Gjykata Speciale

RKL: A po kuptohet seriozisht alarmi që ka dhënë avokati, Pierre Prosper, për rrezikun që mund të sjellë gjykata Speciale?

A po dëgjohet dhe a po kuptohet  seriozisht alarmi që ka dhënë avokati i Hashim Thaçit, Pierre Prosper për rrezikun që mund të sjellë gjykata Speciale jo vetëm për të akuzuarit por edhe për luftën çlirimtare dhe pavarësinë e vendit

Intervista që e ka  dhënë avokati i Hashim Thaçit, Pierre Prosper për Economia Online,  është sirenë alarmi për ata që kanë vesh dhe ata që duan të dëgjojnë për seriozitetin me të cilin po përballet vendi nga Gjykata Speciale, një etnike dhe antishqiptare.

Dhe jo vetëm ky avokat por edhe të gjithë të tjerët që janë angazhuar në mbrojtje të krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale me kohë kanë vërejtur tendencat e njëanshme dhe politike të Prokurorisë së Gjykatës Speciale, për ta demonizuar luftën e UÇK-së dhe për ta zhvlerësuar atë, bashkë me pavarësinë e Kosovës.

Fshehja nga Prokuroria e deklaratave shfajësuese për krerët e UÇK-së, madje fshehja e deklaratave të dy autoriteteve  të  larta si  ajo i diplomatit, Deen Everts dhe  ish kryeministri të Kosovës në mërgim, Bujar Bukoshi, paraqet kulmin e tendencave për gjykim të njëanshëm, me qëllime të caktuara politike.

Në intervistën e tij, avokati i  Hashim Thaçi, Pierre Prosper,  ka deklaruar se në gjykatën Speciale, në Hagë, ka tendencë për të rishkruar historinë e Kosovës nga një Gjykatë, e cila po e gjykon popullin, që vet e ka krijuar. Ai thotë se mbrojtja tashmë ka humbur besimin në një Prokurori, e cila fsheh dokumentet shfajësuese për krerët e UÇK-së. Në këto rrethana,  avokati Prosper i bën thirrje Qeverisë së Kosovës, Bashkimit Evropian, Shoqërisë Civile dhe qytetarëve të Kosovës që të monitorojnë punën e kësaj gjykate. Është vetë  populli i Kosovës  që duhet ta ketë  pronësinë në këtë proces, meqë ky proces do të përcaktojë të ardhmen dhe fatin e Kosovës. Pierre Prosper, në tri dekadat e fundit si ambasador i Amerikës  për krime lufte, ka marrë pjesë në krijimin e shumë Tribunaleve, Gjykatave Hibride në Hagë dhe në botë, pasi ka  një bagazh të jashtëzakonshëm në sistemin e drejtësisë ndërkombëtare. “Mendoj se është e rëndësishme që procesi të jetë korrekt. Dhe atë çka kemi parë të shpaloset deri tani ishte me të vërtetë paragjykuese dhe jo korrekte ndaj të akuzuarve. Ne duam të sigurohemi që të akuzuarit t’i kenë të gjitha të drejtat të respektuara dhe të garantuara. Një nga çështjet për të cilat jemi të brengosur është se pamë një fshehje të informatave të rëndësishme, që shkojnë në dobi të tyre dhe të drejtësisë.

Avokati Pierre Prosper si autoritet me përvojë të gjatë në tribunale të tilla, ka shprehur dyshimet e tij të thella se procesi gjyqësor po zhvillohet njëanshëm, me fshehje të deklaratave, me mbajtjen e paligjshme në paraburgim të të akuzuarve, jashtë praktikave ligjore, injorimin që i bëhet policisë së Kosovës duke e quajtur madje edhe Polici të korruptuar, së cilës nuk i besohet se mund të mbrojë të pandehurit e Gjykatës të mbahen në arrest shtëpiak. Këto dhe shumë lëshime e anime të tjera, tregojnë  qartë se cilat janë tendencat, që nuk kanë të bëjnë me drejtësinë por me përpjekjet për të dënuar dhe për të shpallur fajtor krerët e UÇK-së dhe tërë luftën çlirimtare të Kosovës,  kundër regjimit kriminal dhe barbaroid të Sllobodan Millosheviqit, të cilin në fund e goditi NATO-ja Aleanca më e fuqishme ushtarake e botës.

Avokati, i Hashim Thaçit, Pierre Prosper ka ngritur shqetësime reale dhe iu ka drejtuar edhe Qeverisë së Kosovës, e cila sipas tij  ka obligim të mbrojë çlirimtarët, të mbrojë lirinë e pavarësinë e vendit dhe jo vetëm të presë drejtësi nga Gjykata Speciale. Pavarësisht se ne besojmë fuqishëm se faktet do të tregojnë se ata nuk janë përgjegjës për krimet me të cilat ngarkohen, është e rëndësishme edhe për popullin e Kosovës që ta dijë se, ky rast është për Kosovën, është rast për shoqërinë, është rast për të ardhmen dhe historinë e tij. Prandaj, populli duhet të jetë më i përfshirë dhe duhet të kujdeset për këtë. Qeveria aktuale duhet të kujdeset për këtë. Sepse, sa më shumë sy që i lëshohen këtyre procedurave, aq më shumë ka gjasa që të kemi një proces korrekt dhe transparent. Nëse populli nuk e vret mendjen për këtë, nëse populli mendon se kjo është një çështje që i përket Hagës, atëherë ajo çka mund të ndodhë është se nuk do të ketë rezultate në interes të vendit. Mënyra e vetme që sundimi i ligjit të funksionojë është kur secili angazhohet dhe është aktiv. Sepse, duhet të dimë se sundimi i ligjit është diçka rreth popullit, nga populli, për popullin. Nuk është një institucion që i thotë popullit ose një shoqërie se si duhet të mendojë ose si ta shohë botën.

Avokati, Pierre Prosper  ka folur edhe për rrezikun me të cilin mund të ballafaqohet vendi dhe lufta për liri e pavarësi  duke pretenduar se  UÇK-ja ka qenë organizatë kriminale.  Fakti se në formulimin e aktakuzës së Prokurorisë, krerët e UÇK-së akuzohen se gjoja kanë krijuar një “ndërmarrje të përbashkët  kriminale” flet vetvetiu  se në cilin drejtim po zhvillohen hetimet dhe mu për këtë edhe fshihen dëshmitë pro UÇK-së nga vetë Prokuroria. Avokati Prosper thotë:

Teoria e Prokurorisë se UÇK-ja është një organizatë kriminale është shumë problematike. Është problematike nga aspekti i realitetit se çka ka ndodhur. Është problematike edhe sepse kur flisni për këtë, atëherë, përtej kësaj teorie, ju po thoni se NATO-ja dhe bashkësia ndërkombëtare janë renditur, me vetëdije, me një organizatë kriminale. Dhe ky është një nga problemet që e kemi me këtë rast. Ne besojmë se kjo teori është e ekzagjeruar, e pasaktë dhe ka për qëllim të rivendosë dhe të korrigjojë historinë.

 

Pavarësisht se Qeveria e Kosovës, deri tani ka treguar se nuk është në interes të saj të mbrojë krerët e UÇK-së, në Hagë, është më se e domosdoshme që në këtë drejtim të aktivizohen të gjitha forcat liridashëse të vendit, në radhë të parë krahu i luftës, organizatat e shoqatat e dala nga lufta, të cilat duhet të vihen në mbështetje të drejtësisë dhe mbrojtjes së vlerave të luftës së UÇK-së, sepse nuk është në pyetje thjesht dënimi  i disa krerëve të luftës së UÇK-së, por dënimi i tërë luftës, madje edhe i fitores historike të Kosovës  me ndihmën e NATO-s. Ata që sot hezitojnë, ata që verbërisht i besojnë drejtësisë së Gjykatës Speciale, duke parë haptas orientimet e animet e saj, nëse nuk veprojnë, nëse presin, sikur ka ndodhur shumë herë  deri tani,  këtë nuk do t ua falë e ardhmja, pavarësisht epilogut që mund të ketë gjykimi i krerëve të luftës së UÇK-së, nga Gjykata Speciale.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi i Kosovës shënon virtualisht Ditën e Demokracisë

Kuvendi i Kosovës diskuton në Seancë Plenare për Buxhetin e Vitit 2025

Sot deputetët e Kuvendit të Kosovës mblidhen në seancë plenare për shqyrtimin e dytë të …