Rifat Berisha (1910-1949) u lind në fshatin malor të Berishës, në Drenicë. Ishte biri i Latif dhe Hasime Berishës. Mësimet fillestare i mori në shkollën fetare të Negrocit, ndërsa të mesmet në Medresenë e Gjakovës. Në moshë të re ishte arratisur në Shqipëri se bashku me disa anas të tjerë si: Shefqet Bylykbashi, i njohur si Shefqet Kapedani nga fshati Baicë e Kolshit, Ibrahim Banush Hoxha nga fshati Shalë-ish Sedllar e të tjerë. Më 1931 e kryen Akademinë e mesme Ushtarake, në Tiranë. Në vitin 1933, martohet me Mirijen, bijën e Xhelal Çanos, epror ushtarak në pension. Shërbeu edhe në Kukës, Lushnjë, Pukë, Sarandë, Shkodër, Tiranë e Vlorë. Mirija dallohej me virtyte më të larta njerëzore e kombëtare. I patën katër fëmijë: Muhameri, që u lind në Gjirokastër më 1935, Afërdita në Shkodër më 1938, Shpresa në Gjilan më 1942 dhe Ylberi në Prishtinë më 1946.
Rifat Berisha, gjatë Luftës së II-të Botërore, kishte arritur në Kosovë së bashku me forcat italo-shqiptare dhe ishte emëruar Prefekt i rrethit të Gjilanit, ku ka zhvilluar një veprimtari të matur politike mes forcave nacionaliste shqiptare dhe forcave partizane. Edhe pse i kishte shërbyer pushtetit të kohës, ai kishte bindje të avancuara revolucionare dhe ishte i sigurt që blloku fashist do të mundej. Me kohë kishte marrë lidhje dhe ishte pranuar në radhët e Partisë Komuniste, me përpjekje që komunistët e Kosovës të bashkoheshin me Partinë komuniste të Shqipërisë.
Ainuk iu besonte komunistëve jugosllavë, por nuk arriti të ushtrojë ndikim të Fadil Hoxha, Xhavit Nimani dhe te krahu titist komunist i Kosovës. Ai me kohë kishte vërejtur se komunistët jugosllavë bënin përpjekje ta uzurponin edhe Partinë Komuniste të Shqipërisë. Në kushte dhe rrethana të tilla, për një kohë kishte mbetur në dilemë. Me kohë e kishte kuptuar tradhtinë e jugosllavëve, kur edhe më 9 gusht të vitit 1945, në Konferencën e Prizrenit ishte shfuqizuar Rezoluta e Bujanit e vitit 1943-1944, që parashihte vetëvendosjen e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë pas mbarimit të Luftës Antifashiste. Në Konferencë e Bujanit ishte zgjedhur nënkryetar. Duke u gjendur pothuajse i vetmuar, ai me qëllim të vazhdimit të aktivitetit revolucionar, thuhet se nënshkroi mbetjen e Kosovës në Serbi, ashtu sikur edhe Fadil Hoxha dhe të gjithë komunistët e Kosovës, përveç veprimtarit Ibrahim Cërnilla. Ishte i vetëdijshëm se kishte bërë gabim të madh, dhe për këtë e kishte qortuar edhe xhaxhai i tij, Tahir Berisha, i njohur si pleqnar, burrë i zakonit dhe vizionar.
Një kohë ka qenë edhe kryetar i Frontit Popullor për Kosovë. Në mbarim të luftës ishte nënkryetar i Kosovës. Nuk u pajtua kurrë me tradhtinë që iu bë Konferencës së Bujanit dhe vendimeve të saj, për çka edhe u vu në shënjestër të OZN-së. Aktiviteti i tij ne vazhdim, sidomos lidhjet qe ai mbante me ilegalitetin e vendosin në qendër të vëmendjes së sigurimit jugosllav. Gjatë një përpjekje për ta arrestuar, dikur në vitin 1947, Rifati me vëllezër e kushërinj nuk dorëzohen dhe ngrehin armët kundër UDB-së, me ç’ rast edhe u shkaktojnë humbje në efektivë të milicisë jugosllave.
Prej asaj kohe fillon veprimtarinë e tij ilegale në fshatrat e Drenicës, me qëllim për të rritur radhët dhe për të luftuar pushtetin okupator në Kosovë.
OZN-a kishte organizuar një rrjet të gjerë të spiunëve, me qëllim për ta zbuluar vendin ku strehohej së bashku me gjashtë trimat e tij, vëllezër e kushërinj. UDB-ja kishte marrë përsipër edhe ta likuidonte në rast se ai nuk dorëzohej. Milicia serbe dhe disa shqipfolës kishin ushtruar dhunë e terror jo vetëm në fshatin Berishë por edhe te miqtë e të njohurit e tij , me qëllim për ta zbuluar vendndodhjen.
Në dimrin e vitit 1949, Rifat Berisha me bashkëluftëtarët e tij ishte futur në ilegalitet të thellë, por edhe atje kishin depërtuar spiunët e shumtë, që kishte aktivizuar regjimi titist-rankoviçist.
Më 17 maj të atij viti, Rifat Berisha ndodhej në fshatin Gajrak, në shtëpinë e Smajl Gajrakut, që e kishte edhe mik shtëpie, për të cilin thuhet se i kishte denoncuar miqtë, nga kërcënimi që kishte marrë nga OZN-ja se do t ia likuidonte tërë familjen.
Në mëngjesin e hershëm të 17 majit të vitit 1949, forcat e Milicisë serbe dhe ato të Kosovës, në krye me shqiptarë-vrasësit: Çedo Topalloviç dhe Çedo Mijoviç rrethojnë shtëpinë dhe fillon ballafaqimi i armatosur. Pas disa orë luftimesh të pabarabarta ranë duke luftuar deri në fishekun e fundit: Rifat Berisha, vëllezërit e tij, Mustafa Islami, Brahimi, i biri i Islamit. Kanë çarë rrethimin dhe kanë shpëtuar gjallë Halit dhe Jahir Berisha të cilët edhe kishin ikur në Shqipëri.
Represioni kundër kësaj familjeje ka qenë i pashembullt. Deri në vitet 60, për shkak se dyshohej se vëllezërit e tij që kishin shpëtuar, nga Shqipëria hynin ilegalisht në Kosovë, regjimi kishte marrë vendim t i mbante të izoluar duke mos i lënë të shkolloheshin as gjeneratat e nxënësve, meqë dyshohej se ata mbanin kontakte ilegale me familjarët e tyre të cilit kohë pas kohe kalonin kufirin dhe arrinin në Berishë. (A.Q.)