Partitë në pushtet LSDM dhe BDI do të garojnë së bashku në zgjedhjet lokale. Marrëveshja u arrit në një takim mes kreut të socialdemokratëve, Zoran Zaev dhe atij të BDI-së Ali Ahmeti. Të dy partnerët e koalicionit qeveritar ranë dakord që të dyja partitë të bashkëpunojnë në zgjedhjet lokale të vjeshtës, me mbështetje të ndërsjellë në disa komuna që në raundin e parë, ndërsa në disa të tjera në raundin e dytë. “Kisha takim të shkëlqyeshëm me partnerin e koalicionit dhe kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti. U morëm vesh që LSDM-ja dhe BDI-ja të marrim pjesë bashkë në zgjedhjet lokale”, tha lideri i socialdemokratëve Zoran Zaev. Kryeministri ka potencuar se qëllimi i përbashkët i LSDM-së dhe BDI-së është që në bashkëpunimin parazgjedhor të kyçen sa më shumë parti nga koalicioni qeverisës.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka gjetur partnerin qeverisës, në përpjekje për të qenë vazhdimisht në pushtet. Ai nuk lidh koalicion me partitë shqiptare, sepse ato nuk i japin numrat që i duhen për të bashkë qeverisur de iure, apo për të nën-qeverisur de facto me LSDM-në e Zaevit.
Ali Ahmeti për t’ u veshur me pushtet ka bashkëqeverisur edhe me VMRO-në nacionaliste, e cila shqiptarët i trajton vetëm si minoritet dhe kundërshton fuqishëm që madje edhe posti i kryetarit të Kuvendit t’ i takojë një shqiptari.
Ali Ahmeti, dikur në radhët e para të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, pretendon se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut i kanë zgjidhur problemet, i kanë realizuar synimet e tyre historike dhe duhet të vazhdojë status-quoja, e cila i ka ofruar pushtetin me favore të shumta.
Ai ka harruar premtimet në zgjedhjet e fundit se kryeministri i Maqedonisë do të jetë shqiptar. Ajo ishte një kauzë e rreme, e cila i solli mjaft vota, por duke parë se nuk e merr dot postin e kryeministrit, sepse këtë nuk e lejon as kushtetuta e Maqedonisë, ai u mjaftua edhe me një post në krye të Kuvendit të Maqedonisë dhe ndonjë ministër, apo zëvendës-ministër.
Ali Ahmeti e ka mirë me dy partitë kryesore në Maqedoni. Cila do që i foton zgjedhjet, nuk qeveris dot pa një parti shqiptare, andaj BDI-ja doemos se do të jetë e para, meqë kështu kanë vendosur edhe shumica e votuesve në Maqedoni. Partitë e tjera shqiptare janë të gjykuara të jenë vazhdimisht në opozitë, pavarësisht angazhimeve dhe përpjekjeve për të fituar më shumë vota.
Ali Ahmeti është politikan pragmatist, në kuptimin mirë me të gjithë, për të qenë gjithnjë aty ku ndahet e mira që sjellë pushteti.
Ai mbanë në dorë “Shulin e vekun”, andaj e end drugëzën, majtas-djathtas dhe nuk ka pse merakoset për të gjithë shqiptarët e Maqedonisë. Ata, nëse duan pushtet i kanë dyert hapur në BDI.
Kështu kanë “qeverisur” e nën-qeverisur shqiptarët në kohën e Perandorisë Osmane, pastaj në kohën e Monarkisë Jugosllave dhe në kohën e ish-Jugosllavisë titiste, komuniste. Realisht kjo është e vetmja mundësi që ofrohet në kohë paqeje dhe këtë e ka shfrytëzuar dhe po e shfrytëzon edhe Ali Ahmeti, brenda mundësive që i ka ofruar koha e momenti historik.