RKL: 10 vendet e rezervuara për serbët në Kuvendin e Kosovës, duhet të vlejnë vetëm në një Kosovë kompakte

 


Askush në Kuvendin e Kosovës nuk e ka ngritur për diskutim çështjen e 10 vendeve të rezervuara për serbët, në raport me veriun e Kosovës. Sipas Pakos së Ahtisarit,  edhe pse kobzezë për shqiptarët, 10 vendet e rezervuara për serbët nënkuptojnë Kosovën si një tërësi e pandashme administrative, e cila aktualisht nuk është e tillë, meqë katër komuna në veri qysh nga qershori i vitit 1999 janë ndarë nga Kosova dhe qeverisen nga Beogradi. Për më tepër, me qëllim për ta legjitimuar këtë ndarje, atje ende janë të pranishme strukturat paralele të UNMIK-ut me  zyrtarë të njohur nga shtetet sllave, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.>>>


Në një lajm të publikuar në medie, thuhet se serbët e Anamoravës do të  marrin pjesë me 30 kandidatë  në zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen,  më 12 dhjetor. Kryetari i Komunës së Parteshit, Nenad Cvetkoviq, ka deklaruar se kandidatët e Anamoravës, në: Partesh, Pasjan, Shillovë,  Dardanë, Gjilan si dhe në disa  fshatra do të garojnë në zgjedhjet e Kosovës përmes Partisë së Pavarur Liberale të Kosovës, të kryesuar nga  Sllobodan Petroviq, i cili është bartës i listës. Ai tha se Partia e  Pavarur Demokratike në zgjedhjet e dhjetorit merr  pjesë me listën e përbashkët të SLS. Sipas tij, serbët e Anamoravës do ta kalojnë pragun zgjedhor dhe t’i fitojnë 5 vende në Parlamentin e Kosovës, ndërkohë që do të marrin edhe 10 vende të rezervuara, ndërsa nuk dihet se sa do të jetë e fuqishme lista e Rada Trajkoviqit dhe sa vende do të marrë ajo. Cvetkoviq është optimist se do të kenë rreth 20 ulëse në Kuvendin e Kosovës dhe fatin do ta marrin në duart e veta, dhe jo për serbët e Kosovës të vendosë Beogradi, duke i manipuluar për interesa të caktuara politike”. Ky lajm nuk ka të bëjë me një sensacion, meqë pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje dhe kalimi i pragut zgjedhor iu mundëson atyre të marrin pjesë në përbërjen e re të Qeverisë, në koalicion me një apo dy parti politike të shqiptarëve.


Në një formulë të tillë, serbët do të bënin një grup të fuqishëm parlamentar dhe do të fitonin katër apo pesë ministri në qeverinë e ardhshme multietnike të Kosovës. Krejt kjo është e mundshme, edhe pse ata nuk përbëjnë më shumë se 7 për qind të popullsisë së Kosovës, mirëpo këto mundësi ata i kanë të garantuara me planin e Ahtisarit, por në një Kosovë kompakte me territorin aktual dhe jo pa pjesën veriore të saj, e cila aktualisht manipulohet, por edhe administrohet  nga Beogradi.


Nëse serbët  marrin 20 vende në Kuvend dhe kjo është krejtësisht e mundshme, pa veriun e Kosovës, atëherë faktori vendimmarrës serb, në shumë raste do të jetë vendimtar, madje edhe në koniukturat e formimit të Qeverisë së Kosovës. Kohë më parë, mjeku ministër nga PDK-ja, Bajram Rexhepi, u kishte bërë thirrje serbëve të marrin pjesë në zgjedhje, duke iu përkujtuar se do të mund të ishin forca e dytë politike në Kosovë, pa thënë asnjë fjalë për komunat në veri dhe për kushtëzimin e 10 vendeve të rezervuara.


Me sa dimë ne askush në Kuvendin e Kosovës nuk e ka ngritur për diskutim çështjen e 10 vendeve të rezervuara për serbët, në raport me veriun e Kosovës. Realisht, sipas kësaj pakoje,  edhe pse kobzezë për shqiptarët, 10 vendet e rezervuara nënkuptojnë Kosovën si një tërësi e pandashme administrative, e cila aktualisht nuk është e tillë, meqë katër komuna në veri, si dhe gjysma e qytetit të Mitrovicës, qysh nga qershori i vitit 1999 janë ndarë nga Kosova dhe qeverisen nga Beogradi. Për më tepër, me qëllim për ta legjitimuar këtë ndarje, dhe për të mos lejuar shtrirjen e kompetencave të Qeverisë së Kosovës në atë pjesë të vendit tonë, atje ende janë të pranishme strukturat e mbetyra paralele të UNMIK-ut, me  zyrtarë të njohur nga shtetet sllave, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.


Liderët e partive politike të Kosovës, tashmë kanë filluar një garë të shfrenuar dhe tejet agresive, sa vështirë është që ndonjëri të kujtohet lidhur me këtë çështje të padefinuar, e cila rrjedhë nga Pakoja e Ahtisarit, që e kanë pranuar të gjithë, dhe. të cilën do të detyrohet ta pranojë edhe Lëvizja vetëvendosje, nëse merr pjesë në zgjedhjet e 12 dhjetorit. Vetë certifikimi i partive politike dhe gara në zgjedhje nënkupton pranimin e këtij plani, që e ka sakatosur dhe po e sakaton edhe më tej territorin e të ardhmen e shqiptarëve në Kosovë.


Realisht serbët kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhje dhe një veprim i tillë është për t’ u përshëndetur, por nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë, që pakica ta  manipulojë shumicën, ashtu sikur e ka manipuluar gjatë tërë kohës së okupimit serb,  për shkak se10 vendet e rezervuara për serbët nënkuptojnë Kosovën si tërësi territoriale së bashku me komunat e veriut.


Gjatë fushatës  për zgjedhjet e përgjithshme të 12 dhjetorit,  liderët e partive politike do ta heshtin këtë çështje, ashtu sikur kanë heshtur e po heshtin  edhe shumë çështje të tjera, me qëllim që t’i qesin hi syve elektoratit të manipuluar për 10 vjet rresht.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …