Shefja e BE-së, në Kosovë, Natalija Apostolova, ka thënë se Demarkacioni dhe Gjykata Speciale janë dy çështje që mund ta përcaktojnë të ardhmen e Kosovës në Bashkimin Evropian. Fillimisht kusht për liberalizim ishte demarkacioni, Asociacioni në Veri, Korrupsioni, e tani del të jetë edhe Gjykata Speciale. Zonja Apostollova, ashtu sikur edhe paraardhësit e saj nga Brukseli thotë se Kosova ka gjasë që të ndikojë në të ardhmen e saj duke i bërë gjërat e duhura. Ajo duhet të ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e zi. Po ashtu ajo në mënyrë hipotetike, përçmuese dhe ironike konstaton se njerëzit në Kosovë nuk besojnë në institucione, prandaj kanë nevojë për ndërkombëtaret”. Mendoj se zonja Apostollova, këto konstatime të saj i ka bazuar në të dhëna që prezantojnë disa nga mediet në Kosovë, por pa i pyetur shqiptarët, pa bërë ndonjë anketë, pa marrë mendimin e autoriteteve që kanë ndikim në popull.
Duke shfrytëzuar politikanët servilë shqiptarë, ata të markave të njohura: “Lepe-peqe, okej ser, molim lepo”, zonja nga Brukseli me një anë konstaton se populli në Kosovë nuk u beson institucioneve, në anën tjetër, ajo dhe tërë stafi i zyrtarëve të lartë të akredituar në vendin tonë, të gjitha “pazaret” politike i bëjnë po me këta kryesues të institucioneve. Dhe kur ndodh që ndonjëri, në radhë të parë për qëllimet e veta, bën ndonjë kundërshtim, atëherë i vërsulen duke mos e kursyer, duke e kërcënuar, duke kërcënuar madje edhe të gjithë deputetët, që nuk i nënshtrohen vullnetit të akëcilit ambasador, zyrtar apo politikaneje të BE-së e kështu me radhë.
Ja cila është demokracia që prezanton dhe po e mbjellë në Kosovë BE-ja dhe ambasadorët, të cilët aq shumë e duan “popullin” e Kosovës, por vetëm nëse vazhdon të jetë i dëgjueshëm e të veprojë edhe kundër interesave të veta, gjithnjë në interes të atyre që për 18 vjet thonë se na ka kanë çliruar, por pa derdhur asnjë pikë gjaku.
Po qe se bëjmë në digresion analogjik, duhet të pranojmë faktin se edhe popujt e Evropës Lindore, në vitin 1945 i kishte çliruar nga fashizmi gjerman, Armata e Kuqe sovjetike, por me qindra mijëra prej tyre kishin derdhur gjak për çlirimin e Jugosllavisë, Bullgarisë, Rumanisë, Hungarisë, Çekisë, Sllovakisë, Polonisë e Ukrainës dhe shumë shteteve të tjera. Për çlirimin e Shqipërisë nga fashizmi nuk mori pjesë ushtar i Armatës së Kuqe. Po pas luftës dhe fitores historike kundër fashizmit, ata ushtarë sovjetikë që mbeten gjallë u kthyen në shtëpitë e veta dhe nuk u bënë arbitër të përjetshëm mbi kombet që i kishin ndihmuar të çliroheshin, përveç atyre që me dashje apo me dhunë ishin bërë pjesë e Bashkimit Sovjetik.
Në rastin tonë, aleatët tonë shumë të dashur, na kanë ndihmuar të çlirohemi vetëm duke sulmuar forcat e pozicionet serbe nga ajri, dhe nganjëherë duke na goditur edhe neve, si për mahi, si dëm kolateral, por pa luftuar në tokë, fyt për fyt me forcat kriminale e fashiste serbe, sikur kishte bërë Armata e Kuqe, e cila sot, nga forcat e ashtuquajtura liberale evropiane konsiderohet po aq fashiste se edhe Armata e Hitlerit.
Arbitruesja e BE-së për Kosovë, Natalija Apostollova, duke folur për mundësinë e pezullimit të Gjykatës Speciale nga shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, nga vullneti i tyre politik si përfaqësues të popullit, i cili u ka dhënë besimin, ka deklaruar se veprimi i tillë nuk qenka i drejtë, sepse këtë gjykatë e duan ndërkombëtarët, pavarësisht se ajo është një etnike dhe ka për qëllim diskreditimin e luftës çlirimtare. Ajo, shpreson që politikanët e Kosovës do ta kuptojnë këtë më herët, para se të jetë vonë. Ky kërcënim i tërthortë i zonjës së BE-së, tregon dyfytyrësinë e saj politike, kur me një anë thotë se populli në Kosovë nuk u beson institucioneve, në anën tjetër po nga këta drejtues institucionesh kërkon vetëm vartësi e vasalitet.
Ku e mbështet konstatimin e saj kur thotë se shqiptarët nuk u besojnë institucioneve të tyre?. Natyrisht se e mbështet në titujt e medieve, të cilat nuk e ruajnë interesin e popullit, por interesat politike të klaneve nga ku thithin burime financiare, dhe mbrojnë gjithnjë interesat e të huajve. E mjerë është ajo politikane apo politikan qoftë e dhe i Brukselit, Parisit apo i Romës, që rrjedhën e zhvillimeve në një vend e bazon në shkrimet e medieve, në rastin tonë, shumica e tyre pa asnjë kredibilitet e besueshmëri, por gjithnjë servile ndaj të huajve, si dje në kohën e regjimeve antishqiptare serbe e jugosllave, ashtu edhe sot në shërbim në BE-së dhe politikave antikombëtare, antishqiptare.
Zonja Apostollova mbahet për veten e saj aq e mençur sa qenka e bindur se shqiptarët paskan nevojë për ndërkombëtarët, të cilëve edhe po u besuakan, sepse kështu shkruan “Koha Ditore, Zëri, Ekspressi” e përgjithësisht mendësia gazetareske me jugo-prejardhje ideologjike. Populli nuk është pyetur kurrë, por kur një nismë si ajo e veteranëve për pezullimin e Gjykatës, nënshkruhet nga 16.000 veteranë, atëherë këta nuk qenkan populli, por edhe nëse janë ata po gabuakan, por nuk gabojnë 30 apo 30 gazetarë e analistë servilë, me jugo ADN politike, në opinionet e të cilëve mbështetet zonja e rëndë e BE-së, e gjithë ditura Apostollova.
Dhe vjen një ditë e kjo zonjë e rëndë që shet mend me filozofinë e saj pragmatiste do të largohet nga Kosova, por shqiptarët dashur pa dashur ajo, dhe të tjerë si ajo, kanë qenë dhe do të mbesin në vendin e tyre. Dhe prej asaj dite kur ajo do të largohet nuk do ta kujtojnë më, madje as gazetarët servilë, që presin me entuziazëm e dalldi kolaboracioniste fillimin e punës së Gjykatës kundër UÇK-së sepse ata do të ngarendin te ajo tjetra, apo ai tjetri, që vjen me radhë. Natyrisht se edhe asaj aq i bën se e kujtuan apo jo, gazetarë dhe miqtë e shtirur të saj, me rëndësi është se ajo deri atëherë do të vjelë qindra mijëra euro për punën e saj, pavarësisht sa i ka kontribuar mirësisë, paqes, mirëkuptimit, apo kaosit, anarkisë e shëmtive të mujsharëve të politikës.