Rikthimi i dëshpëruar i Joakimofisit III

Rikthimi i dëshpëruar i Joakimofisit III

Atëherë kur kishte menduar se  kishte ndërruar jetë, dromcat nga koha në të cilën kishte jetuar i dukeshin ëndrra, vegime. Edhe jetën e tillë, të ngujuar pas vdekjes, sikur e kishte ëndërruar, por nuk i kishte dhënë rëndësi, meqë kishte besuar në materie dhe me kohë kishte flakur dogmën idealiste lidhur me jetën dhe universin. Kur kishte ndërruar jetë dhe kishte mbetur aq sa kokërrmeli i padukshëm i përrallave popullore, nuk dinte më kë të besonte dhe nuk mendonte fare se duhej, apo nuk duhej të besonte. Mjaftonte fakti se jeta pas vdekjes nuk ishte e tillë, sikur përshkruhej në librat e shenjtë, por as fatalisht e humbur sikur e kishin konceptuar materialistët. Ai ishte, përderisa mendonte, madje sillte në kujtesë edhe të kaluarën. Ishte si një fluid i pakapshëm, por ekzistues. Ishte njëlloj ekzistence me një formë tejet të imët lëndore, të cilën e operonte me  mendje, por nuk e shihte. Jetonte në botën përtej varrit dhe nuk e shihte vetveten. Ishte pjesë e një tërësie vezulluese, pjesë e një lënde të çuditshme të pandjeshme, të patrajtë  por ekzistuese.

Asgjë nuk shuhej.  Universi ndërronte në formë por jo në tërësinë e vet të paskajshme dhe absolute. Vetëm flakërima vezullues bilionë shkëndijash përmblidhej me fuqinë gjigante të një lëvizjeje magjepse, e cila e ngazëllente, por nuk e joshte, sepse nuk kishte shqisa ndijimi, nuk kishte më lakmi as ambicie, nuk kishte më dëshira për të realizuar.

 Jeta, nuk ishte ajo që kishte qenë në tokë.

Jeta pas vdekjes ishte njëlloj ngurtësimi fatal.

Ishte një formë tjetër  eksituese drejt paparashikueshmërisë.

Nuk ishte as ferri, as parajsa, as purgatori.

Po megjithatë ishte një formë e patretur e materies trunore, një kombinim i materieve, që për herë të parë ishte zënë në embrion. Njerëzia mendojnë se lindin nga hiqi, nga një bashkim farërash të kundërta, dhe pas një  kohe, apo një jete, qoftë e shkurtër apo e gjatë, ata vdesin. Asgjë në univers nuk lind nga hiqi, por nga hiri i patretshëm, dhe gjithçka sërish kthehet në masën e patretshme të hirit, e cila nuk mund të asgjësohet, por gjithnjë merr forma dhe trajta të ndryshme. Tani sikur i besonte kësaj teorie.

Edhe pasi kishte ndërruar jetë, dhe pasi ishte kthyer në hiq, ai nuk ishte asgjësuar. Kishte ngelur kujtesa, operimi mendor dhe shikimi. Tri komponente  të patretshme, të cilat sikur sajonin në tërësi qenien pas procesit përfundimtar në tokë që quhet vdekje. Në formën e tillë të ekzistimit, ai nuk dinte kë kishte afër. E vetmja sferë ekzistuese, të cilën e shihte, ishte masa gjigante e bilionë vezullimeve flakëruese. Atje, ishte mbase ai kazani gjigant  ku ziheshin, trajtoheshin dhe ritrajtoheshin e ricikloheshin të gjitha llojet e shpirtrave. Mbase e kishte gabim, por nuk e zbërthente  dot atë univers lëvizës, përjetësor.

Ishte mbase vetë drita e përjetësisë.

E tillë sikur e kishin menduar faraonët. Një flakë e gjallë që rikrijon, rilind, rinon. Por ai nuk kishte arritur atje dhe mbase nuk do të arrinte kurrë.

Ku di?

Forma e re e jetës kishte filluar me stagnim. Mbase ishte  një gjendje e përkohshme nëpër të cilën kalonin shpirtrat, apo aq sa kishte mbetur nga shpirtrat.

Universi i ri, të cilit tanimë i takonte, ishte tërësisht i njëtrajtshëm, në krahasim me botën, ku kishte gjalluar dhe ku e dinte se ende gjallonin njerëzit dhe qeniet e tjera, të shumta dhe të ndryshme. Dallonte sidomos në aspekt të kohës, hapësirës dhe lëvizjes. Ato forma që mundësonin jetën në tokë në botën tjetër, apo në Universin tjetër nuk ekzistonin. Ishte ngurtësuar në një trajtë të pakuptueshme, mbase të përjetshme. Vetë nuk mund të lëvizte, ndërsa gjithçka që shihte me sy, apo në halucinacione, ato ndodheshin në një lëvizje të çuditshme, në një harmoni të përkryer, me vezullim bilionë shkëndijash të llojllojshme. Ai ishte bërë pjesë e atij bilioni, por askush nuk i fliste, nuk njihte as kë…

Universi, që shtrihej deri në pafundësi ishte një mister i pa imagjinueshëm. Një jetë tjetër. I kujtohej formula filozofike e Budës, i cili predikonte se jeta është diku tjetër. Por a ishte kjo, ajo jeta tjetër, përderisa ai ishte kthyer në një qenie aq të imët sa nuk dallonte asgjë nga trupi i vet. Aq i vogël, sa nuk e shihte veten, por i aftë për të parë tërë sferën e tërë një universi  në lëvizje. Nuk ndiente, nuk shpresonte, nuk fliste, nuk vërente asgjë të gjallë veç asaj lëvizjeje së përjetshme. Nuk kishte asnjë motiv nga ato që kanë njerëzit. Ishte i ngopur me të gjitha. Nuk frikësohej nga vdekja, sepse të jetuarit e tillë nuk e kishte më kuptimin e jetës në tokë. Nuk dashuronte, nuk urrente, nuk lakmonte, nuk kishte uri as etje, nuk flinte. Kishin pushuar të gjitha trajtat lëvizëse të jetës, përveç mendimit dhe shikimit të fiksuar në bilionë shkëndijave shumëngjyrëshe.

Ndodhej në një gjendja stagnuese, e cila nuk ndërronte as një grimë. Në një gjendje krejtësisht ndryshe nga jeta në tokë. Dhe kjo gjendje quhej, vdekje, apo ndërrim jete. Ishte misteri që aq shumë e ka munduar dhe e mundon njerëzimin, misteri i pazbërthyeshëm, sepse nga gjendja jetësore, në të cilën ndodhej, nuk mund të kthehej më në gjendjen paraprake, andaj, gjithçka mbaronte, me fillimin e ri stagnues, me atë që njerëzit e quanin vdekje, apo ndërrim jete.

Njeriut nuk i kujtohet kurrë periudha sa ka qenë gjallë, në bark të nënës. Nuk i kujtohen madje as dy vitet e para të jetës, derisa në trurin ende të pazhvilluar të mos fillojë të veprojë mekanizmi i mbamendjes.

Gjendja stagnuese ishte rezultat i një pjese të padukshme të natyrës, që nuk tretej, që nuk  po shpërbëhej në asnjë rrethanë. Mbase ishte fryma apo shpirti që ndërronin formë e trajtë, por që nuk zhbëheshin, sepse asgjë nuk shpërbëhet në kuptimin esencial të ekzistencës. Pas vdekjes fillon periudha e stagnimit, por jo e shpërbërjes, sepse, asgjë, sado e imët qoftë, nuk zhduket. Ajo, mund të ndërrojë trajtë, formë, mund të digjet, mund të shformësohet, por esenca mbetet ashtu sikurse mbetet gjithnjë e njëjtë gjithësia, universi, tërësia harmonike e paskajshme dhe e pafund ekzistenciale. Fenomeni jetë, në të gjitha trajtat e paraqitjes, është ekzistencial, i përhershëm dhe i përjetshëm, meqë ndërron format, por mbetet esenca. A ishte kjo, ajo formula e vërtetë e kuptimtë, apo e pakuptimtë e jetës?

Asgjë më nuk e kishte kuptimin e vet. Por kuptimi i të gjitha kuptimeve ishte mundësia për të menduar, dhe për të ndjerë një sfond të caktuar të tërësisë ekzistenciale. Këto ishin të vetmet forma të patretshme ekzistenciale, të cilat nuk zhdukeshin, të cilat rronin në një botë tjetër, në një realitet tjetër, në jetën pas vdekjes, apo në jetën diku gjetkë, apo në fillimin e një jete tjetër fare, me të tjera ligje ekzistenciale. Me faktin se mendonte dhe shihte, ai konstatonte se ekzistonte, por përderisa shihte tërë një univers,  ai nuk e shihte dot vetveten. Dhe kjo ishte ajo ana e pakuptueshme e jetës diku gjetiu, mbase fillimi i jetës stagnuese, nëse mund të kuptohej një jetë e tillë, apo diçka e tillë në formë jete.

Papritmas heton dyndjen e një errësire të përgjithshme. Atë qenie të vogël dhe të imët e kishte kapluar një trishtim i papërshkrueshëm. S` kishte mbetur veçse një ‘qenie”  e imët, e cila  as mund të vërehej me syrin e njeriut të botës, nga ku ishte ndarë, por aq shumë frikë e kishte kapluar nga terri i përnjëhershëm, që kishte përmbledhur tërë atë vezullimë valëvitëse shumëngjyrëshe. Terri ishte pasuar me një shtrëngim fatal. Sa i vogël, i patrajtë dhe i papashëm ishte dhe sa frikë e tmerr e kishte kapluar. Nuk ishte më vezullimi mahnitës i bilion thërmijave të ngjyrave, nuk shihte më asgjë nga shkëndijat e dritës së përjetësisë.

Gjithçka ishte ngurtësuar. I vetmuar në vetminë e tij të tmerrshme po përpëlitej, për të përjetuar edhe ngulfatjen e fundit. Edhe aq kishte mbetur nga ajo trajtë e çuditshme e jetës stagnuese.

Sa kohë kishte zgjatur periudha e një ngurtësimi të tillë pas vdekjes!- këtë nuk e dëshifronte dot, sepse asgjë nuk matej me kohën dhe hapësirën.

                                             BLETATONI

Në një çast kritik, gris cipëzën e hollë të fosilit vezor. Doli nga terri i tmerrshëm dhe dëgjoi një zhurmërimë të fuqishme të mijëra zërave. Ndodhej në botën e madhe të mbretërisë së bletëve. Pjesa e patretshme e hirit jetësor sërish ishte aktivizuar, kësaj radhe në botën e insekteve fluturuese. Falënderoi Hyjin jetëdhënës Aton,  që nuk e kishte shndërruar në gjarpër apo në ndonjë zvarranik tjetër. Falënderoi Hyjin që nuk e kishte ringjallur në formë hiene apo qeni, falënderoi Hyjin që nuk e kishte ringjallur insekt parazit.

Tani ishte një bletë dhe pa vonuar fare ishte nisur për në jetë. Në zgjoin kur  lindi, po në të çast kishin lindur edhe qindra bletë të tjera, të cilat kishin bërë me sukses lëvizjen e parë me këmbët e vogla e të holla, pastaj për të fluturuar iu zgjeruan  krahët e bukur dhe të mahnitshëm.

Tani ndodhej  në një botë tejet lëvizëse. I dukej sikur befasisht ishte zgjuar nga gjumi. I bëhej se e njihnin dhe i njihte të gjithë. Ishte një familje e madhe me sundimin e rreptë të një rendi hierarkik. Fluturimin e parë jashtë  zgjoit e kishte bërë me shumë sukses. Kishte ndaluar në polenin e një lulëkuqeje, që magjepste me bukuri. Pastaj kishte kaluar në polenin e një luleje të bardhë. Kishte bërë tutje, ishte ndaluar te një oazë uji dhe kishte shuar etjen. Niset në drejtim nga ku ishte larguar, por nuk e gjen dot rrugën. Ndalon një bletë tjetër dhe i bën me shenjë se ka humbur. Nuk dinte të shpjegonte se nga ku kishte fluturuar në gjithësinë e pakufishme. Bleta më e moshuar, i bën me shenjë që ta pasojë. Pas  një rruge të gjatë të fluturimit, Bletatoni i humbur  kthehet në zgjoin të cilit i takonte. Bleta kujdestare e kishte qortuar, sepse qe larguar pa mësuar shenjat e para të kthimit. Bletatoni i vogël me krahët e sapodalë tërë ditën kishte qëndruar në zgjoin e madh dhe para derës së zgjoit, duke ndjekur mësimet e para të lëvizjeve dhe duke mësuar kahet e orientimit në natyrë. 

Pasi mëson ciklin e lëvizjeve dhe kahen e orientimit primar, bletani atonik bëhet i zoti vetvetes. Për fillim shoqërohej me moshatarët dhe nuk bënte lëvizje të gjata. Pastaj i lind dëshira për të përjetuar fuqinë eksituese të fluturimit në natyrën e pakufishme hirëplote. Fluturonte me shpejtësi dhe magjepsej nga shpejtësia që ia mbushte tërë qenien me një refleksion të çuditshëm. Ndalonte në polenin e luleve, thithte dhe trajtonte nektarin, duke u kujdesur që të sillte sa më shumë ushqim në fosilin e vet. Atje kishte deponuar ushqimin e shijshëm rezervë ashtu sikur bënin të gjithë të tjerët.

Një ditë, vëren një si bletë të madhe që rrinte me një vend të izoluar. Pyet një bletë më të moshuar dhe ai i rrëfen se aty pushonte Bletani i Madh parazit, burri i dhunshëm i bletëve të reja,  që nuk iu nënshtrohej ligjeve të kolektivitetit të racës bletore. Ai ishte izoluar dhe po numëronte ditët e fundit, meqë ishte dënuar me vdekje, për shkak se kishte kaluar peshën e ndaluar të trupit dhe nuk mund të kryente punët, që i caktoheshin.

Ditën tjetër në zgjoin e madh të bletëve jepet alarmi. Një armik i madh sa njëqind bletë tok, ishte afruar te zgjoi dhe po bënte përpjekje të futej brenda. Në drejtim të armikut lëshohen dhjetë bletarë luftëtarë, të cilët duhej të kryenin sulmin vetëvrasës, duke thimthuar armikun. Pasi thimthojnë gjigantin e madh, bletaret vetëvrasëse tubohen në vendin e caktuar për të vdekur. Bletët e tjera  kujdestare bëhen gati ta izolojnë duke e mbuluar me materie të ndryshme fijore dhe bimore, në mënyrë që kur të fillonte të kalbej gjiganti, të ruhej ajri dhe atmosfera e pastër në zgjua. Pritej që ndërkohë, Zoti i Madh që përkujdesej për shtimin e bletëve  të zbulonte gjigantin e vrarë nëntokësor, të cilin do ta tërhiqte nga vendi.

Bletët sogjetare ishin shqetësuar se mos po vononte i Zoti i Zgjoit. Ato po endnin pa ndaluar lëvizjen e tyre të shqetësimit nga frika se gjiganti i mbytur, tanimë i ngordhur, kishte filluar të lëshonte  një erë të mundimshme që kaplonte tërë zgjoin. Bletatoni i Madh kujdestar po vononte. Kujdestaret e pastërtisë së zgjoit po matnin nivelin e ndotjes së ambientit. Ato i raportonin hierarkisë më të lartë bletore se kishte mbetur edhe pak kohë për të shpëtuar zgjoin. Mbretëresha Melissaton, kishte urdhëruar bletët që të mbyllnin dyert me dyllin e hollë të tretshëm, ku ndodhej ushqimi dhe të dilnin nga zgjoi për të shpëtuar nga duhma që kishte kapluar zgjoin.   

Në kohën kur mijëra bletë po bëheshin gati të iknin nga vendbanimi i tyre për të shpëtuar, kujdestari të cilin ato e quanin Melisatoni i Madh, heton shqetësimin e bletëve në  zgjua dhe pasi shikon vendqëndrimin e tërheq miun e mbytur nga zgjoi dhe lë hapur derën. Një kohë pasi zgjoi ishte ajrosur, fillimisht kthehen bletët kujdestare për të vërtetuar se ishte apo jo koha e përshtatshme për kthim. Pasi qe konstatuar se ambienti ishte pastruar nga era e keqe, të gjitha bletët e zgjoit kthehen në fosilet e veta. Fillimisht largojnë dyllin që e kishin endur, pastaj futen në kthinat ku kalojnë natën.

Me të filluar agu i parë, në zgjua jepet alarmi i zgjimit dhe të gjitha bletët fillojnë të lëvizin në drejtime të caktuara. Gjenerata e fillestarëve kishte filluar të stërvitej në përdorimin e thimthit mbrojtës, i cili  sajonte dhe duhej të mbante rezervë një dozë të caktuar të helmit.

Bletania, mësuesja e rrezikut dhe vetëflijimit, shpjegonte  për momentet kur mund dhe kur duhej patjetër për të thumbuar. Thumbimi, në të shumtën e rasteve ishte fatal. Nëse bleta gjatë nguljes së thimthit do të vononte, ajo do të mund të ndëshkohej nga personi i thumbuar, por edhe futja thellë e thimthit në trupin e huaj ishte me rrezik, sepse akëcila bletë  nuk do të arrinte të nxirrte vetë thimthin. Thumbimi bëhej vetëm në rast të përcaktimit për vetëvrasje, në rast të rrezikut momental, në rast se armiku sulmonte zgjoin, dhe në rast të luftës së përgjithshme me qeniet e tjera, të cilat për një shkak apo tjetër do të mund të sulmonin zgjoin. Demonstrimin e nguljes së thimthit, e bënin në trupat e bëshëm të brumbujve, që ishin dënuar me vdekje. Bleta mësuese, po demonstronte thumbimin pa helm, që ishte sipërfaqësor, dhe sipas saj,  nuk duhej të ngulitej thellë në objektin e butë. Vetëm në rast se bleta vendoste të vdiste, të vetëflijohej, atëherë thimthi futej thellë, por gjithnjë duhej bërë përpjekje për ta tërhequr, sepse kishte disa qenie të caktuara, të cilat mund të kundërgoditnin.

Bletatoni, që ishte lindur nga një rreze jetëdhënëse e dritës së përjetësisë, ishte parapërcaktuar nga Hyji për të lëvizur, duke u shndërruar  nga një qenie në qenien tjetër. Mirëpo ai nuk e dinte se Hyji Aton e kishte pajisur me dhuntinë e përjetësisë. Ai nuk dinte se kishte trashëguar një pjesë të bilionit të tharmit të përjetësisë dhe misioni i tij hyjnor ishte paracaktuar të endej nga një lloj i qenies në llojin tjetër, gjithnjë në qeniet inteligjente.

                                              ***

Hyji Aton kishte bërë eksperimentime me llojet. Kishte arritur të sajonte  dy lloje të krijesave inteligjente, në qeniet me dy këmbë që nuk mund të fluturonin dhe që quheshin qenie dykëmbëshe inteligjente, jofluturuese, dhe në qeniet e vogla dykrahëshe e shumë këmbë, që fluturonin dhe që quheshin, qenie dykrahëshe inteligjente fluturuese.

Në këto dy lloje më inteligjente, që i kishte krijuar Hyji Aton studionte elementet e krijimit të një qenie superiore, inteligjente, e cila do të mund të sajohej nga kombinimi i shumë e shumë veçantive të njeriut bletë, apo të bletës njeri.

Mund të ndikonte që njerëzia të shpiknin modelin e përsosur të jetës së bletëve, dhe mund të bënte që bletët të rriteshin dhe të mund të lëviznin me shpejtësinë e dritës. Në rast të tillë bletët do të vendoseshin në vendbanime të tjera të gjithësisë së pafund, ndërsa gjinia njerëzore do të arrinte një perfeksionim superior në krijimin e rendit, rregullit dhe harmonisë hyjnore, ashtu sikurse modeli jetësor i  bletëve inteligjente. Por rruga deri te shorti dhe ngjizja e llojit me llojin tjetër ishte e gjatë dhe me plot rreziqe. Nga një pakujdesi e vogël gjatë eksperimentimit mund të lindte ndonjë përbindësh dhe pastaj, për të ruajtur baraspeshën në natyrë dhe për të ruajtur qeniet inteligjente, Hyji Aton detyrohej të shkatërronte atë popullatë me anë të ujit, të zjarrit apo të sëmundjes. Kështu kishte ndodhur disa herë edhe me njerëzit, gjatë historisë së tyre, prej jetës fillestare, në gjendjen e egërsisë dhe të pasioneve. Kështu kishte ndodhur dhe me shumicën e qenieve të gjalla, inteligjente dhe jo inteligjente. Por kjo nuk kishte ndodhur me bletët, thneglat dhe as  me disa qenie që banonin në ujë.

Bletatoni ishe tërë shend në fillimin  jetës së re. Kishte mësuar të gjitha shkathtësitë dhe rregullat e jetës në kolektivitetin e botës bletore. Shquhej për dashuri dhe përkushtim ndaj llojit, të cilit i takonte. Nuk kishte më ide se nga një  thermi e hirit të përjetësisë ishte metamorfozuar nga njeri në bletë. Jetën e kishte filluar me lëvizje të lirë në natyrën hirëplote. Sogjetonte, thithte nektarin e ëmbël, prodhonte mjaltin, e rezervonte atë në fosilin e caktuar. Ishte gjithnjë në lëvizje i pasuar nga qindra e mijëra pjesëtarë të llojit të vet  

Krejt kuptimi i jetës përmblidhej në lëvizjet e lirshme në natyrë, në prodhimin e ushqimit, në shumëzimin e përcaktuar, në përgatitjet për pushimin dimëror dhe me marrjen e të gjitha masave për të izoluar shkaktarët që mund të prishnin  baraspeshën jetësore të llojit. Fluturimi ishte dhuntia më e fisnikëruar që Hyji i kishte dhuruar botës bletore…

….

Në një moment të caktuar ishte përmendur. Kishte shtyrë me duar pjesën e kapakut të arkivolit, meqë “Lëngu i përjetësisë” nuk kishte ushtruar efekt të plotë. Ai kishte pirë një sasi të pamjaftueshme dhe tashmë ishte zgjuar nga deliri. Rrinte shtrirë për ta rikthyer në kujtesë krejt ëndërrimin e gjatë, të cilin e kishte mbajtur mend pikë për pikë.

Por tani si të vepronte?

Po mblidhte forcat për t’ u ngritur, por nuk arrinte dot. Kapakun e arkivolit e kishte hapur dhe e kishte mbështetur në anën e djathtë. Terri brenda guvës ishte i plotë dhe nuk dallonte asgjë, mirëpo e dinte se duke prekur mund ta gjente daljen të cilën e kishte zënë me gurë. Duhej më shumë fuqi fizike për të hapur guvën. Po, edhe po ta hapte çfarë të bënte, nga t’ia mbante. Nuk kishte menduar me kohë se në rast të mungesës së efektit të “lëngut” çka do të bënte. Ishte zënë keq në kurthin që ia kishte ngritur vetes dhe kishte mbetur qyq në një guvë të sajuar shumë vjet më parë, pikërisht për ta përmbyllur aktin e fundit të jetës. Por ja që kishte ngelë në mes të rrugës, as kishte vdekur, as kishte fuqi të kthente prapa. Nuk kishte marrë me vete lëng rezervë, i sigurte se sasia 5-gramë do ta bënte efektin.

Shumë vjet më parë, Joakimofisit iu kishte fiksuar në mendje, se  ditën kur do të vdiste, një asteroid  do t’ ia përshkonte vendin ku do të ndodhej trupi i tij. Pikërisht për këtë edhe ishte larguar në vargmalet e Atatonisë, me qëllim që të ndodhej sa më larg vendbanimeve, meqë parashihte se asteroidi do të shkaktonte pasoja. Me vjet të tëra kishte jetuar nën akthin e tij, dhe sipas llogarisë matematikore që kishte bërë, goditja në tokë do të duhej të ndodhte vetëm pak orë pasi ai ta kishte pirë lëngun e përjetësisë.

Tashmë e kishte kuptuar se kishte lajthitur. Për më tepër kishte ngelur i ngujuar në guvë dhe nuk dinte nga t’ia mbante. Sipas llogarisë, duhej të kishte kaluar mesnata e dhjetorit, nata e Krishtlindjes, e vitit 88, meqë kohën e kishte llogaritur prej ditës kur kishte lindur…

Sapo ishte kthyer në shtëpinë e tij, nipi i Joakimofisit, Besianofisi,  kishte konstatuar se gjyshi kishte tretur. Qysh fëmijë kishte qenë shumë i lidhur me gjyshin, andaj edhe ia kishte përcjellë lëvizjet. Ishte i vetmi që dinte diçka për planet misterioze të gjyshit. Dinte madje edhe vendin ku ai shkonte tinëz, meqë pasi kishte dyshuar në largimet e tij të dyshimta, ai një herë e kishte përcjellë hap pas hapi dhe kishte zbuluar vendin, te Guva, ku ai futej dhe qëndronte me orë të tëra. Nuk i kishte dhënë shumë rëndësi, meqë e dinte se gjyshi i tij shkruante dhe shpeshherë tërhiqej në ambiente të cilat ia cytnin imagjinatën, apo anën e errët të karakterit të tij, të cilën nuk e njihnin të gjithë.

Në kohën kur askush nga trashëgimtarët nuk kishte ide ku mund të ndodhej Joakimi plak, nipi i rij, Besianofisi, kishte shtegtuar malet dhe disa orë më vonë ishte ofruar te Guva. Për një moment kishte dëgjuar si një rrokullisje të lehtë të gurëve dhe kishte thirrur me zë.

-Gjysh, a je brenda?

-Po, iu kishte përgjigjur me një zë të mekur.

Ndërkohë, nipi kishte shtyrë gurin e hyrjes nga prapa dhe ishte futur në Guvë.

-Përse e ke mbyllur Guvën gjysh?

-Kisha frikë nga egërsirat o bir, por ti si e gjete këtë vend?

-Të kam përcjellë tinëz, nga kureshtja meqë shpeshherë mungoje dhe nuk dinte askush ku ndodheshe.

-Sa mirë që erdhe, kam fjetur gjatë, si duket i kam humbur ndjenjat. Sa kohë kam qëndruar?

Nipi i kishte treguar se prej kohës kur e kishin vërejtur se nuk ishte në dhomën e tij duhej të kishin kaluar rreth 50 orë.

Joakimofisin plak e kishin zënë ethet, ndërkohë që nipi po i ndihmonte për të hipur në xhipin me të cilin me mjaft vështirësi ishte depërtuar  deri  te Guva.

Pas disa ditësh e kishte marrë veten, por ndihej shumë i thyer, i dëshpëruar dhe i penduar. E dinte se askush nuk do ta qortonte, por nuk ia falte vetes  pse kishte vepruar ashtu, i dehur pas një fiksioni.

Disa ditë më vonë tërë ndodhinë ia kishte shpjeguar vetëm nipit të tij.

Joakimofisi ishte ndarë nga jeta, dy vjet më vonë, në moshën 90-vjeçare.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …