RKL: Aderimet e gazetarëve nëpër partitë politike për hir të Kosovës apo të luftës për pushtet?

RKL: Aderimet e gazetarëve nëpër partitë politike për hir të Kosovës apo të luftës për pushtet?

Gazetarët përderecakë  të partive politike

Nuk kanë të ndalur aderimet e disa gazetarëve, deputetëve, zyrtarëve deri dje të pavarur,  apo nga ajo që quhet “shoqëri civile” e pavarur, nëpër parti dhe koalicioneve partiake, në prag të fillimit të fushatës për zgjedhjet e përgjithshme, të parakohshme të 11 qershorit 2017.

 Kanë dalë në sipërfaqe emra turravrapësh (“ jurishnikësh”) që duan të bashkojnë forcat për të mirë të partive ku ia kanë mësyrë, me qëllim për të forcuar partitë, të cilat  premtojnë si gjithnjë se do të na nxjerrin nga kriza ku na kanë katandisu, si mos më keq.

Nga zërat krrokatës  që këta përhapin nëpër mediet ku kanë ‘kullotur” madje edhe  ato kundërshtare,  fitohet përshtypja se këta do ta vendosin fatin e zgjedhjeve, edhe pse ashtu sikur ka ndodhur gjithnjë deri tani, nga përpjekja e tyre e madhe, nga zëri i tyre buçitës, në fund lind vetëm një miush i melankolisë migjeniane. Nuk ka ndodhur deri sot që një gazetar katapltues të ketë bërë emër partiaku apo lideri. Por në të shumtën e rasteve ka ndodhur që të tillët, sapo kanë realizuar qëllimet e tyre personale ia kanë kthyer munxët partisë dhe shefit të cilin i kanë shërbyer.

Në disa raste janë vetë partitë që i japin autogol vetes duke pranuar në radhët e veta  mistrecë e kastravecë, sikur bëri  shumë vjet më parë PDK-ja e Hashim Thaçit, e cila mori nga redaksitë e një gazete të përdalë tre t’ i quajmë gazetarë dhe i bëri deputetë: Berat Buzhalën, Pertit Selimin dhe Ilir Mirenën. Prej asaj kohe PDK-ja filloi tatëpjetën, sepse shefi ia huqi dhe ata që ishin afër tij, për të mos ia prishur qejfin, nuk e bënë të madhe. Por ata tre “musketarët”, pa mustaqe, shefi i shfrytëzoi për fushata për t’i sharë kundërshtarët me gojët e shkrimet e tyre, për t’i shantazhuar një pjesë edhe brenda  partisë së vet. Dhe më vonë, meqë i kishte mësuar të shajnë mirë e mirë dhe nuk frikësoheshin, edhe pse në qeniet e tyre kanë qenë dhe kanë mbetur  teveqelë e mjeranë,  ata mendonin dhe besonin kishin mbështetje fizike të SHIK-ut virtual, imagjinar (sepse SHIK real as ka pasur as ka Kosova). Ata me kohë degjeneruan drejtë ADN-së së tyre të lindur  dhe filluan ta shajnë edhe shefin dhe njerëzit  më të afërm të tij.

Një anekdotë vendore sa për ilustrim:

Plasi sherri verbal mes dy gazetarëve që kishin aderuar në subjekteve të ndryshme politike. Pas një debati të nxehtë, njëri nga gazetarët, fyente pa kursim gazetarin tjetër:

“Mbylle, mor horr e gënjeshtar, servil e zagar, i pa kurriz e injorant, sahanlëpirës e intrigant!”… 

Edhe gazetari tjetër, nuk u përmbajt, dhe ia zbrazur atij me të njëjtën masë: 

“Ëëë, mor imoral e tradhtar, servil e zagar, maskara e shpifës, intrigant e pis, t’i thyej hundët dhe dhëmbët!”… 

Në një ndeje burrash, tek po e përcillni këtë debat të nxehtë për mes TV-ës, një i pranishëm, po i drejtohet një plaku të urtë që kishte rastisur aty:

– Baca Rifat; çka po ta merr mendja, cili na këta të dy gazetarë ka më shumë të drejt? 

– Qe besa mor djalë, më ke futur në siklet, por megjithatë këtë pleqëri, nuk është vështirë për ta ndarë, pasi që të dy kanë të drejt?! 

– Si ka mundësi të kanë të dy të drejt, këta po shpifin e shajnë njëri- tjetrin?! 

– Jo qe besa, këta nuk po shpifin njëri-tjetri as pak, krejt çka po i thonë njeri-tjetrit, janë të sakta, prandaj që të dy kanë të drejt!- ia ktheu përgjigjen Rifat Plaku.

Gazetarët shëtitës, ky soj i gjysmakëve në profesion (edhe pse këta për çdo mëngjes rrahin gjoks  se janë profesionistë), janë vetëm “material shpenzues” për shefat dhe në të shumtën e rasteve shefat përfitojnë mbi kurriz të tyre, i përdorin, i shpërdorin, i shtrydhin dhe më në fund i flakin,  si leckë pa vlerë. Kështu ka ndodhur me gazetarët e ish regjimeve serbe e sllave: si  Hilmi Syla, (i cili i përkthente nga Tanjgu shkrimet e Drecunit dhe Llazanskit kundër shqiptarëve në vitin 1981 e më vonë, kur përcillte seancat gjyqësore kundër nacionalistëve shqiptarë) Fahredin Gunga, që mbronte me fanatizëm frytet e bashkim vëllazërimit, Rrahma Dedaj, Agim Muhaxhiri, Jusuf Buxhovi, Agim Zatriqi, Mehmet Kraja, Veton Surroi, Gani Mehmetaj, Isa Dujaka, Bato Haxhiu,  dhe shumë të tjerë, të gjithë anëtarë e zyrtarë të lartë të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë.  Të gjithë i kishin shërbyer Beogradit me krejt qeniet  e tyre dhe më në fund në vitin 1989 i kishin hedhur triskat e partisë, në shenj mospajtimi me regjimin, edhe pse po  ai regjim, të cilit për vjet të rëra i kishin shërbyer me besnikëri, i kishte hedhur si lecka të papërdorshme, si limonë të shtrydhur.

Gazetari Milaim Zeka kundërshtar i fortë i të gjithëve, me një gjuhë sa të vrazhdë aq edhe të pagdhendur,  iu ka bashkuar Nismës për Kosovën, me vullnet për ta përforcuar me retorikë e fulqi të forta. Sesa do të fitojë Nisma nga “paja” që i ka sjellë partisë, ky gazetar, kjo mbetet për t u parë.

 

Halil Matoshi iu ka ofruar Ramush Haradinajt, por ja që tani Ramushi, Kadriu dhe Fatmiri u bënë bashkë dhe kjo me siguri se e ka vënë në siklet të madh Halilin e vogël, gazetarin “më të pavarur” të Kosovës, puro kosovarin më të devotshëm që ka vendi.

Fatin më të keq në këtë mes e pati gazetarja, Arbana Xharra me përvojë gazetarie për të fituar favore me stërmadhimin deri në groteskë të “radikalizmit islam”, duke shkuar aq larg sa Kosovën e mjerë e të vogël, ende nën protektorat evropian ta etiketojë si tokë pjellore të ISIS-it. Mirëpo kjo gazetare u tregua  krejt e pa përvojë në jetë dhe si e tillë jo vetëm që ishte kërcënuar sa e sa herë, por në fund edhe  u sulmua nga persona të panjohur dhe tani e ka vështirë ta zbulojë se nga i erdhi sulmi, nga “toka e  ISIS-it”, nga SHIK-u virtual i PDK-së apo Sigurimi i Atdheut i LDK-së,  apo  ndonjë maskotë, nga ata që gjuajnë gurin dhe fshin dorën.

Ish-deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Blerim Shala, dikur në LDK e në parti të tjera, zyrtarisht është bërë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës.

Analisti i vetëquajtur, përfituesi më i madh i financave nga tenderët e KEK-ut, drejtori i Rinivestit, Lumir Abdixhiu dhe disa të quajtur analistë, si Driton Selmanaj e do të tjerë  iu kanë bashkuar LDK-së.

Edhe ish-gazetari, këshilltari, zyrtari, zëdhënësi, shkruesi i të gjitha fjalimeve të kryetares së zarfit të Dellit, Atifete Jahjaga, zyrtari i Presidencës, Arbër Vllahiu, i bashkohet AAK-së.

Gazetari, Dukagjin Gorani një gazetar ambulant, shëtitës  nga një gazetë në tjetrën nga një parti në tjetrën, iu ka vardisuar dhe më në fund iu ka bashkuar Vetëvendosjes.

Gazetarja, Margarita Kadriu iu kishte bashkuar PDK-së, por kur strukturat e brendshme të partisë nuk u pajtuan që ajo të bëhet  ministre, atëherë ajo  shpalli veten  deputete e pavarur me votat që i kishte blerë vetë dhe ato që ia kishte dhënë partia. Tanimë ajo ia ka dhënë munxët partisë ‘mëmë’ dhe tash për tash mbase pret ndonjë ofertë tjetër.

Një përderecake e tillë nëpër parti ishte edhe gazetarja, Alma Lama, njëherë e pavarur, puro e pavarur, pastaj në Vetëvendosje, pastaj në LDK ku me kushtëzim që i bëri Isa Mustafës për ta votuar Thaçin kryetar të Kosovës,  fitoi pozitën e ambasadores së Kosovës në Romë.

Çfarë gazetarësh janë këta?

Ku ishin disa nga këta gazetarë gjatë  kohës së luftës, kur nga bunkeri, në Malet e Berishës, nëpër breshërinë e armëve të Milosheviqit  shpërndante fjalën e lirisë dhe të fitores, Radioja-Kosova e Lirë dhe përhapte informatat kudo në vend dhe në botë, Agjencia Kosovapres ?

Disa mund të kenë qenë të rinj, por shumica syresh ia kishin hedhur, dhe tokën e Kosovës e kishin lënë të djegur, me të vrarë e të masakruar nga çdo anë.

O tempora o mores, do të thoshte latini i moçëm në kohën e tij.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …