Mundësia e formimit të një minishegeni të disa shteteve të ish RSFJ-së është diçka më pak se zero, sepse banorëve të shteteve të Ballkanit, nuk iu bën fare përshtypje lëvizja e lirë në shtetin e deridjeshëm të Jugosllavisë, për faktin se jo pak prej tyre ende shërbehen me pasaportat e ish Jugosllavisë e të Serbisë. Atyre u duhet Shengeni i plotë për të lëvizur nëpër shtetet e BE-së, andaj edhe kjo nismë është si fëmija i vdekur, i lindur para kohe. Ata edhe ashtu përditë e natë kalojnë nëpër Serbi pa asnjë pengesë, sikur venë e vinë edhe në Mal të Zi, në Bosnje, Maqedoni e gjetkë…
Shengeni, apo minishengeni ka qenë nismë edhe e disa viteve më parë, por aktualizimi i kësaj krijese të vdekur, nga Vuçiqi vetëm për qëllime të shantazhit politik, por edhe me qëllim të kundërpërgjigjes ndaj refuzimit që BE-ja i bëri Shqipërisë e Maqedonisë, i nxehu tejmase gjakrat e patriotëve të turravrapit të markës së “Saloberisha” për ta goditur Edi Ramën, për ta quajtur “sllav që po don me shitë Kosovën ashtu sikur e kishte pasë shitë, Enver Hoxha, se me minishengenin po krijohet Jugosllavia e Re e çka tjetër jo”. Kjo fushatë non sens, nxori mbi sipërfaqe “dashnorët” e Sali Berishës në Kosovë, nxori ata kosovarë të cilët mund të pranojnë gjithçka po bashkim me Shqipërinë kurrsesi. Ata madje përkujtuan edhe qëndrimin e “merhumit” të tyre politik e ideologjik, Ibrahim Rugova i cili nuk kishte pranuar asnjë bashkëpunim me Shqipërinë, derisa në Beograd rrinte gju më gju me Milosheviqin dhe kërkonte që NATO-ja të ndalonte bombardimin mbi caqet ushtarake e ekonomike të Serbisë, në maj të vitit 1999.
Tani kur këtë minishengen fantazmë e përkrah si mundësi, ambasadori Richard Grenell, i dërguari i kryetarit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, të gjithë jurishnikët e sulmuesit e Ramës i fusin kokat në zalle, si struci dhe nuk del asnjë patriot që t ia përplasë hundëve Grenellit këtë ide të keqe.
Ambasadori Grenelltha se mirëpret nismën, ( është fjala për një nismë, për një propozim dhe asgjë më shumë) për “shengenin ballkanik”, duke theksuar se kjo nismë mund të jetë e suksesshme nëse përfshihen të gjithë në rajon, në mesin e tyre edhe Kosova si shtet sovran. Në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të ambasadës amerikane në Berlin, thuhet se mirëpresim nismën për ‘minishengenin’ e Ballkanit Perëndimor si një mënyrë për të filluar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. Ne besojmë se që kjo nismë të jetë e suksesshme, ajo duhet të përfshijë të gjithë në rajon, përfshirë qeverinë e Kosovës. Administrata e kryetarit Trump është e përqendruar për të ndihmuar gjithë rajonin të krijojë mundësi ekonomike dhe punë për të rinjtë”, thuhet në këtë deklaratë. Një nismë e përbashkët e udhëheqësve të tri vendeve ballkanike, Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut për një Shengen Ballkanik, nxiti reagime dhe përplasje në distancë ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës.
Mundësia e formimit të një “minishegeni” të tillë është diçka më pak se zero, sepse banorëve të shteteve të Ballkanit, nuk iu bën fare përshtypje lëvizja e lirë në shtetin e deridjeshëm të Jugosllavisë, për faktin se shumica ende shërbehen me pasaportat e ish Jugosllavisë e të Serbisë. Atyre u duhet Shengeni i plotë, “makroshengeni”, për të lëvizur nëpër shtetet e BE-së, ku mendojnë të gjejnë punë, çfarëdo pune qoftë dhe dihet se çka punojnë shqiptarët e pjesëtarët e popujve të tjerë të Ballkanit nëpër shtetet e Evropës. Pikërisht për këtë kjo nismë është si fëmija i vdekur, i lindur para kohe.
Në rastin konkret të gjithë e dinë se një minishengen i tillë nuk është projekt sikur ishte Ballkania e viteve 90-të sikur duan ta injorojnë dhe ta deformojnë kundërshtarët dhe sharësit e Adem Demaçit, as Union ballkanik sikur kishte propozuar Teodor Zhivkovi bullgar, as Jugosllavi e re, sikur e quajnë jugonostalgjikët, por vetëm një nismë sa për konsum ditor politik.
Liberalizimi i vizave mes shteteve të Ballkanit nuk mund të quhet Jugosllavi e re, as projekt i Rusisë, sepse nuk po kërkohet krijimi i një unioni të shteteve, por vetëm një projekt për lëvizje të lirë mes këtyre vendeve, liberalizim të vizave që vlen për këto vende dhe kurrsesi nuk vlen për makroshengenin e BE-së.
Të gjithë analistët dhe disa nga politikanë të përfshirë në këtë aferë e dinë mirëfilli se kështu qëndron problemi i “minishengenit”, por ata e shfrytëzuan rastin për t’i drejtuar shpatat në erë sikur Don Kishoti dhe për të shkaktuar një “bujë artificiale” në mënyrë për ta treguar disponimin e tyre.
Po ashtu, duke e ditur mirë se kjo nismë do të dështojë, ata këtë “mëritë” do t ia veshin vetes, duke pretenduar se ishin ata që nuk lejuan të krijohet Jugosllavia e re, ndryshe do të ishte formuar por ja që reagimet e tyre e stopuan Në këtë rast naiviteti përzihet me hipokrizi me një pamoral të dyfishtë, me një lojë intrigash, me të cilat merren djerrakohësit, parazitët dhe shantazhuesit e të gjitha ngjyrave.
Sot kur e gjuajti gurin në moçalishte, Riçard Grenell, të gjitha bretkosat kërcyen në ujë dhe nuk ka më, as një “guak e kuak”.