Zjarrevenesit ne Shqiperi

RKL: A do të ndalojnë zjarrvënësit e Shqipërisë në maratonën e turpit?

Ata që bënë përpjekje ta shkatërrojnë Shqipërinë në vitin 1997, janë po ata që po përpiqen ta shkatërrojnë sërish për interesa të veta, dhe klaneve të tyre në Shqipëri e jashtë saj,  si mundësi e vetme për të larë mëkatet e pafalshme e për të nisur edhe njëherë nga e para…

Më 30 qershor 2019, në ditën e zgjedhjeve vendore, këto forca heterogjene nga prejardhjet politike, të djathta, legaliste, zogiste, balliste, neofashiste,  por homogjene në shkatërrimin e së majtës, të cilën e quajnë komuniste, enveriste e diktatoriale, do të bëjnë përpjekje ta përdorin elektoratin si mish për top, me qëllim për të krijuar trazira masive, me qëllimin e vetëm për të shkaktuar viktima dhe pastaj për ta shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Ka edhe zëra kriminalë që qysh tani paralajmërojnë se do të qërojnë hesapet edhe me armë sepse, janë bindur përfundimisht se me vota, madje as me ato të blera,  kurrë më nuk do të arrijnë ta marrin pushtetin të cilin e kishin kriminalizuar nga këmbët deri te koka.

Ka edhe mendjeshkurtër si ajo, Voltana e Shkodrës e cila mendon ta bëjë për vete policinë e bashkisë për t ia kundërvënë policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Rendit apo një ish deputet, karaxhoz, i akuzuar për shumë vepra penale që djeg lokalet e shkollës,  po në Shkodër. Po ashtu një Bajraktar nga Elbasani ka treguar gatishmëri të vritet dhe të vrasë socialistë,  sepse ky trimi nuk do të lejojë që ata ta marrin pushtetin sikur e kishin marrë partizanët, në vitin 1944. Ai saktëson se nuk do të bëjë gabimin e babait të tij ballist e fashist, që gjithnjë sipas kokës së tij, paska lejuar ta marrin pushtetin komunistët. Edhe një Biber i zi katran mburret me luftën e tij kundër komunizmit, por se ku e shohin komunizmin te Edi Rama, nuk tregojnë me asnjë fjalë. Ata kanë pretekstin dhe paragjykimin imagjinar.

Dhuna, e cila ishte e pranishme në të gjitha protestat disa mujore të opozitës ka nxjerrë në sipërfaqe elementët kriminalë, sidomos ata me prejardhje nga veriu i Shqipërisë, të frymëzuar nga Sali Berisha, njeri të cilit, kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi   ia zbrazi hapur, në fytyrë  të gjitha të ligat që ia kishte punuar Kosovës, duke i shërbyer makinerisë  së krimit serb, duke likuiduar pa gjurmë dy ndër veprimtarët e hershëm të UÇK-së, Remzi Hoxhën dhe gazetarin Ali Uka, duke burgosur e spiunuar shumë të tjerë, duke bashkëpunuar me Arkanin, duke furnizuar me naftë e armë regjimin kriminal serb, duke denoncuar luftëtarët e UÇK-së të cilat sapo hynin në Kosovë binin në kthetrat e kriminelëve të Milosheviqit.

Në krye të kësaj maskarade politike, me qëllim për të rrëzuar një qeveri legjitime, prin  Lulzim Basha, i njohur për hetimin e të ashtuquajturave krime të UÇK-së, së bashku me peruanin e UNMIK-ut, Barayber, i cili vodhi 500 klavikula të shqiptarëve të Kosovës, për ta shfajësuar regjimin e Milosheviqit dhe së bashku me Lul Bashën e njerëzit e Dodik Martinoviqit inskenuan një Shtëpi të Verdhë në  Lurë të Matit, ku gjoja  UÇK-ja u kishte marrë organet serbëve dhe i kishte trafikuar nëpër botë.

Tani Lul Bashës i doli edhe një krim tjetër.  Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar videon ku Lulzim Basha sqaron pagesat e lobimit në Amerikë. Bëhet fjalë për një dalje publike të Bashës në një emision televiziv, ku prokuroria ka ngritur edhe bazën e akuzës kundër Lulzim Bashës, sekretarit të Përgjithshëm të PD-së,  Arben Ristani dhe financierit të PD-së, Ilir Dervishaj. Sipas prokurorisë së Tiranës, Partia Demokratike, ka mundur të vërtetojë me dokumente konkrete një pagesë prej 75 mijë dollarë në drejtim të Nick Muzin, një lobues në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por ajo që PD nuk ka arritur të vërtetojë në prokurori është pagesa prej gati 600 mijë dollarë, e cila nuk është bërë nga PD, por nga një kompani “Biniata Trade”. Fillimisht kjo kompani ka paguar 150 mijë dollarë. Prokurorisë së Tiranës i janë dashur 20 muaj hetime për të dalë në konkluzionin se Lulzim Basha, kryetar i PD dhe dy funksionarët e lartë të kësaj partie duhen të merren të pandehur për financimin e dyshimtë të përdorur për lobimin në SHBA. Basha, Ristani dhe Dervishi akuzohen për “Pastrim të produkteve”. Janë edhe 200 mijë euro të grabitura në “Rrugën e kombit”, pastaj vrasjet e janarit në Tiranë dhe krime të tjera të njohura e të panjohura.

Në krye të kësaj valleje, si ato të Natës së Valpurgës, prin Ilir Meta, i njohur për afera kriminale, korrupsion, tentim vrasje me pagesës të deputetit kundërshtar, Pazar politik për një tender ku do të përfitonte 700 mijë euro, video të cilën e kanë parë të gjithë shqiptarët, i njohur për grushte, sharje e fyerje në Kuvend, në kohën kur kishte kundërshtar Sali Berishën dhe vetë ishte socialist.  Ky njeri 10 vjet më parë mbajti fjalën hyrëse në kongresin e Partisë Socialiste të Serbisë,  dhe qysh atëherë lidhi miqësi me partinë e sotme socialiste të Daçiqit, madje bleu një shtëpi në një lagje kushtueshme të Beogradit.

Ky tresh: Berisha, Basha Meta, kur flasin për korrupsion dhe krim, ngjajnë me atë putanën, që i thoshte shoqes së vet,  “ma mbaj  djalin t i them sa nuk më kanë thënë”.

Por, sot në botën e komunikimit masiv dhe lulëzimit enorm  të shërbimeve sekrete, nuk mbetet pa u denoncuar qoftë edhe një krim minor e lerë më krimet kapitale që u bëjnë shqiptarëve, mbetjet e prejardhjeve fashiste, zogiste, esadiste, shumë nga ata bashkëpunëtorë dhe spiunë të zellshëm të regjimit komunist të Enver Hoxhës, pastaj të shërbimeve kundër Enver Hoxhës.

Ana tjetër e medaljes, është Edi Rama,  rrogëtari  i cili kur bëhet mbret,  vret edhe babanë e vet”

Ana tjetër e medaljes, është Edi Rama.  Ai,  Partisë Socialiste  i shërbeu dhe po i shërben me premtime, të cilat edhe filloi t i realizonte për mrekulli, por nuk thuhet kot ajo maksima e urtë e popullit” “Kur rrogëtari  bëhet mbret e vret edhe babanë e vet”.

Një anekdotë popullore flet për një rrogëtar që kishte rastisur që bëhej prijës, dhe duke qenë se qysh të ri babai e kishte përzënë nga shtëpia për bracni dhe vepra të liga, i kishte thënë se kurrë nuk do të bëhej njeri. Shumë vite më vonë,  me  të fituar një post të lartë, ai ishte bërë sundimtar  dhe kishte urdhëruar rojat t’ ia sillnin zvarrë babanë, në rezidencën e tij.

Kur ata ia përplasën babanë para këmbëve ai i ulur në një kolltuk, iu kishte drejtuar me fjalët: – Shiko baba, ke thënë se kurrë nuk do të bëhem njeri, por tani u bëra mbret, e shikon ku jam ulur?.

Babai, të cilit ia kishin thyer kërbishtet, ofshani thellë dhe ia ktheu.

  -Mbret, mbase edhe të kanë bërë, mor bir,  por ti njeri nuk bëhesh kurrë. Në vend se të dërgoje një qerre të vogël apo një gomar për të më sjellë këtu, ti urdhërove të më sillnin zvarrë, këta dy rrogëtarët tu. E ke kot, ti njeri nuk bëhesh dot, sa por postin  që ke sot, mos u krekos  nuk dihet se ku e thyen qafen nesër.

Arroganca e Edi Ramës përngjet  shumë me personazhin e këtij rrëfimi të popullit.

Është vetë Edi Rama, ai që e shpëtoi Berishën me klanin e tij në “bombardimin” e Gërdecit ku nga shpërthimi i barotit të armëve, raketave e minave, që po demontoheshin për përfitime materiale,  u vranë mizorisht rreth 30 fshatarë shqiptarë, u plagosën qindra të tjerë dhe u shkatërrua një fshat i tërë.

Ishte Rama asokohe në krye të opozitës, ai i cili nuk deshi apo nuk guxoi t’i ndjekë penalisht vrasësit e Gërdecit e më vonë as ata  të 21 janarit. Ishte Rama ai i cili mëshiroi Lulin, që ishte barrikaduar në çadër në mes të Tiranës, ku  kishte mbetur qyq, sepse nuk dinte si të dilte, e nxori nga atje duke ia dhuruar gjysmën e qeverisë tranzitore deri në zgjedhje.

Ishte Rama ai që e amnistoi, ia fali hajnitë e plaçkitjen, Ilir Metës dhe e bëri kryetar të Shqipërisë, njeriun më kontravers dhe  më të korruptuar të këtyre 30-viteve. Dhe krejt kjo amnisti e krimeve u bë në emër të elektoratit, i cili ia kishte falur besimin dhe jo në emrin e tij personal.

Trojka, Meta, Basha, Berisha e kanë kuptuar me kohë se Edi Rama është frikacak, se i nënshtrohet presionit, edhe pse e ka në dorë ekzekutivin dhe tërë mekanizmin ligjor institucional, për ta mbrojtur ligjin dhe Shtetin.

Opozita këmbëngul të mos mbahen zgjedhjet, sepse, sipas saj  në demokraci nuk mund të ketë zgjedhje një partiake, por çka do të ndodhte me këtë  opozitë nëse Partia Socialiste dhe krejt spektri i majtë nuk merr pjesë në zgjedhjet e ardhshme, qoftë edhe në shenj hakmarrje për një dështim tjetër,  të radhës? Bashës nuk i intereson një akt i tillë, sepse ai nuk mendon më për të ardhëm e largët, por për të nesërmen dhe mundësisht për një mbijetesë sado e shkurtë qoftë ajo, para rrokullisjes përfundimtare në greminë.

Në një gjendje të tillë, opozita e handakosur ka hyrë në rrugë çore, nga ku nuk mund të dilet ndryshe por vetëm me dhunë, krime, vrasje, në mënyrë që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme në vend,  ashtu sikur ndodhi në vitin 1997. Dhe kjo fare lehtë mund  të ndodh.   Të kreshpëruarit e Bashës e të Berishës, po paralajmërojnë vrasje, djegie, shkatërrime, sepse vetëm kjo luftë u ka mbetur, të tjerat i kanë djegur vetë dhe nuk mund të bëjnë dot ndryshme.

Për djegien e Shqipërisë e kanë bekimin e Serbisë e të Greqisë, mjerisht edhe të disa politikanëve të Gjermanisë e Holandës, një pjese të BE-së dhe shumë zërave të Këshillit të Evropës.

Kacafytja e tillë e brendshme dëmton kombin shqiptar në përgjithësi. Ata që lutën dhe i hedhin benzol kësaj katrahure, janë njerëz të shitur, të manipuluar dhe plëngprishës të atdheut.

Është shpresëdhënës fakti se zjarrvënësit e Shqipërisë  nuk e kanë mbështetjen e Amerikës. Ambasada Amerikane, në Tiranë ka njoftuar të gjithë qytetarët se “Shqipëria do të mbajë zgjedhje më 30 qershor. Në njoftimin për qytetarët e saj, ambasada amerikane thekson se votimi është planifikuar nga ora 7:00 deri ne 19:00. Sipas përfaqësisë diplomatike në Tiranë, “zgjedhjet do të mbahen në çdo bashki në Shqipëri”, thuhet në njoftimin zyrtar të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës,  në Tiranë.

Është po ashtu  fat i madh që shqiptarët në Kosovë, po tregohen shumë të matur, duke mos u bërë pjesë e njërës, apo palës tjetër, përveç ndonjë rasti të ndonjë kalemxhiu mjeran, që hapur përkrah sulmin me mollotov të institucioneve të Shtetit, por  që nuk heq peshë dhe që nuk mund të ketë asnjë ndikim, madje as në familjen e vet.

Kosova ndodhet para përgjegjësisë së vetë historike, për të mos lejuar përkrahjen e kardashëve të  Salës e Metës, por për të mbrojtur Shqipërinë, pa u përzier në punët e brendshme, dhe pa i bërë argat dreqit dhe  birit të tij, cilido qoftë ai.

 Është shpresëdhënës edhe fakti se Shtetet e Bashkuara  të Amerikës ia kanë bërë krejt të qartë opozitës pirromane se çfarë i pret nëse vazhdojnë shkatërrimin e institucioneve.  Diplomati Palmer ka porositur se “Njerëzit do të kenë mundësi të dalin për të votuar, për të shprehur mendimin e tyre, askush nuk duhet t’i pengojë për këtë. Njerëzit që duan të marrin pjesë, që duan të votojnë, duhet të jenë të lirë ta bëjnë këtë. Të zgjedhurit duhet të lejohen të fillojnë detyrën dhe të qeverisin. Ne do të kemi njerëzit tanë në terren, në kuadër të misionit vëzhgues të ODIHR-it, por edhe në mënyrë të pavarur, me ekipe vëzhguesish të ambasadës, për të parë se si do të shkojnë gjerat. Ne shpresojmë që më 30 qershor gjithçka të jetë sa më qetë e paqësore.

Dihet cilat janë deklaratat e Bashës, Berishës e Metës, të majtëve të djathtë dhe të djathtëve të majtë. Dihet cilat janë qëllimet e tyre. Ata i frikësohen vettingut, krimeve të kanë kryer, parave që kanë vjedhë, ata i frikëson arketipi i tyre, sepse tashmë e kanë kuptuar më mirë se kurrë, se me mollotov, sulm në institucionet, me përsëritjen e vitit 1997 nuk do ta kenë përkrahjen e Amerikës e as të botës demokratike, por do ta kenë përkrahjen pa rezervë të Athinës, Beogradit e Moskës ashtu sikur e kanë pasur në vitin 1997. Asokohe ata kishin gënjyer shqiptarët duke u thënë se duhet të shkatërroni krejt çka është ndërtuar në kohën e komunizmit, në mënyrë që Amerika ta ndërtojë Shqipërinë e djathtë me prejardhje balliste e neofashiste. Po ja që nuk ndodhi as do të ndodh kështu. Megjithatë, duhet pasur para sysh faktin se bisha e çartur, në grahmat e fundit është shumë e rrezikshme. Ata që kanë vepruar në rrogëz prej vitit 1991, janë po ata që do të provojë sërish ta zhbëjnë Shqipërinë.

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …