Ali Ahmeti

RKL: Ali Ahmeti është ftuar si dëshmitar i Prokurorisë së Gjykatës Speciale, apo për të bërë avokatin e UÇK-së??

Ali Ahmeti mbase edhe beson se Gjykata Speciale nuk do të jetë selektive, por anashkalon faktin se selektiviteti është baza mbi të cilën është themeluar kjo Gjykatë, e cila heton, ato që i quan krime të luftës së UÇK-së dhe jo krimet barbare të Serbisë, Maqedonisë, apo Malit të Zi, shtet i cili gjatë luftës në Kosovës ishte në federatë me Serbinë.

 

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka bërë me dije se është ftuar nga Gjykata Speciale në cilësinë e dëshmitarit dhe pa hamendje e ka  pranuar ftesën. “Sundimi i ligjit dhe arritja e drejtësisë së mirëfilltë joselektive, vendore dhe ndërkombëtare, janë synim dhe detyrim i imi i përhershëm në të gjithë veprimtarinë time”. “Andaj, ju njoftoj që Dhomat e Specializuara të Republikës së Kosovës, gjegjësisht Prokuroria Speciale e Kosovës, si një nga themeluesit e UÇK-së dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, më ka ftuar në cilësinë e dëshmitarit dhe kam vendosur kontakt konstruktiv dhe bashkëpunues me zyrtarët në Hagë”. “Gjithmonë kam qenë ithtar i drejtësisë joselektive dhe jam në dispozicion të tërësishëm të organeve të drejtësisë për ta dëshmuar çiltërsinë e luftës çlirimtare të popullit shqiptar përballë gjenocidit të regjimit serb të Millosheviqit”, ka shkruar Ahmeti, i cili nuk ka treguar se për çfarë dëshmish është fjala, kur dihet mirë se nuk është ftuar për avokat të UÇK-së, në ato që ai i quan, “Dhomat e Specializuara të Republikës së Kosovës”, edhe pse nuk besohet të jetë aq naiv dhe të mos e di pse quhen dhe kush i quan si të tilla. Po ashtu është shumë paradoksale kur ky, Ali Ahmeti, e pranon drejtësinë joselektive të Gjykatës së Hagës, i beson asaj edhe pse e di mirëfilli se kjo Gjykatë heton e do të dënojë vetëm pjesëtarët të UÇK-së, madje krerët më të lartë të saj, por po ashtu  kuptohet natyrshëm se ajo nuk do t i dënojë dëshmitarët e mbrojtur,  as ata që nuk kanë nevojë të mbrohen, por janë ftuar të dëshmojnë. Dëshmitarët që i fton Prokuroria, nuk i fton në cilësinë e avokatëve,  me qëllim për ta mbrojur një çështje, sepse avokatët  i zgjedhin vetë dëshmitarët, natyrisht duke e lajmëruar edhe prokurorinë.

Duket se Ali Ahmeti po fsheh diçka në deklaratën e tij.

Fakti se ai përdor veto në formimin e Qeverisë së Maqedonisë, duke e kushtëzuar atë me marrjen e postit të kryeministrit, dhe me këtë rast krijon një precedent të cilin nuk do ta pranojnë dy partitë më të mëdha sllavo-maqedonase  VMRO-ja nacionaliste dhe me program krejtësisht antishqiptar,   dhe Partia Socialdemokrate e Zajevit, e cila është më liberale, por jo aq sa të pranojë që Qeverinë e Maqedonisë të udhëheq një shqiptar.

Ftesa nga Gjykata e Hagës është e ngjashme me ftesën që kishte marrë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj një vit më parë, për shkak se nuk pranonte heqjen e taksës 100 për qind në mallrat e Serbisë. Po kështu ndodhi edhe me kryetarin e  Kosovës, Hashim Thaçit, të cilit Bashkimi Evropian ia qiti në pritë Prokurorinë e Gjykatës Speciale, e cila shpalli publikisht aktakuzën kundër tij dhe e publikoi jashtëligjshëm vetëm tri ditë para takimit të 27  qershorit, në Uashington. Ky fakt nuk do të thotë asgjë për Ali Ahmetin.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë tërë karrierës së tij politike është treguar shumë i lakueshëm ndaj të gjithë autoriteteve ndërkombëtare, por edhe shumë bashkëpunues me të gjitha partitë sllavomaqedone, madje edhe me VMRO-në nacionaliste e cila edhe kishte organizuar sulmin në Kuvendin e Maqedonisë, për shkak se ishte zgjedhur një shqiptar në krye të Parlamentit.  Nuk kishte treguar as tregon gatishmëri për të bashkëpunuar me partitë shqiptare, madje edhe në rastet kur ai bashkëpunim ishte i domosdoshëm.

Ftesa, që iu ka bërë  për të dëshmuar në Prokurorinë e Gjykatës Speciale, nuk është ftesë për ta mbrojtur UÇK-në dhe të drejtën e saj, sikur pretendon ta paraqesë, Ali Ahmeti. Ai dhe asnjë tjetër deri tani nga radhët e eprorëve apo ushtarëve të UÇK-së, nuk është ftuar në rolin e avokatit dhe me qëllim të zbardhjes të së vërtetës për luftën e UÇK-së, në të cilën Ali Ahmeti thotë se ka qenë themelues dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm.

Po kështu është krejtësisht e pa bazë dhe e manipuluar deklarata me tone mujshare e prepotente në rastin kur ai saktëson se  “paska  vendosur kontakt konstruktiv dhe bashkëpunues me zyrtarët në Hagë”. “Gjithmonë kam qenë ithtar i drejtësisë joselektive dhe jam në dispozicion të tërësishëm të organeve të drejtësisë për ta dëshmuar çiltërsinë e luftës çlirimtare të popullit shqiptar përballë gjenocidit të regjimit serb të Millosheviqit”.

Ali Ahmeti,  mbase edhe beson se Gjykata Speciale nuk do të jetë selektive, por anashkalon faktin se selektiviteti, njëanshmëria, racizmi, është baza mbi të cilën ishte themeluar kjo Gjykatë, e cila heton, ato që i quan krime të luftës së UÇK-së dhe jo krimet barbare të Serbisë, Maqedonisë, apo Malit të Zi, shtet i cili gjatë luftës në Kosovë ishte në federatë me Serbinë.

Në parim çdo njeri është ithtar i drejtësisë joselektive, por të besosh paraprakisht se Gjykata Speciale kundër UÇK-së, do të jetë joselektive, nuk është vetëm naivitet, por është një papërgjegjësi e pafalshme, për cilin do që bën paragjykime të tilla.

Fakti se kjo gjykatë është themeluar për të qenë selektive, nuk mohohet me retorikën e çjerrë të Ali Ahmetit, as me mendjelehtësinë e fodullëkun  e disa krerëve të veteranëve, të cilët pretendojnë ta bindin veten se kjo Gjykatë është themeluar, me qëllim  për ta larë dhe për ta pastruar luftës e UÇK-së dhe të gjithë ata që janë marrë dhe po merren në pyetje, po kthehen fitimtarë dhe dinjitarë.

Ali Ahmeti, e di më mirë se kushdo  se në çfarë cilësie është ftuar, por është vështirë të besohet në arsyetimet e tij kontradiktore, kur paraprakisht paraqitet si bashkëpunues konstruktiv me zyrtarët e Prokurorisë së Gjykatës Speciale.

Dhe cila është kjo Gjykatë, pastaj cili është qëllimi i themelimit të saj, kush dhe përse e ka themeluar, është votuar nga zori e nga frika,  apo nga dëshira e vullneti, këtë e dinë të gjithë ata që nuk fshihen prapa retorikave mujshare e prepotente, sikur bën, Ali Ahmeti.

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …