Ndryshimet mes Albin Kurtit, kur ishte opozitë dhe tani kur është në pozitë, janë shumë të mëdha dhe të pakrahasueshme, por kjo nuk është diçka e veçantë, pasi ai ka interesim të mbajë postin, për të cilin e di fare mirë se ambasada amerikane në Kosovë, po të dojë mund ta heq më së largu brenda një jave, sikur kishte bërë në Qeverinë Kurti 1, e cila jetoi 40 ditë legale dhe 40 të tjera në detyrë.
Antiamerikanizmi i Kurtit tanimë nuk ekziston, ashtu sikur nuk ekziston as orientimi i tij majtist, të cilën as e ka përmendur në vitin e fundit. Ai orientim në qeverisje nuk shihet askund madje as në premtimet para votuesve, sepse tashmë hyn në radhën e kauzës së tradhtuar, hyn në radhën e së kaluarës nga e cila Vetëvendosa është ndarë përfundimisht, sepse nuk e zë më këmisha e ngushtë sociale, derisa tani ka veshur rroba të gjera të botës së kapitalit.
Kauzën, liri, drejtësi, barazi e kanë shkelur sa e sa para Albin Kurtit, duke filluar nga jakobinët Maxmilian Robespjer, Xhorxh Danton e shumë të tjerë e deri te ish socialistët revizionistë të Ballkanit, përveç Shqipërisë së Enver Hoxhës…
Kemi shkruar sa e sa herë dhe kemi dëshmuar me gjuhën e fakteve se e majta e në Kosovë, por as në Shqipëri nuk ekziston, ajo është improvizuar nga partitë e quajtura socialiste, me qëllim për ta joshur shumicën e varfër shqiptare dhe për ta manipuluar pandershmërisht duke e shfrytëzuar për vota.
Në këtë drejtim, Albin Kurti nuk dallon nga të tjerët, sepse ai e di mirëfilli se në Kosovë është instaluar rendi kapitalist, i rendi i “kaosit dhe i xhunglës” sa për fillim, dhe dihet çka na pret në vazhdim në rendin e ri, që zyrtarisht quhet demokraci me liri e të drejta të specifikuara, të deklaruara, por kurrë dhe në asnjë vend të plotësuara, as të realizuara.
Edhe pse Kosova nuk mori ftesë nga Amerika për Konferencën e Demokracive, pavarësisht se ajo u la anash bashkë me Serbinë, Bosnjën, Hungarinë, Kurti pati një reagim me dy fjali mbase edhe për shkak të fushatës zgjedhore ku është shumë i zënë për të fituar të paktën një komunë nga 37 sa i ka Kosova, dhe për të pritur se çka mund të sjellë e nesërmja, gjithnjë befasuese dhe e pabesë.
Nuk besoj se Amerika e Joe Bidenit e ka anashkaluar Kosovën për shkak të Albin Kurtit, sikur mendojnë shumë analistë, inatzi, sepse në kohën e kryetarit amerikan, Donald Trump, Kurti kishte mbështetur Bajdenin në ardhje dhe kjo nuk ka mbetur pa u shënuar diku, sado që mbështetja vinte nga inati për marrëveshjen e arritur, në Uashington nga Kosova e Serbia me ndërmjetësimin e Shtëpisë së Bardhë.
Albin Kurti mes socializmit të deklaruar dhe kapitalizmit mbizotërues, ka zgjedhur mesin e tij eklektik, socialist në formë, kapitalist në brendi….
Kauzat e Kurtit kanë devalvuar tanimë.
Pritet edhe fiaskoja më 14 nëntor, për të zbritur në tokë dhe për t’ u matur me hijen e diellit në mesditë, dhe jo në mbrëmje e në mëngjes.