Rilind Gërvalla

Rilind Gërvalla: Koalicioni i Gjykatës Speciale

Janë dy qëndrime brenda shumicës qeverisëse në Kosovë + Lista Serbe:

E para është LDK-ja e cila vazhdimisht me deklaratat e saj publike nga QIK-u, gjatë fushatave zgjedhore, ka përmendur “komandantët” të cilët kanë kërcënuar veprimtarët e tyre dhe kush debaton me ta e sheh që ata nuk kanë fare dilema se a duhet të fillojnë hetimet dhe arrestimet nga Gjykata Speciale që është kundër UÇK-së. As vetë veteranët e UÇK-së e që janë pjesë e strukturave të LDK-së nuk e kanë këtë dilemë. LDK-ja shpreson se vërtet do të merren Hashim Thaçi, Xhavit Haliti, Kadri Veseli etj. Ka një llogaritje këtu sepse vetëm kështu Isa Mustafa dhe LDK-ja mendojnë se mund ta pastrojnë rrugën për të qenë e para si parti, sepse sondazhet që dolën së fundmi e nxorën të tretën dhe gjithashtu janë në vazhdën e hakmarrjes ndaj LPK-së që buron prej viteve ’90. Kush ka qenë në LPK i di akuzat e LDK-së ndaj LPK-istëve si “të kuq” dhe “lepurusha”. LDK-ja gjithashtu me një kryeministër si Isa Mustafa, i cili ka kaluar nëpër nomenklaturën titiste, goditjen e vetme që mund t`ia japë PDK-së është duke ia goditur parullat kryesore të PDK-së përgjatë fushatave, pra UÇK-në.

E dyta është PDK-ja, në fakt konkretisht Hashim Thaçi, sigurisht Kadri Veseli, sapo të jenë plotësisht të sigurt se nuk do të jenë të pandehur, të akuzuar, të dyshuar, por p.sh. veç dëshmitarë ose aspak në listë, do t’i shuajnë zërat kundër brenda PDK-së dhe do t’i hedhin në “kosh” të gjitha organizatat e dala nga UÇK dhe të gjithë ish-të burgosurit politikë. E këtu duhet ta mendojmë pak PDK-në që nga themelimi, se kë kishte në strukturë, kryesi në vitin 2000 dhe kë e ka tani në vitin 2016 dhe ta risjellim në kujtesë fushatën zgjedhore në vitet e para pavarësisë: “Krahu i Luftës”, “Parti e dalë nga UÇK-ja” dhe transformimin e sotëm në dialoguese me Ivica Daçiqin pasuesin e Milosheviqit dhe Vuçiqin si pasues të Sheshelit dhe pranuese të kërkesave të tyre. Nga kritikuesit e LDK-së si parti e regjistruar në Beograd e deri të kritikuesit e takimit Rugova-Milosheviq, nga përfaqësuesi politik i UÇK-së në kryesues të delegacionit që pranon marrëveshjet e planprojekteve të urdhërdhënësve të masakrave të shqiptarëve, përdhunimeve e dëbimit të gati një milion shqiptarëve nga Kosova. Pastaj ka pyetur kush se çfarë ndodhi me të burgosurit politikë, veteranët e UÇK-së që ishin brenda PDK-së dikur, dhe disa që kanë ngelur aty e sot kërkesën e vetme e kanë pensionin dhe certifikatën e të qenit veteran?!

E kemi edhe Listën Serbe që u është bashkangjitur këtyre dy subjekteve politike në koalicion e  cila ka thënë publikisht se në radhët e saj ka mbrojtës të kufirit me Shqipërinë (Koshare), e cila është treguar e gatshme që në Kuvend t’ia plotësojë 2/3 LDK-PDK për Gjykatën Speciale ku do të ngrihen akuza kundër UÇK-së nga raporti i Dick Martyt, raport ky i hartuar edhe me burime të prokurorëve dhe ushtarakëve serbë dhe bashkëpunëtorëve të armikut, e këtu një ndihmesë të madhe, me agjendë të caktuar e në vijë me Qeverinë, shkruajnë edhe disa gazetarë e flasin edhe opinionistë në emisione, sepse kështu zbutet reagimi qytetar edhe krijohet opinioni duke relativizuar çdo kundërshtues me të nënshtruarin. Nuk ka asnjë medium të vetëm që në politikat redaktuese kundërshton Gjykatën Speciale, asnjë?

Nga “frika” e të qenit i njëanshëm, pra që të mos duken se janë në taborin e LDK-së apo të PDK-së, shohim shkrime e qëndrime pro Gjykatës Speciale dhe të gjitha këto i orientojnë tek ‘komandantët`. Po të njëjtit, nëse i përcjellim shkrimet e mëparshme ishin  edhe  pro gjykatave të UNMIK-ut e edhe të EULEX-it, por që nganjëherë e në këtë kohë kemi edhe kritika ndaj tyre. Kjo paqëndrueshmëri  parimesh do të rezultojë që të njëjtit të gabojnë edhe për herë të tretë, pasi që edhe Gjykata Speciale kundër UÇK-së do të dështojë si ato dy misionet e tjera, se nuk ka logjikë që të ndërtohet ky shtet pa drejtësinë vendore. Duke e ditur se në mesin e komandantëve që kanë uzurpuar ka edhe jokomandantë që kanë uzurpuar e që janë të LDK-së, retorika e tillë të çon tek skeptikët e UÇK-së që nuk i kanë besuar projektit që prodhuam si komb që pas Pavarësisë së Shqipërisë.  Se cili mund të jetë vështrimi kritik i bazuar në argumente të fuqishme kur e shohin se në njërën anë ka dështuar Drejtësia Ndërkombëtare, pra ka qenë e padrejtë me shqiptarët, e në anën tjetër të lirohet kryekrimineli Vojislav Sheshel që ka mobilizuar vullnetarët “Beli Orlovi” që kanë kryer gjenocid në Kosovë dhe jo vetëm tek ne.

Çfarë po dëgjojmë e po shohim është që qytetarëve të Republikës po u thuhet se Gjykata Speciale do të pastrojë “komandantët” që kanë grabitur vendin, ose po u thonë atyre që kanë familjarë të vrarë në rrethana të panjohura që Specialja do të gjykojë përgjegjësit për vrasjet politike të pasluftës. Ndërkaq LDK-ja dhe Isa Mustafa nuk lejojnë hetimin e SHIK-ut që e ka akuzuar që nga paslufta, kanë bërë artikuj në gazeta të afërta me ta që nga LDK-ja e 98-s e deri te LDK-ja e 2016-s që e votoi ish-shefin e SHIK-ut Kadri Veseli, për kryeparlamentar dhe kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi, për president të vendit. PDK-ja deri më tani në qeverisjet që ka udhëhequr nuk bërë asnjë dosje kundër krimeve të Serbisë në Kosovë. E që të dyja PDK-ja e sidomos LDK-ja kanë bashkëpunuar ngushtë me UNMIK e EULEX, misione këto që kanë dështuar me sukses në, siç thonë “vënien e drejtësisë” përpos një suksesi që mund ta theksojnë lart, përndjekjen e ushtarëve të UÇK-së që nga transformimi në TMK e tutje.

E vërteta në gjithë këtë lëmsh që kanë krijuar këto dy subjekte politike, përgjegjëse kryesore për situatën e rënduar në Kosovë, është se ky projektligj për Gjykatën Speciale i ka tri vepra për të cilat do të gjykohen të akuzuarit: GJENOCID, KRIME LUFTE DHE SHKELJE TË ZAKONEVE TË LUFTËS. Këto të gjitha janë të dedikuara vetëm për shqiptarët, pra vetëm për SHQIPTARËT.

As gjenocidi as krimi i luftës nuk janë as korrupsion, as vrasje politike pas luftës.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …