“A pritet prej jush (hipokritëve) që nëse merrni sundimin (ose zbrapseni prej fesë islame) të bëni trazira në tokë dhe të ndërpreni lidhjet familjare”? 47:22
“Të tillët janë që All-llahu i mallkoi, i bëri të shurdhët dhe ua verboi të parit e tyre” 47:23
“O besimtarë! Hyni në paqe me të gjitha rregullat e saj dhe mos shkoni gjurmëve të djallit, se ai është armiku juaj i përbetuar.” (2:208)
Kurse nga fjalët e profetit Muhamed do të perkujtoja:
“Zjarri i është ndaluar atij që është njeri i afërt, i lehtë, i dashur, i sjellshëm dhe i butë”
“Ki ndërmend All-llahun kudo që të jesh. Të keqen përcille me të mirë, ajo do ta fshijë të keqen. Dhe me njerëzit bëhu i moralshëm-me moral dhe sjellje të mira.”
Andaj çdo tentativë për t’a njollosur islamin, do të mbetet thjeshtë tentativë dhe kurrë e realizueshme, kurse neve si shoqëri n’a mbetet angazhimi i sinqertë për të punuar dhe mbrojtur për çdo vlerë që kanë mbajtur gjallë këtë komb.