Kosova, gjatë tërë kohës së pas luftës dhe çlirimit nga robëria serbe, në qershor të vitit 1999, edhe pse e ka shpallur pavarësinë, më 17 shkurt të vitit 2008, edhe pse këtë pavarësi e ka pranuar botërisht Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, edhe pse shtetin tonë e kanë njohur më shumë se gjysma e shteteve të botës, në mesin e tyre edhe shtetet më të mëdha dhe me ndikim të fuqishëm në politikat ndërkombëtare, ajo po mbetet peng i Serbisë dhe i pesë shteteve të BE-së të cilat nuk e njohin pavarësinë e vendit tonë.
Pavarësisht përkrahjes amerikane, shtet që ka kontribuar më së shumti në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, mospranimi i kësaj pavarësie nga Bashkimi Evropian dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare, ka hapur një proces pa fund të bisedimeve të detyrueshme me Serbinë, e cila e ka bërë të qartë me qindra herë deri tani se kurrë, dhe, në asnjë mënyrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Pavarësisht nga ky qëndrim, Beogradi zyrtar, ka pranuar të bisedojë me krerët politikë dhe institucionalë të Kosovës lidhur me probleme të caktuara, “brenda vendit tonë” gjithnjë me ndërmjetësin e BE-së, e cila qysh prej fillimit i ka mbajtur dhe i mbanë anën Serbisë, me qëllim që të devalvojë luftën tonë çlirimtare, por edhe intervenimin ushtarak të NATOS kundër Serbisë në vitin 1999.
BE-ja, po kështu ka një qëndrim shumë të matur, pse jo edhe miqësor me Rusinë, e cila ia njeh Serbisë sovranitetin mbi Kosovën, në akord me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së të vitit 1999.
Ky konstelacion i forcave botërore, pro dhe kundër pavarësisë së Kosovës, ka ngecur në tavolinën e bisedimeve, fillimisht në Vjenë, tani në Bruksel, duke e zvarritur çështjen më shumë se 20 vjet, duke e lënë Kosovën si vatër krize mes Perëndimit e Lindjes.
Marrëveshja e arritur dhe e nënshkruar, në Bruksel, në prill të vitit 2013, në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk ishte një e arritur për Kosovën, por ishte një favor që iu dha Serbisë në bisedime, duke i hapur rrugën e integrimit të saj në BE dhe hapjen e panatyrshme të një procesi drejt dezintegrimit të pavarësisë së vendit dhe stagnimit të njohjeve të pavarësisë së saj, nga shtetet e tjera të botës.
Nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit ishte kurthi i detyrueshëm në të cilin ka rënë Kosova ne kthetrat e Serbisë dhe të BE-së, nga ku nuk mund të dalë pa bërë lëshime e kompromise jo vetëm të dhembshme por në një masë edhe fatale për të ardhmen e vendit.
Sikur Kosova në krye me Hashim Thaçin të mos e kishte nënshkruar atë marrëveshje, do të ishin shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe do të ishte gjetur nënshkruesi i ri.
Ky presion i BE-së është shfaqur në të gjitha rastet dhe vazhdon me të njëjtin intensitet edhe tani kur kryeministri, Albin Kurti, ka ardhur në pushtet me kauzën e tij kundër nënshkrimit të marrëveshjes, kundër bisedimeve me Serbinë, kundër krijimit të Zajednicës, po ballafaqohet me realitetin faktik e statik, përtej së cilit nuk mundet. Për të qëndruar në pushtet, pas 15 viteve në opozitë, Kurtit, Osmanit e Konjufcës u duhen bërë kompromise të njëpasnjëshme, duke i devalvuar të gjitha premtimet, sepse Kosova nuk e ka favorin as pozitën t’ i vënë kushte BE-së, në çështjet për të cilat me Brukselin pajtohen edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri, Kurti dhe kabineti i tij qeveritar si dhe aleatja në Presidencë, po bëjnë përpjekje të veprojnë me moton, “mishi të piqet e helli të mos digjet”, por kjo nuk do të ndodh, sepse në rast të mosveprimit të duhur mishi do të digjet bashkë me hellin.
Kryeministri Kurti dhe kabineti i tij tashmë i kanë filluar arsyetimet sa për sy e faqe, duke fajësuar qeveritë e më parme, të cilat kanë nënshkruar marrëveshje të dëmshme për vendin.
Kurti, në bisedimet në Bruksel ka pranuar realitetin dhe funksionimin e fusnotës, e cila nominalisht e trajton Kosovën sipas Rezolutës së KS të OKB-së nën sovranitet të Serbisë.
Kurti dhe kabineti i tij ka pranuar, jo fillimin e bisedimeve të Republikës së tretë virtuale sikur pretendon ai, por vazhdimin e bisedimeve ku e kishin lënë ish qeveritë e Republikës së Kosovës.
Albin Kurti nuk e pranon “Zajednicën” duke u mbështetur në dekretimet e Gjykatës Kushtetuese, por pranon vendim e kësaj gjykate sa i përket Manastirit të Deçanit, për çka ka marrë kritika të ashpra nga përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it. Asimetria e interpretimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në rastin e themelimit të Asociacionit dhe Manastirit të Deçanit, ia merr adutët nga dora kryeministrit Kurti, i cili gjendet para bankrotimit politik në raport me BE-në, QUINT-in dhe vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I ndodhur në këtë pozitë, Abin Kurti duhet të vendos, “ose hurin, ose tirqtë”, meqë nuk ka rrugë të tretë.
Në rastin konkret, qëndrimi i Kurtit kundër krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe me kompetenca ekzekutive, është parimor, është në interes të vendit, por është i pamundshëm, sepse Serbia nuk heq dorë nga ajo që e konsideron hise të vet në Kosovë, dhe për këtë e ka mbështetjen e miqve të vet por edhe miqve tanë. Kjo është nyja të cilën Kurti nuk e zgjidh dot, andaj para tij shtrohet ajo “dileme hamletiane”: Të jesh apo të mos jesh.
Veriu i Kosovës. prej 14 qershorit të vitit 1999, kur forcat franceze të KFOR-it zbarkuan mbi Urën e Lumit Ibër e deri tani është “de facto” në pushtetin dhe sovranitetin e Serbisë, e cila kërkon që tani ajo të jetë edhe “de iure” pjesë e saj, duke mbajtur për vete edhe tri komunat shqiptare, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Kjo do të jetë fitorja e Pirros për Albin Kurtin dhe fitorja historike e Serbisë, mbi veriun dhe lindjen e Kosovës. Serbia i fiton dhjetë komuna brenda Kosovës, sipas Asociacionit, me apo pa kompetenca ekzekutive.
Serbia, edhe me Pakon e Ahtisaarit ka fituar pronat dhe eksterritorialitetin e Kishave dhe manastireve, fakt me të cilin është pajtuar tërë spektri politik e institucional i vendit, përveç dikur Vetëvendosjes, e cila asokohe nuk e kishte pranuar Pakon dhe krejt atë që kishte derivuar nga ajo, por gradualisht i ka pranuar të gjitha.
Bisedimet, apo sikur thuhet dialogu i Kosovës me Serbinë do të vazhdojë krejt derisa krerët e Shtetit të lëshojnë pe në të gjitha kërkesat e Serbisë, të cilat tashmë krejt hapur po i përkrahin krerët më të lartë të BE-së.
Krejt çka mund të fitojë Kosova pas të gjitha lëshimeve, mund të jetë liberalizimi i vizave, proces i cili jo rastësisht është shtyrë dhe do të shtyhet, për finalen e bisedimeve, si një desert, tashmë i mykur e i hidhur.