Shfrimi i ambasadores amerikane në Kosovës, XhejKOBson, kundër kreut politik të vendit, doemos se për shkak të ngjashmërisë na sjellë në kujtesë, jo vetëm shfrimin por edhe veprimin energjik të ambasadorit paraprak, Kristofer Dell, tri-katër vjet më parë, në një situatë të ngjashme të stagnimit politik, sikur po mbretëron aktualisht në vendin tonë. Ai shpërfilli ligjet, Kushtetutën e vendit dhe emëroi në postin e kryetares së Kosovës zonjën e tij të preferuar, Atifete.
Dallimet qëndrojnë në qasjen diplomatike e morale dhe lënë vend për komentime e spekulime të shumta.
Ambasadori Dell, si mashkull që ishte dhe është, kishte vepruar me virulencë, shpërfillje, madje edhe me një arrogancë prej gangsteri. Ai iu tha troç mistrecëve politikë, “Derisa nuk jeni në gjendje ta zgjidhni vet kryetarin, po ua zgjedh unë, hiq pa u pyetur, pa marrë pëlqimin paraprak. E preferuar ime është kjo, krye-policja e aftë, që ka studiuar në Amerikë dhe që e flet mirë anglishten, na bindet për çdo punë dhe sa për faktin si e zotëron shqipen, politikën, kjo mua nuk më intereson. Ka kush kujdeset për shkrimet, prononcimet dhe fjalimet e saj.
U tha u bë.
Liderët ulën kokat, natyrisht se falënderuan Dellin, i cili kishte dell dhe për diçka tjetër më shumë, për të ndërmarrë veprime të tilla, në përzgjedhje të “miseve” politike dhe gjërat filluan të lëvizin. Po të mos ishte z.Dell, zonja Jahjaga edhe sot do të ishte një police e mirë, që nuk do të kishte rast ta njihe as Juniku se lërë më Gjakova.
Në njëfarë mënyre, po thuajse njëjtë ka vepruar edhe ambasadorja, Xhejkobson, por me shumë vonesë. Kemi pritur që qysh në muajin e parë të fillimit të mosmarrëveshjeve për funksionalizimin e institucioneve, Zonja e Madhe do ta ushtrojë ndikimin e saj, të cilin nuk gjendet politikan aktual në Kosovë që do të kishte marrë apo do të merrte guxim ta kontestonte. Edhe po t’i teket kësaj zonje t’ iu thotë liderëve pranojeni Serbinë si Shtetin Tuaj, mendoj se të gjithë këta, për hir të Amerikës që na ka çliruar, për hir të besnikërisë së njohur shqiptare ndaj padronëve, nuk do të hezitonin aspak të ktheheshin kah Beogradi. Andaj edhe Zonja XhejKOBson ua hodhi në surrat mu…në, pa u skuqur fare, pa pikë të turpit, në cilësi të ambasadores së shtetit më të fuqishëm të botës.
Ky cinizëm duket paksa edhe banal, por jo më banal dhe më skandaloz sesa fjala, M… e shqiptuar shqip nga zonja ambasadore. Ajo e kurseu gjuhën e vetë amtare për ta shqiptuar atë fjalë, por me shqipen e saj të çalë, megjithatë ia doli ta shqiptojë fare mirë.
Me rëndësi është se të gjithë liderët pa asnjë dallim u pajtuan me konstatimin e Kryetares Supreme të Kosovës, e cila për një çast u ngut dhe ua përkujtoi të pranishmëve gjatë konferencës se Kosova nuk është koloni amerikane, se Kosova është shtet i pavarur dhe duhet vetë të zgjedh krizat e ngërçet. Me këtë shpjegim zonja XhejKOBson zbuti qortimin e rëndë, banal dhe të neveritshëm, i cili nuk do të kalojë pa pasoja për zonjën, e cila flet në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe është në pyetje kredibiliteti i shtetit dhe jo “personi” apo kultura e saj.
Por, ne si farë ataviste, besnikë e mikpritës të njohur që jemi, mikut tonë në konak ia lejojmë atë që kurrë nuk do t ia lejonin vëllait apo babait. Madje, e dimë fare mirë se Zonja e Madhe e ka për të mirën tonë. Pikërisht sepse na do fort edhe na qorton, pa çka se na jep edhe Mu…në. Jemi mësuar ne me të gjitha, dua të, them politikanët tanë aktualë janë të mësuar me të gjitha. Të huajt i respektojmë edhe kur na fyejnë, vëllait ia nxjerrim sytë, qoftë edhe për një fjalë shumë më të butë sesa fjala e zonjës amerikane.
Kjo është maturia dhe politika jonë e mençur, durimtare.
Kjo është politika jonë e nënshtruar e vasale.
Këta janë trimat tanë që rrahin gjoks se e kanë çliruar vendin nga robëria serbe.
Këta janë trimat e Rambujesë, trimat e marrëveshjeve të Brukselit, trimat që kanë nënshkruar çdo akt, vendim apo marrëveshje, që u kanë vënë përpara ndërkombëtarët, cilët do qofshin ata.
Duke qenë të tillë, natyrisht se edhe e meritojnë atë fjalën e pahijshme të Zonjës së Madhe amerikane.
Janë nipat e stërnipat e atyre që ndër shekuj ishin mësuar me “lepe-peqe”. “Izvolte, moljim” dhe tani, Yes, OK-ej, OK-ej.